Oerd Bylykbashi: Shqiptarët kanë nevojë për qeverisje, jo për kakarisje

197
Sigal

Industria e prodhimit të mishit të pulave dhe vezëve është sot në gjunjë nga gripi i shpendëve.Zona zgjedhore, Qarku Durrës, ku shërbej si deputet është qendra e krizës.Këtu ndodhet 60% e kësaj industrie të rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë, me 400 të punësuar që rrezikojnë vendet e punës, pra 400 familje që rrezikojnë varfëri edhe me të thellë nga papunësia dhe rroga e munguar. Por mbi të gjitha pasojat rëndojnë shumë mbi konsumatorët familjarë.754.000 krerë kanë ngordhur apo janë asgjësuar për shkak të epidemisë. Ky është një dëm me pasoja të mëdha për ekonominë e zonës, por edhe më gjerë në Shqipëri.

Por po aq, është me pasoja të rënda tek konsumatorët, për shkak të shtrenjtimit të çmimit.

NOA

Veza është produkt bazë i shqiptarëve, e sa më shumë varfërohet xhepi, aq më shumë familjet përdorin ushqimet bazë.

Kriza që ka shkaktuar epidemia e ka çuar në qiell çmimin e vezëve. Në janar e shkurt, kur epidemia nuk kishte goditur ende, një kokërr vezë me shumicë  ishte 11 lekë/kokërr ndërsa sot është 22 lekë/kokërr, pra është rritur 100%.

Me pakicë një kokërr vezë më parë kushtonte 15-17 lekë, ndërsa sot kushton 26-35 lekë, pra është dyfishuar.Por, ndërkohë, që e gjithë shporta e ushqimeve bazë është shtrenjtuar drastikisht brenda një muaji, çmimi i vezëve nuk është rritur sepse plasin bombat në Kiev siç i pëlqen Ramës të thotë, por sepse ka plasur gripi i shpendëve.Qeveria u përpoq ta fshihte fillimisht epideminë e gripit të shpendëve. Në fillim e quajti “laringo-trakeit infektiv”. Vetëm më pas u detyrua të pranonte që ishte grip shpendësh H5N8.Arsyeja e shmangies është shumë e thjeshtë: qeveria është e detyruar nga ligji dhe aktet normative të Këshillit të Ministrave që të dëmshpërblejë industrinë e prodhimit të vezëve për humbjet nga gripi i shpendëve.Sa më vonë të cilësohej natyra e vërtetë e ngordhjes nga gripi i shpendëve, aq me pak krerë të ngordhura apo asgjësuara duhen dëmshpërblyer. Ligji për shërbimin veterinar i vitit 2011, VKM 408/2013 dhe Plani i Kontigjencës i viti 2021 detyrojnë shtetin të përballojë nga buxheti shpenzimet për çrrënjosjen e sëmundjes dhe dëmshpërblimin e bizneseve për krerët e ngordhur apo asgjësuar.

Urdhërat e ministrit për këtë qëllim janë nxjerrë  dhe janë në fuqi.Por fakti është që shteti nuk ka kryer asnjë qindarkë kompensim.Dëmi që kanë pësuar bizneset e zonës së Durrësit që kam nderin dhe detyrën të  përfaqësoj, llogariten me  miliona Euro. Po të llogariten edhe bizneset në zona të tjera të prekura, shifra rritet.

Shteti e di detyrimin e vet por hesht dhe zvarritet.

Pasoja është e drejtpërdrejtë tek konsumatorët që nuk përballojnë dot dietën bazë ushqimore. Jo çdo çmim rritet nga bombat në Ukrainë. Në rastin konkret, shteti shkel ligjin.Në fillim të marsit u pagoi 10 milion Euro personave në kërkim për kontratën korruptive të inceneratorëve, por asgjë nuk bëri të dëmshpërblejë sipas deyrimit ligjor që industria shqiptare e prodhimit të ushqimit bazë të rimëkëmbet sa më shpejt dhe çmimi i një produkti bazë të ulet e të jetë i përballueshëm për hallexhinjtë, pensionistët, nënat për fëmijët e tyre.Për qeverinë mundet që pulat janë trembur nga bombat ruse, për prokurorinë, ky skandal duhet të jetë së paku shpërdorim detyre, por për konsumatorët e zakonshëm ky është një  çmim që ua bën jetën të papërballueshme.