Paketa anti-krizë e qeverisë, Berisha: Thërrime për qytetarët! Shikoni Kosovën, i jep 100 euro çdo pensionisti

137
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi tallje me shqiptarët, paketën e ndihmës ekonomike që qeveria shqiptare miratoi për t’ia ardhur në ndihmë qytetarëve për rritjen e çmimeve.

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend Berisha tha se 15 milionë eurot e vëna në dispozicion për këtë paketë janë një shifër tepër qesharake. Si referencë Berisha mori paketën anti-krizë në Kosovë, e cila ka një GDP më të vogël se Shqipëria, por që ka vendosur në dispozicion të pesionistëve, studentëve dhe punëtorëve të ndërrmarrjeve shtetërore një ndihmë prej 100 euro.

Rritjen e çmimit të energjisë për fashën që konsumon më shumë se 800 kw në muaj Berisha e cilësoi një goditje të rëndë për shtresën e mesme, të cilëve do të duhet të paguajnë 4-fish çmimin e energjisë elektrike.

“Shqiptarët kaluan një peridhë shumë të vështirë me dy tre fishim të produkteve bazë ushqimore me naftën në stratosferë, me kapacitete turistike bosh, përveç hotelit të ndonjë deputeti.

Si në asnjë vend tjetër nafta ulet në bursë dhe këtu rritet nga bordet komuniste. Vjedhje të tmerrshme që bëni me rrugët duke ndërtuar me çmim 8 herë më të lartë se në Bashkimin Evropian.

Kjo paketë nuk është gjë hiç kjo është thërrime. Mblidheni këtu dhe në vend që ta përmbysni këtë akt që i jep 3 milionë shqiptarëve 15 milionë euro. Tallje dhe vetëm tallje. Kosova që është me një GDP më të ulët se ne përcaktoi 100 euro për çdo pensionistë, student dhe punonjës të ndërrmarrjeve publike. Përcaktoi jo 10 por 100% të rritjes së ndihmës ekonomike. Ju i dhatë një goditje fatale shtresës së mesme me rritjen e çmimit të energjisë. Dilni e blini me çmime dyfish dhe trefish në bursë.

Tani po sillni gjigandët e ndotjes, djegësat nga Bangladeshi, mashtroni shqiptarët se punojnë me gaz, asnjë prej tyre nuk punon me gaz punojnë me masut, dhe prodhojnë tonelata squfur. Helmojnë Vlorën dhe dikush mbush xhepat me këtë vjedhje”, tha Berisha