Patozi: PS të të mos zvarrisë integrimin. Ruçi: Lironi Fierin!

446
Sigal

Kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së e PS-së akuzuan njeri-tjetrin  në Kuvend

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Astrit Patozi, ftoi të mërkurën në Kuvend opozitën që të votojë ligjet me shumicë të cilësuar, për të mos zvarritur reformat e integrimit. Duke fajësuar opozitën që refuzon të votojë tre ligjet, të vendosura si kushte nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat, Patozi tha se me “sa duket kjo është përgjigja e Edi Ramës për Brukselin dhe qytetarët shqiptarë, që presin me shpresë që PS t’i largohet një ditë filozofisë së bojkotit”.  Sipas tij, zgjidhja e situatës në qarkun e Fierit nuk është shkaku, por preteksti i radhës nga opozita.

Ruçi: Zbatoni vendimet e gjykatës për Fierin!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi të mërkurën në Kuvend se ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar janë miratuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca pa marrë mendimin e opozitës në komisionin e ligjeve . “Ne po i largohemi përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Brukseli. Mesa duket nuk e keni kuptuar se çfarë kërkon Brukseli nga ne dhe si plotësohen këto kërkesa. Këto p/ligje duhet të ishin zgjidhur që në komision dhe jo të kalonin në mënyrë të njëanshme, pa ne. Nëse kërkoni të miratohet ligji “Për Gjykatën e Lartë” uluni në komision dhe përmirësojeni ligjin. Ju e keni kaluar në mënyrë të njëanshme”, deklaroi Ruçi, në Parlament, në reagim të deklaratës së homologut demokrat, Astrit Patozi.