Partia e Lirisë/ Protesta do jetë e qytetarëve dhe kundër varfërisë, krizës në arsim, shpopullimit dhe qeverisjes së lidhur me mafjen

140
Sigal

Arsimi në krizë, shpopullimi, protesta, betonizimi janë pasqyra e vërtetë e qeverisë

Ilir Meta: Fëmijët të braktisur në fillim të vitit shkollor

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat, ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor. Meta tha se sot arsimi është në një situatë mjaft të vështirë, për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës. Ai tha se sot me qindra fëmijë dhe të rinj rrezikojnë të arsimohen për shkak të shtrenjtimit të arsimimit. “Zhvillimin e sjell vetëm një arsim cilësor, me mësues të motivuar. Vetëm arsimi prioritet kombëtar sjell zhvillim. Përfitoj nga rasti për të uruar mësuesit dhe nxënësit për një vit të ri sa më produktiv. Brezi i ri është shpresa jonë më e madhe. Vendi ynë ka nevojë për politika kombëtare për arsim. Arsim cilësor pa buxhetim nuk mund të ketë. Buxheti për arsim në qeverisjen aktuale është më i ulëti, ka sjellë braktisjen e shkollës, analfabetizmi funksional, braktisja e shkollave. Nëse arsimi do të ishte një rrugë e sigurt drejt tregut të punës, epidemia e shpopullimit masiv nuk do të kishte patur vend në Shqipëri”, deklaroi Meta.

 “Protesta do jetë e qytetarëve”

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat i pyetur për pjesëmarrjen e krahut të djathtë të opozitës në protestën e paralajmëruar në inceneratorin e Tiranës më 13 shtator, u përgjigj se kjo do të jetë një protestë e qytetarëve dhe nuk do të ketë asnjë flamur partie. Meta tha ndër të tjera se “për të qenë opozitar ka vetëm 1 kriter, që është të qenit kundër Edi Ramës atje ku i dhemb më shumë, që është hajdutëria e tij e paskrupullt. Atje ku padrejtësia kthehet në ligj, rezistenca është detyrë për të gjithë. Në Shqipëri korrupsioni dhe mafia kanë vendosur sistemin e tyre, afera e inceneratorëve është afera më skandaloze e kapjes së shtetit për fyti, e shkatërrimit të interesit publik dhe vjedhjes së qindra miliona eurove nga persona që janë në kërkim ndërkombëtar.”- u shpreh Meta.

 

Mestitull: Kreu i Partisë së Lirisë tregon si po shfaroset parku i Liqenit Artificial: Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk ka ndaluar as sot në demaskimin e pushtetit për shkatërrimin që i ka bërë, parkut të liqenit artificial ndër vite. Në dy foto krahasuese nga ajri të zonës midis Universitetit Politeknik dhe hotel Sheraton, Meta shkruan: “Rilindja në pushtet do të thotë shkatërrim i gjelbërimit, i shtetit, ligjshmërisë dhe i shpresës. Fotot janë demaskimi asgjësues se ç’ndodh kur sekti i Rilindjes uzurpon 100 për qind të pushteteve” -nënvizon Meta dhe e mbyll me një thënie të shkrimtarit të njohur Bertolt Brecht: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë.” Kujtojmë se në 13 shtator, Partia e Lirisë ka thirrur një protestë qytetarë përpara inceneratorit të Tiranës, njërës prej aferave më të mëdha korruptive të qeverisë Rama.