Osmani kërkon që me SHBA-në të përgatitet draft-statuti për Asociacionin

38
Sigal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Osmani tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmanxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup e tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 marrëveshjen për parimet për themelimin e tij. Por, më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore.

Për jetësimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë Asociacionin, që është edhe kërkesa kryesore e Beogradit.

Qeveria e Kosovës druan se një asociacion njëetnik do të mund të cenonte funksionalitetin e shtetit. Por, SHBA-ja insiston se nuk do të lejojë që Asociacioni t’i ngjasojë entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.

BE-ja dhe SHBA-ja po ashtu kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë menjëherë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.