PD, 3 mijë emra për kandidatë. Zbardhen disa nga pyetjet e pyetësorit

64

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për deputet në Partinë Demokratike një ditë pas konstituimit të tij miratoi këtë të mërkurë metodologjinë e punës. Organi vlerësues për ekipin e ri të PD-së do duhet të kalojë në filtrimin e tij mbi 3 mijë propozime të mbërritura nga baza. E mërkura shënon fazën e parë të punës pasi anëtarët e komisionit nisin nga sot shqyrtimin e raporteve të mbërritura në selinë blu nga grupet e punës ku janë renditur të dhëna të përgjithshme mbi kandidatët, si arsimimi, puna aktuale edhe ajo e mëparshme si edhe të dhëna mbi angazhim politik të deritanishëm.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe nga kandidatët e vetëpropozuar të cilët krahas këtyre të dhënave kanë dorëzuar tek grupi punës edhe firmat mbështetëse. Kandidatët të cilët kalojnë fazën e parë do duhet të plotësojnë një tjetër formular këtë herë më të detajuar, i ngjashëm me atë të dekriminalizimit, pasi kërkohen të dhëna nëse kanë dënime të formës së prerë si brenda dhe jashtë vendit apo nëse janë përdorues të lëndëve narkotike.

Pyetësori parashikon edhe të dhëna të pazakonta pasi kandidatëve u kërkohet të listojnë 3 kolege apo shokë dhomë në universitet, të cilat kanë dijeni për jetën e tyre private. A jeni konsultuar ndonjëherë me psikolog për shëndetin tuaj mendor dhe emocional apo jeni trajtuar në spital për probleme të tilla? A keni konsumuar alkool në punë deri në atë masë sa t’iu ketë sjellë probleme si në jetën private ashtu dhe atë profesionale dhe a mendoni se mund ta konsumoni edhe në të ardhmen? Janë dy nga pyetjet e radhës që duhet ti përgjigjen personat, të cilët aspirojnë të bëhen deputet në siglën e PD. Informacioni mbi pasurinë nëse është vënë në mënyrë të jashtëligjshme apo mbi familjarët e afërt janë të tjera të dhëna të kërkuara në formularin e vetëdeklarimit mbi figurën dhe integritetin e kandidatëve. Deklarimi i rremë apo refuzimi i plotësimit të disa prej pyetjeve parashikon skualifikim të kandidateve nga procesi