Arrestohen anëtarët e bandës në Durrës, në tre muaj vodhën 8 dyqane

469
Sigal

Aktiviteti kriminal në harkun e 12 javëve shtrihej në tre qytete, përkatësisht në Durrës, Tiranë dhe Lushnje

Së fundi, policia ka mundur të identifikojë dhe arrestojë anëtarët e një bande grabitësish nga Durrësi, që ishin bërë tmerri i qytetarëve në këtë qytet, në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Mësohet se, një ditë më parë, strukturat e policisë së Durrësit finalizuan operacionin “Trekëndëshi”, me objekt vjedhjen e pasurisë. Në kuadër të këtij operacioni u realizua zbardhja e dokumentimi me prova ligjore i një numri të rëndësishëm vjedhjesh të ndodhura në qytetin tonë nga një grup të rinjsh, me eksperiencë e njohuri të posaçme veçanërisht në vjedhjen e lokaleve të tregtisë nëpërmjet hapjes së qepenave të tyre si dhe vjedhjes së motoçikletave nëpërmjet një mekanizmi të prerjes së kabllove elektrikë të tyre; vjedhje këto, të realizuara në harkun kohor nëntor 2013-shkurt 2014.

TË ARRESTUARIT
Sipas policisë, pjesëtarët e kësaj bande janë: Thanas Paloka, 18 vjeç, banues në Pukë, i dënuar më parë për vjedhje, Edmir Cumraku, 21 vjeç, banues në lagjen 16/1 Durrës dhe Martin Vocrri, 19 vjeç, banues në Kombinat Tiranë. “Më datë 24.12.2013 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit S.K. në lagjen 17/1 Durrës. Më datë 20.01.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit H.Ll. në lagjen 14/1 Durrës. Më datë 22.01.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit F.Z. në lagjen 16/1 Durrës. Më datë 24.01.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit Gj.Ll. në lagjen 16/1 Durrës. Me datë 25.01.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit Y.Gj. në lagjen 17/1 Durrës. Më datë 28.01.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit K.M. në lagjen 16/1 Durrës. Më datë 22.02.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit A.V. në lagjen 14 Shkozet Durrës. Me datë 16.01.2014 kanë vjedhur me thyerje dyqanin ushqimor të shtetasit A.N., në Shkallnur, Durrës. Më datë 14.11.2013 kanë vjedhur motoçikletën e shtetasit N.Gj. në lagjen 16/1 Durrës. Vjedhjen e motoçikletës së shtetasit F.G. me datë 06.12.2013. vjedhjen e motoçikletës së shtetasit M.L. më datë 19.02.2014. Nga ana jonë është bërë i mundur sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i tre motoçikletave të vjedhura, artikujve të ndryshëm ushqimore të vjedhur në dyqane si dhe i disa veglave e pajisjeve të përdorura nga këta persona për hapjen e qepenave të dyqaneve dhe ndezjen e motoçikletave. Gjithashtu, nga puna e bërë është dokumentuar se shtetasit e mësipërm kanë vjedhur në qytetin e Tiranës 12 motoçikleta, të cilat i kanë shitur më pas në qytetin e Durrësit dhe të Lushnjës kundrejt vlerës 150.000 deri në 300.000 lekë (të vjetër). Ndërkohë, për sa i përket produkteve ushqimore të vjedhura kanë bërë shitjen e tyre kryesisht në zonën e plazhit”,- shtojnë burime të policisë.
OPERACIONI
Operacioni në fjalë është koduar në mënyrë të tillë për shkak të trekëndëshit të veprimtarisë së këtyre shtetasve të cilët vjedhjet e motoçikletave i realizonin në qytetet e Durrësit e Tiranës dhe shitjen e tyre personave të ndryshëm në rrethin e Lushnjës. Materialet e para procedurale iu kaluan për ndjekje Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndërkohë, Komisariati i Policisë Durrës po aplikon një sërë masash në terren që lidhen me rritjen e parametrave të sigurisë ndaj pronës, e më konkretisht vjedhjen e pasurisë.