PD: Qeveria “Rama” ka vendosur t’i ngarkojë shqiptarët me një taksë të re tek nafta, taksën NOA

459
Sigal

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, IZMIRA ULQINAKU

 

Që nga dita e parë në pushtet, Edi Rama vendosi taksat më të larta në rajon që kanë rënduar jetën e shqiptarëve. Për të dhe oligarkët rreth tij, shqiptarët duhen shtrydhur deri në pikën e fundit të kursimeve.

Duke nisur nga viti 2014 qeveria ka rritur taksën e qarkullimit, që paguhet në çdo litër karburant të blerë, duke shtrenjtuar çmimin. Edhe kur çmimi i karburantit në tregjet ndërkombëtare shënoi rënien më të madhe në histori, shqiptarët paguanin më shumë.

Të pangopur me vjedhjet dhe koncesionet ndaj oligarkëve qeveria ka vendosur të japë një tjetër PPP.

Kësaj rradhe projekti mafioz përfshin dhënien me PPP të pompave të karburantit dhe krijimin e një agjencie për rezervën e sigurisë për karburantin.

PPP-ja e pompave të karburantit është një projekt mafioz nisur nga qeveria në shtatorin 2018 dhe denoncuar nga Partia Demokratike që në krye të herës.

Aq i madh ishte abuzimi sa që vetë pjesëmarrësit në këtë koncesion e dërguan çështjen në gjykatë.

Shkeljet nga ana e ministrisë ne favor të kompanisë NOA ishin të qarta.

Gjykata ka marrë një vendim, qeveria vazhdon të refuzojë vendimin.

Ajo ka vendosur t’i ngarkojë shqiptarët me një taksë të re tek nafta, taksën NOA.

I babëzitur në abuzime, Edi Rama, ka urdhëruar një projektligj.

I shkruar në ish-ministrinë e Gjiknurit dhe shpalosur nga ministrja Balluku, Rama ka vendosur të krijojë një agjenci sigurimi të karburantit.

Paratë natyrisht për këtë projekt do të dalin nga xhepat e shqiptarëve.

Sipas të dhënave nga bizneset, pritet që produkti i naftës të shtrenjtohet minimalisht me 20 lekë për litër.

Tabela e “Global Oil Price”, referenca për çmimet e naftës në botë, na rendit fill pas Gjermanisë për çmimin e naftës.

Sipas saj shqiptarët paguajnë 1.45 euro/litër kurse Gjermania paguan 1.46 euro/litër.

Ndërkohë në renditjen botërore ku janë marrë 164 shtete dhe Shqipëria është e 145-a dhe bën pjesë tek grupi i vendeve të varfëra me çmimet më të larta.

Shqipëria bën pjesë tek grupi i 35 vendeve që e kanë çmimin 1,5-2 USD (të gjitha të tjerat janë vende me GDP të lartë për frymë dhe Shqipëria është e vetmja me këto të ardhura dhe këtë çmim).

Ka vetëm një vend më të shtrenjtë se grupi jonë që është Hong Kongu!

Çmenduria e çmimeve të larta vjen si pasojë e taksave të larta.

Sot çmimi i naftës në treg është 64%.

Paguajmë më shtrenjtë se çdo vend i rajonit karburantin sepse qeveritarët janë hajdutë dhe miq të hajdutërisë dhe oligarkëve.

Taksa e qarkullimit u rrit me 24 lekë për litër.

Kjo  do të jetë taksa e parë që do të hiqet në qeverisjen e PD.

Çmimi më i lartë i karburantit sot ka bërë që fermeri shqiptar të prodhojë me kosto të lartë e të hedhë produktet në rrugë, çmimi më i lartë i karburantit sot ka bërë që kostot e prodhimit të rriten me 11 përqind, duke ulur në minimum punën për bizneset prodhuese, çmimi i lartë i karburantit sot ka bërë që shqiptarët të blejnë më shtrenjte çdo produkt që nga buka deri te qumështi duke shtrenjtuar jetesën, duke nxjerrë nga tregu biznese të vogla të ndershme e duke ulur numrin e fermerëve prodhues.

Kjo sjellje kriminale duhet të marrë fund!

Koncesionet dhe çdo PPP,  do të pezullohen dhe do të nisin hetimet për ata qe kanë manipuluar dhe vjedhur.

Asnjë hap pas për të çliruar ekonominë nga taksat e oligarkëve.

Asnjë hap pas deri ne largimin e Edi Ramës!