Paratë e hallexhinjve gllabërohen në sportelet e Beqajt

421
Pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë dhe kreu i saj çirren çdo ditë për “lehtësira dhe shërbime falas, kujdes shëndetsor maksimal nga stafet e tona në rrethe”, mjafton që të ndalesh në Elbasan, në Korçë, në Shkodër apo në Vlorë dhe të bindesh se korrupsioni bëhet “falas” nga ora 08.30 deri 16.00 kur mbyllen zyrat e institucioneve shëndetësore. Qytetarët dhe kryesisht pensionistët, por dhe hallexhinjtë, të papunët dhe ushtria e cila mban frymën gjallë me një ndihmë ekonomike, indinjohen dhe shprehen se “na shqyen xhepat, nuk ka shërbim qoftë edhe një rekomandim, apo vërtetim, vulë apo firmë që nuk jepet me para nën dorë”. Korrupsioni ka mbërthyer pothuajse të gjitha sportelet e ambulancave dhe institucioneve të Shëndetit Publik, atje ku qytetarët trokasin pothuajse çdo ditë. Dikush kërkon një rekomandim për tek specialisti, dikush kërkon një vërtetim apo firmosë një dokument, ndërkohë që përgjigjet nga zyrtarët e shtetit janë harbute, të paedukata, dhe stresuese për hallexhinjtë që mbushin korridoret e institucioneve ku Ministri Beqja pretendon se “ka përmirësime, ka shëndetsi falas dhe brënda parametrave europianë”.

 Tek shikon muret e gërvishura dhe shkallët e krisura të institucioneve, bindesh se investimet janë larg premtimeve që u bënë në fushatën elektorale. Tek dëgjon se si militantet e punësuara u përgjigjen pensionistëve, të papunëve dhe atyre që kanë nevojë urgjente për shërbimin shëndetsor, bindesh se etika dhe gjithçka tjetër janë larg atyre që pretendon Beqja i Shëndetësisë. Asgjë nuk bëhet pa dhënë para, as firma dhe vula nuk jepen pa dhënë para, as skaneri dhe as analizat e urinës nuk bëhen po qe se nuk jep para, pavarsisht se ke një kartë shëndeti, dhe paguan sigurimet shëndetsore. Ky realitet i dhimbshëm dhe kaq i shëmtuar ka mbuluar pothuajse të gjitha zyrat dhe sportelet e institucioneve të shërbimit shëndetësor në të gjitha qytetet e vendit. Një grup qytetarësh elbasans, pensionistë dhe të papunë, i deklaruan “Telegraf” se “nuk ka muaj që nuk zhvatemi nga lekët, nuk ka zyrë ku ne kërkojmë shërbimin e duhur dhe që na takon me ligj sepse jemi me karta shëndeti, që të mos japim 10 mijë lekëshin, dhe provoje të mos e japësh, nuk të qasin tek pragu zyrës, të thonë ‘eja nesër, ik nuk kemi kohë, ik merr edhe këtë apo atë document’ dhe na zë dreka duke u sorrollatur zyrave dhe korridoreve, një korrupsion i paparë, kurse ata që i drejtojnë do ti takosh rastësisht nga paradreka vetëm për pak minuta, sepse pastaj shkojnë dhe drekojnë në lokalet e shtrenjta, mjerë ne”. 
Kërkesat e qytetarëve për kreun e Shëndetësisë
Qytetarët kërkojnë nga kreu i Ministrisë Shëndetsisë të marrë masa urgjente dhe të largojë të korruptuarit dhe të paaftët dhe jo sanitaret nga shërbimi shëndetësor, të kontrollojë dhe penalizojë ata që çdo ditë po u rrjepin paratë hallexhinjve me shpikje të tilla si “fatura kushton 10 mijë lekë, vërtetimi kushton sa të duash, firma dhe vula kushtojnë 5 mijë lekë”, duke i kthyer zyrat e shtetit në vatra biznesi privat. Qytetarët kërkojnë nga zoti Beqja “t’u japë fund skenave teatrale në ekranet e televizioneve, duke u mburrur për arritje dhe suksese dhe të zbresë në institucionet e shërbimit shëndetsor dhe shëndetit publik në qytetin e tyre, dhe të njihet me realitetin e turpshëm, kur dihet se vetëm në organin e akuzës janë në ndjekje penale qysh nga viti 2015 mbi gjysma e mjekëve dhe zyrtarëve të denoncuar dhe të faktuar për fallcifikime, korruopsion dhe shkelje ligjore”. 

Qytetarët e Elbasanit i thonë zotit Beqja se “asnjë prej tyre nga mosha 40 deri 60 vjeç, nuk ka arritur të bëjë falas Checkup-in apo kontrollin mjeksor falas, pasi në çdo rast se kanë kërkuar ta bëjnë një gjë të tillë janë ndeshur me batutat ironike të shefave dhe mjekëve të korruptuar, duke paguar para për çdo vizitë apo analizë të thjeshtë”. Sipas një qytetari elbasanas i quajtur Benemin Hysa “çdo muaj jam i detyruar të jap nga pensioni afro 30 mijë lekë, dhe kjo për një rekomandim, një recetë ndryshe nga ajo që jep mjeku pasi i lutem të më shkruajë emrat e ilaçeve të mira dhe jo ato të skaduara, dhe për shërbime të tjera, kur unë jam i siguruar, por luftë me shtetin e korruptuar nuk bëhet, ndaj mirë të na bëhet, por të paktën zoti Beqja t’i pranojë të vërtetat që lidhen me kanibalët e mjekësisë dhe jo të mashtrojë sa herë që del në ekrane”.   Alma JONUZI
Sigal