Nuri: U pranua nga KQZ se materialet zgjedhore nuk përputheshin me fletët e votimit të diasporës

Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, në emisionin e moderuar nga Edvin Parruca, reagoi pas rrëzimit të kërkesës së PD nga Kolegji Zgjedhor, duke vënë në dyshim kompetencën e gjyqtarëve që e shqyrtuan çështjen. Sipas Nurit, gjyqtarët e Kolegjit nuk e kanë ende të qartë se si funksionon procesi zgjedhor dhe nuk zotërojnë njohuritë teknike të nevojshme për të vlerësuar situatat zgjedhore në mënyrë të saktë. “Ka shumë detaje teknike në procesin zgjedhor në Shqipëri. Duhet të jesh me shumë eksperiencë, të kesh kaluar disa palë zgjedhje, që të kuptosh si funksionojnë mekanizmat e administrimit nga fillimi deri në fund”, u shpreh ai. Ai shtoi se ka konstatuar që edhe vetë gjykata nuk i ka të qarta dispozitat e caktuara, as strukturën e tërësishme të procesit. “Kolegji Zgjedhor nuk është në lartësinë e duhur. Kam përshtypjen se edhe roli i tij duket pak i cunguar, pasi nuk di sa në gjendje është një trup gjykuese të gjykojë çështje për të cilat nuk ka njohuri teknike. Nuk flas për njohuri juridike, se ato nuk i vëmë në dyshim, por për praktikat dhe aspektet teknike të procesit zgjedhor”, theksoi Nuri. Në të njëjtën kohë, ai përmendi se sot përfaqësuesja e KQZ-së ka pranuar publikisht se kishte një numër më të madh zarfash dhe materialesh zgjedhore të ardhura, të cilat nuk përputheshin me numrin e fletëve të votimit të diasporës, duke hedhur kështu dyshime për mbarëvajtjen e procesit.

Sigal