Paaftësia në qeverisje dhe nepotizmi përçajnë PS-në

1913
Sigal

Kryetari i PS-së kundër Prefektit. Parullë në mes të qytetit “Bajram Curri”: “Fiton PS, qeveris PD!”

Telefonata të panumërta dje në redaksi për problemet e PD-së, Tropojë. Shqetësimi ishte real. Shumë herë përplasjet mes krerëve të politikës ndikojnë edhe në problemet sociale të simpatizantëve dhe në problemet e tjera të pushtetit vendor. Por, pas PD-së edhe dega e PS-së në Tropojë ka të njëjtat probleme, në mos më thellë. Dje në takimin e organizuar në Tropojë me drejtuesit  e institucioneve shtetërore, Prefekti i Kukësit z. Ram Hoxha (i PS), ndeshi përpara një të papriture të madhe.  Ai së bashku me nënprefektin për Tropojën z. Mustaf Tahiraj, kishin thirrur mbledhjen e radhës, për problemet e Prefekturës dhe masat që duhet të merren për të ardhmen. Por, si për çudi, asnjë nga drejtuesit e institucioneve dhe të ndërmarrjeve të Tropojës nuk u paraqit në mbledhje. I vetmi që ishte në këtë takim në orën e duhur ishte Shefi i Komisariatit të Tropojës Naim Osmani, i cili, si për çudi është i vetmi Shef Komisariati i qeverisë “Berisha” që qëndron në detyrë. Të tre këta persona prisnin, por më kot. Sipas burimeve të brendshme nga Prefektura dhe dega e PS-së, Tropojë, për orë të tëra tre drejtuesit e institucioneve të ndryshme, prisnin duke parë njëri -tjetrin të habitur. Por më kot. Bojkoti, për mosardhjen në këtë takim ishte i planifikuar dhe i paramenduar.

Përse nuk erdhën drejtuesit e institucioneve dhe ndërmarrjeve në takim?

Problemet janë të thella dhe të akumuluara. Sipas burime kofidenciale, pranë këtyre institucioneve, sabotuesi i këtij takimi, ka qenë Drejtori i Sigurimeve Shoqërore të Tropojës, njëkohësisht Kryetar i PS dega Tropojë, z. Mujo Gosturani. Arsyet për këtë sabotim janë të shumta, por kryesore është se marrëdhëniet mes Prefektit të Kukësit z. Ram Hoxha dhe Mujo Gosturani, kanë muaj të tëra që qëndrojnë pezull. Këto përplasje dhe kontradikta, fillojnë që në hartimin e kandidaturave për deputet ku si Hoxha dhe Gosturani kërkonin secili të kandidonte. Sipas burimeve pranë PS-së, Tropojë, në atë kohë kryetari Edi Rama, mbështeti kandidaturën e Ram Hoxhës, i cili nuk mundi të fitonte. Pas zgjedhjeve duke pasur parasysh  kontributin e tij në fushatën e zgjedhjeve parlamentare 2013, PS e zgjodhi Prefekt të Kukësit, ndrysa Kryetarin e PS, Mujo Gosturani e zgjodhi Drejtor të Sigurimeve Shoqërore të Tropojës. Kjo ishte krisja e parë midis Ram Hoxhës dhe Mujo Gosturanit. Por ishte e çuditshme, pasi Mujo Gosturani me miqësinë e vet u vu kundër fushatës së Ram Hoxhës, dhe pse i përkisnin të dy një partie politike, PS. Një arsye tjetër e thellimit të inateve dhe mërive mes tyre, ishte emërimi  i z. Mustaf Tahiraj (vëllai i komisarit të vrarë, të ndjerit Adem Tahiraj), si Nënprefekt në Tropojë. Krisja për Tahirajn ndodhi pasi, disa vite më parë, pasi Mustaf Tahiraj ka qenë nënkryetar i degës së PD për Tropojën dhe Sekretar i Këshillit Bashkiak të Tropojës për PD. Ai ka qenë një krah i fortë i PD në Tropojë me të cilin Mujo Gosturani ka pasur vazhdimisht kontradikta. Një arsye tjetër e krisjes së tyre është dhe emërimi i nipit të Zëvendëskryeministrit Peleshi, Ergys Verdho, si drejtor i Hidrocentralit të Fierzës, kur këtë post e kishte kërkuar me ngulm vetë Mujo Gosturani. Por edhe vetë Prefekti Hoxha nuk ja fal Mujo Gosturanit, prerjen e lidhjeve me PS, pasi të gjitha emërimet në Tropojë i ka bërë vetë Mujo, duke e lënë me gisht në gojë Prefektin. Me këto emërime Mujo Gosturani, i ka lënë të kuptojë Prefektit se me emërimin si nënprefekt të Tropojës, Mustaf Tahirajn, një ish -eksponent i PD, nuk të takon e drejta morale të kërkosh të bësh emërime të tjera. Këto arsye bëjnë që PS tashmë ti besojë me shumë Gosturanit se sa Prefektit, Ram Hoxha.

Çudia tjetër!

Për këtë arsye një eksponent i PS, ndoshta më i forti në radhët e PS, Avni Dega, biznesmen (i cili në vitin 2011 kandidoi për Kryetar i Bashkisë Tropojë nën siglën e PS, por që humbi përballë Agron Demushi) në lokalin e tij në qendër të Bajram Currit, ka shkruar në një parullë të madhe në beze (10 metër të gjatë): Në Tropojë fiton PS, por drejton PD. Kjo për arsye se shumë ish- drejtues të degës së PD dega Tropojë (si Mustaf Tahiraj) janë emëruar në detyra të ndryshme tashmë në qeverisjen e re Rama, duke lënë jashtë njerëzit e vet. Kjo u ka bërë shumë përshtypje socialistëve tropojanë të cilët nuk pajtohen me këtë mënyrë emërimesh të pa merituara.

Zemërimi i përbashkët

Por zemërimi i përbashkët ndaj PS në Tropojë është ajo që rrekëm paksa më lart, emërimi i nipit të Peleshit, Ergys Verdha si drejtor i Hidrocentralit të Fierzës (më të madhit në vend), në një kohë që Tropoja ka kapacitete intelektuale të jashtëzakonshme për të drejtuar ndërmarrje apo Institucione të rëndësishme. Aktualisht në Tropojë, PS po emëron në punë të ndryshme ish drejtues të PD, apo simpatizantë të saj se sa njerëz që kanë kontribute në PS. Sipas tyre, Berisha kishte një të mirë të madhe, po të punoje për të të shpërblente. Rama thotë puno për mua, por mos më kërko asgjë.

Sabotuesi i takimit

Sipas të gjitha burimeve, sabotimi i takimit të djeshëm të Prefektit Hoxha me drejtues ndërmarrjesh dhe institucionesh shtetërore ishte Mujo Gosturani. Ai është dhe ideuesi i shumë emërimeve në Tropojë, dhe ndaj të gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore ja dëgjojnë fjalën. Këto krisje mes njëri- tjetrit ata i përcjellin deri në institucionet shtetërore, gjë e cila sjell uljen e përgjegjësisë në punë, shmangien nga detyrat dhe realizimin e objektivave.

Si përfundim

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se politika shqiptare në Tropojë, funksionon me lobe, me lidhje farefisnore, me interesa të ngushta dhe meskine. Aty janë lënë në hije nga të gjitha partitë politike, idealistët, njerëzit e punës dhe intelektualët e vërtetë. Politika aty po zhvillohet me luftë klanesh të pamendueshme. Brenda një fisi ekzistojnë drejtues në të dyja kahet e politikës, prej së cilës vijnë dhe emërimet nepotike, pa marrë për bazë vlerat, kontributet, por fortësinë e klaneve dhe parasë.

Tropoja, parcelë eksperimentale e politikës shqiptare

 -Përçarje e madhe dhe në PS-në e Tropojës

-Prefekti Ram Hoxha nuk mbledh dot asnjë vartës në mbledhje

-Mujo Gosturani, Kryetar i PS-së, kundër Prefektit, Ram Hoxha

-Në mes të Tropojës, një parullë ku shkruhet: “Fiton PS qeveris PD”

-Mustaf Tahiraj, nënkryetar i Degës së PD-së, sot nënprefekt i PS-së