Pas Ramës, zyrtari i lartë amerikan takon Metën në Kryesi

435
Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee, ndodhet në vendin tonë prej mbrëmjes së djeshme në një përpjekje të fundit për ti dhënë një zgjidhje krizës politike.

Axhenda e takimeve të zyrtarit të lartë amerikan nisi me një takim në Kryeministri me shefin e qeverisë Edi Rama. Takimi që zgjati më shumë se një orë nisi në orën 10:30 dhe përfundoi në 11:48.

Në orën 11:52 minuta, Hoyt Brian Yee mbërriti në Kryesinë e Kuvendit ku po zhvillon takimin me kryeparlamentarin Ilir Meta.

Pas Metës ai do të takojë kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë blu, i cili do të shoqërohet dhe nga aleatët e tij opozitarë. Takimi do të nisë në 14:45.

Ndërkohë në orën 17 të pasdites, zyrtari i lartë amerikan ka parashikuar dhe një takim me deputetët demokratë që kanë shfaqur zërin e tyre kritik brenda Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli.

Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend.

Apeli para vizitës
Para mbërritjes në Tiranë, Zëvendës/ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee bëri apelin e tij kundër çdo lloj bojkoti.
“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët nuk mund të heqin përgjegjësinë që kanë duke bojkotuar parlamentin” -tha zyrtari i lartë amerikan ndërsa kujtoi këshillën e ish-presidentit amerikan Rusvelt “se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”.

Gjatë fjalës së tij në forumin rajonal për siguri “2BS” në Budva të Malit të Zi, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit dhe udhëheqësit e rajonit duhet të gjejnë kurajën politike, për të bërë reformat e nevojshme në interes të qytetarëve.

Vizitën e Hoyt Yee në Tiranë e komentoi edhe kreu i LSI, Petrit Vasili, i cili tha se ky është një shans për kompromisin që mundëson vazhdimin e integrimit europian dhe zgjedhje të lira e të ndershme, një shans për qetësinë që duam e aspirojmë të gjithë.
Sigal