Kuvend, degradon debati, Berisha përjashtohet për 10 ditë, PD-ja bojkoton

488
Sigal

Balla: Berisha të shpjegojë lidhjet me Mahmutaj. Paloka: Gate viktimë, kapobanda në qeveri

Ish-Kryeministri, Sali Berisha, përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi me kërkesë të dy grupeve parlamentare PS-LSI. Vendimi u mor nga Byroja e Kuvendit, e cila u mblodh nga Kryeparlamentari, Ilir Meta, pas fjalorit fyes të përdorur nga ish-Kryeministri në adresë të kolegëve të maxhorancës. Berisha mori fjalën nga Foltorja e Kuvendit, ku kryefjala ishte Lazarati. Opozita përdori operacionin e policisë në Lazarat për të sulmuar sërish maxhorancën për lidhjet me trafikun e drogës. Sipas deputetëve të PD-së, kokat e trafikantëve në qeveri hoqën nga lista e të kërkuarve bosët e vërtetë të Lazaratit për të mbrojtur interesat e tyre personale. Ish-Kryeministri Berisha deklaroi se, mbështeste policinë, por nuk ishte me trafikantët në qeveri”, madje, kërkoi të tërhiqen njësitë operacionale nga Derviçani pasi po dëmtojnë biznesin. Në vazhdën e akuzave ndaj maxhorancës, Berisha, duke u drejtuar nga foltorja u shpreh se: “Nuk ia vlen ta dëgjosh fjalën e një burri që ia quajnë gruan, kurvë dhe prostitutë…”. Teksa fliste, Berisha ishte drejtuar nga vendi ku ishte ulur Veliaj, duke i kujtuar incidentin e publikuar në media për ditëlindjen e Tedi Papavramit dhe duke i thënë që nuk është në gjendje t’i dalë për zot as bashkëshortes së tij. Pas kësaj, deputetët e Partisë Demokratike janë larguar nga salla, ndërsa seanca plenare ka rinisur pas pushimit vetëm me deputetët e maxhorancës, ku u diskutua rendi i ditës. Partia Demokratike mori dje vendimin për të bojkotuar Kuvendin deri në një njoftim të dytë. Vendimi i PD u bë me dije nga kryetari i Grupit Parlamentar Edi Paloka.

Përmbledhja e debateve

TAULANT BALLA: BERISHA TË SHPJEGOJË LIDHJET ME MAHMUTAJ; PALOKA: GATE VIKTIMË, KAPOBANDA NË QEVERI

Që në nisje të seancës debatet janë ndezur bindshëm, duke ndryshuar dhe rendin e ditës, kur deputeti i maxhorancës, Taulant Balla akuzoi ish-Kryeministrin Sali Berisha për lidhje me kreun e grupit kriminal të Lazaratit, tashmë të arrestuar Gate Mahmutaj. Ai ka shkuar më tej në akuzën e tij kur tha se, në telefonat e të gjithë të arrestuarve, numri kryesor është ai numri i Sali Berishës. “Si deputet kisha shpresuar shumë që grupi parlamentar i PD-së të mbante një deklaratë në mbështetje të aksionit Policisë së Shtetit për çlirimin e Lazaratit nga elementë kriminalë, kultivues dhe trafikantë droge, por kjo mungoi. Janë dy pyetje të drejtpërdrejta për ish-Kryeministrin, Sali Berisha. E para që duhet të vijë këtu në sallë dhe të japë përgjigje, është: A ka biseduar Sali Berisha pak minuta para dorëzimit në telefon me Gate Mahmutaj? Si shpjegohet që në shumicën e telefonave të të arrestuarve numri kryesor ishte numri i Sali Berishës. Tani nuk ka ardhur akoma se duhet të jetë duke biseduar akoma me grupin e zjarrit”,-tha ai.

Reagon Edi Paloka

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kreut të grupit parlamentar të demokratëve, Edi Paloka, i cili duke ju referuar Ballës si avokat i Ramës, tha se, Gate Mahmutaj është viktimë sepse kapobanda është në bllok. “Nuk kanë marrë deputetët e Partisë Demokratike në Lazarat, e dini shumë mirë, emrat i keni nxjerrë vetë, nuk kam dëgjuar në listë emrin e ndonjë deputeti të Partisë Demokratike. Sa për atë emrin që përmend personalisht nuk e njoh, por mos mendoni se me histori të tilla, me sajesa të tilla që janë viktima. Kapobandat e dini shumë mirë se ku janë. Janë në bllok, nuk janë atje. Edhe ata që ndodheshin në Lazarat u njoftuan të largohen. Kapobandat janë në Tiranë, ata i kanë marrë parcelat fshatarëve. Kapobandat janë aty midis jush (tregon me gisht kabinetin qeveritar).I keni hapur luftë disa fshatarëve. Çfarë lufte po bëni, ata që u njoftuan dhe ikën që ditën e parë, atyre t’ju bëjmë thirrje, apo këtyre që bëjnë sikur gjuajnë për të treguar se gjoja po bëhet luftë e madhe në Lazarat. Dhe vini e tregoni përralla me Gate”,- tha Paloka.

FLAMUR NOKA: DJALI I LUIZA XHUVANIT NË LAZARAT PO QËLLON MBI POLICINË

Nga foltorja e Kuvendit deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se, djali i Luiza Xhuvanit, deputetes së Partisë Socialiste po qëllon policinë. “Më thoni dhe një gjë tjetër, kush është atje që po gjuan kundër policisë? Djali i Luizës. Spartak çfarë të thanë drejtuesit e policisë kur shkove për të ngrënë bukë në Derviçan? E di çfarë i thanë Spartakut dhe të gjithë deputetëve të gjithë Komisionit të Sigurisë, i thanë djali i Luizës është këtu dhe ka gjuajtur kundër policisë. Po që se nuk është, sille Luiza për gjysmë ore këtu përpara nesh te Kuvendi dhe të kërkojmë ndjesë të gjithë si forcë politike. E ke atje, se ja thanë dje, ja pra kush e bën”,– tha Noka.

XHUVANI-NOKËS: IM BIR S’KA LIDHJE ME KËTË AKUZË, KËRKONI FALJE PUBLIKE

Deputetja e Partisë Socialiste iu përgjigj në një replikë deputetit Flamur Noka në lidhje me akuzat që kanë qarkulluar për djalin e saj, si një personat që ka qëlluar ndaj policisë në Lazarat. Xhuvani, theksoi se, djali i saj, Kostandin nuk ka asnjë lidhje me këto akuza, të cilët verifikohen lehtë, në të kundërt të gjithë deputetët duhet t’i kërkonin asaj falje publike.

SALI BERISHA-VELIAJT: TI THANË GRUAS K… DHE HESHTE. META NDËRPRET SEANCËN

Debatet në Kuvend kanë degraduar në fyerje dhe sharje banale, pas tensionit të krijuar nga diskutimet e nxehta mbi operacionin në Lazarat. Ka mjaftuar një “Vazhdo” e shoqëruar me dorë nga dy ministrat e kabinetit Ahmetaj dhe Veliaj, të pozicionuar në ulëse në afërsi të foltores ku ish-kryeministri Berisha po dënonte atë që ai e quajti terror mbi popullsinë civile, që ky i fundit të humbë kontrollin. Ai ka kërkuar heshtjen e Veliajt, duke i kujtuar incidentin e publikuar ne media për ditëlindjen e Tedi Papavramit dhe duke i thënë që nuk është në gjendje ti dalë për zot as bashkëshortes së tij. “Po të qëllohet në ajër është turp, vetëm frikacakët e bëjnë atë. Ai që është trim nuk ka nevojë të qëllojë në erë. Ata që i çuat ju, i çuat ju mish për top. Një burrë që ia quajnë të shoqen kurvë dhe prostitutë dhe nuk thotë asnjë fjalë vetëm ky është, vetëm ky është”,- tha Berisha duke iu drejtuar Veliajt i “xhindosur”. Pas kësaj, deputetë të maxhorancës kanë shpërthyer në zhurma në shenjë proteste ndaj Berishës. Ndërsa kreu i Kuvendit duke i tërhequr vëmendjen Berishës, ka kërkuar ndërprerjen e seancës për 15 minuta. Ndërkaq, ish-Kryeministri jashtë selisë së Parlamentit tha për gazetarët se Veliaj nuk preket nga ato që thotë kryetari i tij, por pse ajo e vërtetë bëhet publike.