“Parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk funksion, drejtësia është e vonuar”

716
Sigal

INTERVISTA/Vasilika Hysa: “Me agresivitetin ndaj opozitës  në Parlament, leksioni  është: “Hesht se dhunë ka edhe në Parlament”

Është bërë e rëndomtë që axhenda politike e përditshme në Shqipëri të mbarset me ngërçe e tensione politike, shumë herë në rrafshin abstrakt, pa kurrfarë interesimi të drejtpërdrejtë për shumicën dhe anashkalohen, shpërfillen, injorohen problemet e të përditshmes, hallet, shqetësimet. Pak, ose aspak bëhet fjalë për papunësinë, që mijëra shqiptarëve t’u jepet një shpresë për të nesërmen. Askush nuk bën fjalë për rritjen e përditshme të çmimeve, që rrënon familjet, deri në luftën për të mbijetuar. Drama e urisë po troket në familjet shqiptare, sa janë bërë rutinë ditore  vetëvrasjet  për shkak të varfërisë, por askush nuk shqetësohet. Ndodhën dy ngjarje që tronditën gjithë shoqërinë. Therja e 18- vjeçares, Aishe dhe politika as që e përmendi si një tragjedi shoqërore.  Nazmia, që guxoi dhe vrau dhunuesin e saj, ndodhet në burg, pa guxuar kush që të kërkojë përgjegjësitë te heshtja dhe indiferentizmi shoqëror. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi në intervistën për “Telegraf”, pohon, midis të tjerave se: “Parandalimi i  dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk funksion, drejtësia është e vonuar”.

-Zonja Hysi, çfarë vlere ka ratifikimi i Konventës së Këshillit të Europës për parandalimin  e dhunës ndaj grave?

– Konventa e Këshillit të Europës “Për  parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” është një vlerë e shtuar në paketën e ligjeve dhe strategjive të miratuara në mbrojtje të grave dhe parandalimit të dhunës në familje. Besoj se miratimi i tij nuk është një përmbushje e detyrimit i Parlamentit dhe qeverisë për të pranuar disa standarde në mbrojtje të grave dhe vajzave. Me këtë veprim, ne vetëm kemi vënë një tullë në morinë e atyre që na duhet për të ngritur murin e lartë që do të ndalë dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe dhunën në familje e në shoqëri.

– Duke patur parasysh, disa ngjarje mjaft tragjike që kanë ndodhur në Shqipëri, shëmbëlltyra e Aishes dhe Nazmies, kanë shërbyer si shkak për të ratifikuar këtë Konventë?

– Aishja, Nazimja do të kishin të njëjtin fat edhe sikur kjo konventë të ishte miratuar kohë më parë se ato të dhunoheshin dhe që sot, pavarësisht statusit të tyre, të dyja janë viktimë e dhunës në shoqëri. Qindra gra dhe vajza shqiptare kudo ku ato jetojnë do të vazhdojnë të dhunohen edhe pas ratifikimit të kësaj konvente, nëse vazhdojmë të mendojmë se Parlamenti ka bërë detyrën e tij: Pra, ka miratuar ligje, ndërsa qeveria ka miratuar strategji dhe i ka monitoruar ato, pavarësisht nivelit dhe cilësisë së zbatimit të tyre.

– Çfarë e pengon vajzën dhe gruan shqiptare, që të ndihet e mbrojtur sot në shoqërinë tonë?

– Qeverinë shqiptare nuk e ka penguar mungesa e ratifikimit të kësaj Konvente për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna. Shoqëria jonë nuk vuan mungesën e ligjeve dhe të konventave, por lëngon sa herë që bëhet fjalë për kuptimin dhe zbatimin e tyre. Ndaj jam skeptike nëse të drejtat e grave dhe dhuna në familje dhe ndaj gruas do të parandalohen nëse vazhdojmë të pozojmë mes aktesh ligjore dhe konventa të miratuara, ndërkohë që, zbatohen pjesërisht, të tjera harrohen ose keqinterpretohen. Por, kam edhe një sërë arsyesh të tjera që më trishtojmë dhe nëse nuk ndryshojmë, dhuna ndaj grave dhe familje do të vazhdojë të jetë shqetësuese.

– Cilat janë këto arsye, që ju mendoni se dhuna ndaj grave dhe në familje do të vazhdojë?

– Së pari,  ne miratojmë ligje, ratifikojmë konventa, ushtrojmë kontroll parlamentar, por ky Parlament është arenë e dhunës verbale, gjinore ndaj deputeteve të opozitës, kryetarit të saj e familjarëve të tij kundër nënave grave dhe fëmijëve tanë,  në mënyrë publike, në sytë e miliona shikuese të pafajshëm, para syve edhe të grave të dhunuara dhe të dhunueseve të tyre. Me këtë sjellje e agresivitet ndaj pakicës dhe të drejtave të pakicës në Parlament, leksioni për publikun është ‘hesht se dhunë ka edhe në Parlament’. Krijimi i një fryme mbytëse ndaj kulturës së dhunës, ndaj grave dhe vajzave në familje, shkollë, komunitet dhe këtu në Parlament, është po aq e nevojshme sa ratifikimi i kësaj konvente. Së dyti, si mund të parandalohet dhuna në shoqëri dhe ndaj grave, nëse ne nuk  ushtrojmë kontroll parlamentar ndaj qeverisë dhe ministrive të saj, nëse qeverisja vazhdon të jetë jo transparente në menaxhimin e të mirave publike, të shpërndarjes dhe të rishpërndarjes së të ardhurave. A mundet publiku të mësojë sesa për qind e parave përdoren në mbështetje të grave dhe vajzave nevojë dhe viktimave të dhunës në familje. Së treti, kjo qeveri dhe maxhoranca e saj, ka sjellë në Kuvend dhe ka miratuar shitje të pasurive publike me një euro për m² për qendra industriale, por jo për strehëza, shtëpi ose qendra sociale për gratë dhe vajzat e dhunuara. Sikur të mos mjaftojnë këto abuzime dhe neglizhenca në mbështetje të nevojave të grave dhe vajzave, burimet financiare për përmbushjen e masave për parandalimin e dhunës në familje, ndaj grave dhe fëmijëve janë me pikatore. ‘Stop dhunës në familje’ nuk do të thotë që sa herë të vritet një grua apo vajzë, të garojmë në sheshe dhe të ftojmë me urdhër mësues, gra dhe vajza të marshojnë kundër dhunës ndaj tyre. Së katërti, Konventa rekomandon që shtetet  të ofrojmë më shumë  humanizëm dhe respekt për vajzat, gratë dhe nënat tona, të marrin masat për të parandaluar dhunën dhe diskriminimin. Por, me aktin normativ që u miratua pak ditë më parë me votat  vetëm të maxhorancës, shumë bashkive dhe komunave, që kanë për detyrë të sigurojnë shërbime për të gjitha vajzat dhe gratë e dhunuara, nuk iu transferuan fondet, pasi qeveria i kishte borxhe kompanisë private të energjisë dhe sot shumë prej tyre nuk kanë fonde për të mbajtur hapur dyert e tyre dhe ku të paktën  viktimat e dhunës në familje të gjejnë një derë për të trokitur, jo më për t’u mbështetur dhe rehabilituar. Së pesti, gra dhe vajza kryefamiljare pushohen nga puna, dhunohen në vendin punës, fizikisht, psikologjikisht, seksualisht dhe flaken në rrugë. A janë dëmshpërblyer dhe rehabilituar ato?  Unë them se jo. Shumë prej tyre janë në rrugë ose enden dyerve të gjykatave për të fituar të drejtët e tyre dhe për të kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet. Edhe kur gjykata, ndonëse me vonesë jep drejtësi, zëri i saj dhe viktimave nuk dëgjohet, madje edhe kur dëgjohet injorohet. Ky është modeli i drejtësisë dhe shtetit social që kjo qeveri ka ushqyer. Së gjashti, parandalimi i  dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk funksion, drejtësia është e vonuar ose e mohuar për shumë prej tyre. Në këtë udhëkryq, qeveria ka nxitur të shtojë vështirësitë për të mbështetur, kompensuar dhe rehabilituar viktimat e dhunës në familje dhe të grave.

– Keni mendimin se ndihmesa juridike falas zbatohet për ata që kanë nevojë?

– Prej dy vitesh kemi një ligj për mbrojtje juridike falas, por shumica e grave në nevojë, nuk mund të përfitojmë prej tij, pasi pak e njohim, shumë  prej tyre mund të paguajnë burokracinë dhe sasinë e dokumenteve që kërkohen, se deri më sot dihet se kush janë avokatët e caktuar dhe profesionalizimi i tyre. Sikur kjo të mos mjaftojë Ministria e Drejtësisë, në rastet kur viktima kërkon të dëmshpërblehet, i duhet të paguajë sigurimin e padisë në masën 1 ose 3%  varësi të shumës që kërkon. Gjykata mund të lëshojë urdhër -mbrojtjeje për viktimën, por dhuna e vret viktimën se askush nuk e kontrollon; miratuam ligjin për mbikëqyrjen elektronike dhe deri më sot nuk dimë se kur ky ligj, që ka hyrë në fuqi në muajin prill, do të funksionojë. Për këtë shqetësime dhe shumë të tjera që unë po e theksoj, që Komisionieri Europian për të drejtat e njeriut i ka adresuar më 15 tetor, dhe dëshmitë e viktimave, familjarëve të tyre dhe atyre që i mbrojnë, unë besoj se shoqëria shqiptare ka nevojë për një Rilindje, ku jeta dhe dinjiteti kanë vlerë, ku shtetit dhe qeveria të jetë sociale, ku burrat dhe gratë të jenë barabartë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre, drejtësia të funksionojë.

– Faleminderit!

ARSYET PSE DHUNA NDAJ GRAVE DO TË VAZHDOJË

1. Ky Parlament është arenë e dhunës verbale, gjinore ndaj deputeteve të opozitës, në mënyrë publike, në sytë e miliona shikuese të pafajshëm, para syve edhe të grave të dhunuara dhe të dhunueseve të tyre

2. Si mund të parandalohet dhuna në shoqëri dhe ndaj grave, nëse qeverisja vazhdon të jetë jo transparente në menaxhimin e të mirave publike, të shpërndarjes dhe të rishpërndarjes së të ardhurave.

3. Kjo qeveri ka sjellë në Kuvend dhe ka miratuar shitje të pasurive publike me një euro për m² për qendra industriale, por jo për strehëza, shtëpi ose qendra sociale për gratë dhe vajzat e dhunuara.

4. Parandalimi i  dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk funksion, drejtësia është e vonuar ose e mohuar për shumë prej tyre