Pas dorëheqjes, ja postet e reja që Basha u ka rezervuar ministrave teknikë

525
Mes polemikave dhe premisave shtatë ministrat demokratë dhanë dorëheqjen në një mënyrë po aq “të bujshme” sa ajo që morën dhe postin e përkohshëm. Pas dorëzimit të raportit që justifikoi qëndrimin e tyre në ministritë përkatëse, tashmë e ardhmja e tyre duket të jetë shkruar, njofton “Shekulli”. E ndërsa dy prej tyre kanë premtuar te jenë jashtë vëmendjes mediatike, pesë të tjerëve iu është premtuar një vend në selinë blu dhe pse ende asgjë nuk është e qartë.
Postet
Pas mbarimit të misionit me (pa)sukses 7 ministrat teknikë të Partisë Demokratike do të kenë rol të rëndësishëm në Partinë Demokratike. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se kreu demokrat Lulzim Basha ka planifikuar një pjesë të tyre t’i besojë pozicione të rëndësishme në parti.
Ish-zv.kryeministrja Ledina Mandija, e cila do të mbahet mend për qëndrimin e saj të rreptë për gjatë tre muajve si numri dy i qeverisë do të jetë pjesë e ekipit të ri të Bashës me riformatimin e partisë që pritet të ndodhë pas analizës që do të bëhet për zgjedhjet. Mandijës do t’i besohet departamenti i Drejtësisë.
Ish-ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi do të rikthehet në pozicionin që ka pasur si ekspert juridik i Partisë Demokratike të Shqipërisë për reformën në drejtësi. Ai ka qenë një nga hartuesit kryesorë të draftit që Partia Demokratike ka dorëzua në komisionet përkatëse. Po ashtu ai mendohet se do të vijojë të jetë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kreut demokrat Lulzim Basha për çështjet ligjore.
Ish-ministër i Shëndetësisë, Arben Beqiri, Basha do të rikthehet si pedagog i Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Arben Beqiri ka qenë pionier i teknikave të reja kirurgjikale kryesisht në fushën e kirurgjisë endoskopike dhe laparoskopike, duke aplikuar për herë të parë në vendin tonë disa prej tyre. Por burime brenda PD-së bëjnë të ditur se Beqirit mund ti besohet dhe departamenti i Shëndetësisë në vend të Tritan Shehut, i cili mendohet se do të marrë post të lartë në ekipin e ri të Bashës.
Ndërsa ish-ministrja Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina do të vijojë jetën e saj akademike në Fakultetin e Shkencave të Sociale si pedagoge në këtë fakultet. Po ashtu mendohet se Karabina do të jetë eksperte në PD për hartimin e programit të Arsimit.
Ish-ministrja i Mirëqenies Sociale Xhuljeta Kërtusha e njohur si aktiviste në shoqërinë civile në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave, mendohet ti besohet Departamenti për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, i cili deri më tani është drejtuar nga Ervin Salianji.
Ish-ministrja Helga Vukaj, dhe ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj nuk do të punësohen në Partinë Demokratike.
Ndërsa për Demirajn flitet se mund të rikthehet në pozicionin e kolonelin në ushtri, më saktë në vendin ku u lirua nga detyra nga ana e ish-Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për Vukajn nuk bëhet e ditur se ç’post do të ketë.
Ministrat teknikë u vendosen në rolin e “gardianëve” nga PD për të kontrolluar dhe monitoruar ato institucione gjatë zgjedhjeve të 25 qershori. Sipas marrëveshjes Rama-Basha, 7 ministrat e PD-së në fund të procesit zgjedhor do të përpilonin dhe një raport për klimën që u shoqërua procesi zgjedhor.
Raporti u publikua dy ditë më parë dhe ajo që u vë re ishte shitblerja masive e votës dhe përfshirja e zyrtarëve të institucioneve shtetërore si te ato qendrore dhe tek ato lokale në zgjedhje. Po ashtu në raport thuhet se burime të paligjshme parash të ardhura nga grupe kriminale si dhe punonjës të Policisë së Shtetit mbështetën qeverinë në bashkëpunim me elementë kriminalë u përdorën në fushatë.
Sigal