Pakënaqësi të deputetëve socialistë ndaj ministrave

474
Sigal

Në shtator kryeministri Rama pritet të ndërmarrë “fshesë”, që dështimet e qeverisë, si gjithnjë t’ua shkarkojë vartësve

Votimet në 30 qershor, numri shumë i pakët i votuesve, madje edhe mijëra  fletëvotimet e parregullta, dëftuan drejtpërdrejt një pakënaqësi shumë të madhe edhe të elektoratit socialist ndaj kupolës qeverisëse. Ministrat, tashmë hapur nuk përfillin as elektoratin socialist, por as vetë deputetët, sepse e vetmja gjë që u duhet, është që ta kenë mirë, t’i bëjnë sa më shumë lajka kryeministrit (jo më kot Elisa e quajti “Skënderbe” dhe u shpërblye me postin e ministres), të dëftojnë devotshmëri madje edhe verbale ndaj çdo urdhri që jep kryeministri, ndërkohë që kanë huazuar edhe ata arrogancën ndaj socialistëve votuesë, ndaj deputetëve rilindas.

Konflikti deputetë – ministra

PS-ja, sidomos pas Asamblesë Kombëtare, tashmë vetëm emrin ka, sepse edhe ngjyrat i janë ndryshuar në Rilindje, ndërkohë, që është përfshirë në një konflikt të brendshëm që sa vjen dhe thellohet. Lufta mes llojit, tregon krizën që ka përfshirë PS-në, pavarësisht se në publik, mundohen të manipulojnë situatën. Burime zyrtare brenda PS, thonë se ka një lloj pakënaqësie të madhe, gjë që është përshkallëzuar me përplasje midis grupit parlamentar dhe ministrave të Partisë Socialiste. Përplasja ka shkuar deri në atë pikë, saqë një pjesë e madhe deputetëve nuk  përfillen nga ministrat. Megjithëse, grupi parlamentar përpiqet të mbahet dhe të menaxhohet nga Taulant Balla, deputetët kanë ngelur si ushtarë me rrogë në karantinë. Nga ana tjetër, ministrat kanë një shkëputje të madhe me grupin parlamentar, një shkëputje që shkon deri në injorim. Sipas burimeve zyrtare si pasojë një përplasjeje të ashpër që ka nisur, edhe kur shkëmbehen në koridoret e Parlamentit, shumë deputetë dhe ministrat, nuk flasin dhe nuk e përfillin njëri tjetrin. Situata është e tillë, saqë është kthyer thuajse në një konflikt marrëdhënia mes shumë deputetëve dhe një pjese të kabinetit qeveritar. Përtej kësaj qëndron dhe një pakënaqësi e madhe në strukturat e socialistëve. Edhe në zgjedhjet e 30 Qershorit, pavarësisht faktit, se janë përllogaritur 770 mijë vota , që sipas PS janë 25 përqind e qytetarëve, çështja është se në këtë shifër numërohet edhe një pjesë e madhe e administratës, të cilët janë detyruar që të shkojnë të votojnë. Po të llogaritësh këtë pjesëmarrje në votim dhe të heqësh votat e pavlefshme dhe votat e detyruara, del që socialistët nuk është se kanë dalë të gjithë në votime, apo kanë qenë të predispozuar për të votuar  Ramën dhe ministrat e tij. Ç’ka tregon, se pavarësisht çfarë foli Kryeministri në mbledhjen e Asamblesë për deputetë, të cilët  shkuan javët e fundit në fushata, PS, është përfshirë në një luftë të brendshme. “Dua ta them që sot nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, deputetë që marrin njerëzit në krah për t’iu zgjidhur një hall, deputetë që rrinë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit, dhe nga ana tjetër deputetë që edhe në fushatën e 30 qershorit kane shkuar tek njerëzit vetëm javën e fundit. Nuk mund të ketë më anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së, që pavarësisht se mund të jenë të rregullt në mbledhje, nuk shfaqen tek njerëzit″, ka thënë Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së me datë 23 korrik 2019. Pra, ka pasur dhe ka vërtet një konflikt të brendshëm brenda PS dhe kjo është e konfirmuar zyrtarisht edhe nga Kryeministri. Ai vetë ka thënë që shumë deputetë nuk kanë shkuar në zonat ku janë zgjedhur, ç’ka do të thotë se ka një problem të madh, pse deputetët nuk kanë shkuar në fushatë, apo në disa raste kanë bërë sikur kanë bërë fushatë, duke braktisur Ramën dhe ministrat e tij. Pra, PS, është në krizë të thellë, gjë e konfirmuar edhe nga Kryeministri, por përtej kësaj pritet reagimi dhe lëvizjet e kryeministrit Rama në shtator