Ambasadori Eugen Wolfarth prezanton në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së raportin për Shqipërinë. Vlerësimet për vitin e fundit dhe parashikimet
Si rrallë herë më parë, kemi një raport të OSBE-së për situatën në Shqipëri. Kjo organizatë prestigjioze dhe përfaqësuesit e saj në vendin tonë janë kritikuar vazhdimisht për qëndrimet e paqarta që kanë mbajtur për çështjet tona, madje janë akuzuar edhe si bashkëfajtorë për problemet që nuk ecin. Sepse kjo organizatë e ka tagrën që jo vetëm të konstatojë, por edhe të ndërhyjë për të vënë pikat mbi “i”. Mirëpo, duket se problemet janë akumuluar aq shumë sa që ambasadori Wolfarth, hoqi “dorezat” dhe e vuri më në fund gishtin në plagë. Ai e përcaktoi gjendjen tonë në mënyrë lakonike me fjalët “Shqipëria, ec dhe ndalo”. Më qartë nuk si bëhet. Por kështu nuk mund të vazhdohet më tej. Raporti realist që Wolfarth paraqiti dje para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së për Shqipërinë është përshëndetur nga përfaqësuesit e politikës, duke e quajtur atë si një pikënisje për kthesën që kërkohet të ndodhë në politikën shqiptare. Përpara kemi zgjedhjet e rëndësishme të 2013-s dhe ato zgjedhje janë rasti më i mirë për t’u dhënë një drejtim për mbarë punëve tona. Natyrisht, demokratikisht, me votë. Por, thotë OSBE, “Zgjedhjet e përgjithshme të 2013 pritet të jenë një garë e egër”. Jo se zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë të egra, por ato që priten në kontekstin aktual marrin një domethënie të veçantë. Ndaj dhe ndërkombëtarët janë të shqetësuar. Por më të shqetësuar na takon të jemi ne, qytetarët e këtij vendi.
Raporti
“Zgjedhjet e përgjithshme të 2013 pritet të jenë një garë e egër”. Me këtë parashikim mbyll raportimin vjetor përpara Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim, që po zhvillohet në Vjenë, kryetari i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth. Në raportin për zhvillimet gjatë një viti në Shqipëri, Wolfarth paraqet situatën politike në vend, të përmbledhur vetëm me një shprehje “ec e ndalo”. Teksa reformat e tjera raporti i vlerëson si të pjesshme apo edhe në vend numëro, ai vlerëson konsensusin për Kodin Zgjedhor, por shton se kjo nuk mjafton. ‘Zbatimi i tij për zgjedhjet e 2013 mbetet përgjegjësi e plote e kryetareve të partive politike në Shqipëri,- thotë Wollfarth duke vënë theksin tek fuqia e pakufizuar e liderëve politikë. Në këtë pikë raporti i OSBE-së shton se reformat do të anashkalohen gjatë këtij viti elektoral pasi vëmendja do të përqendrohet më shumë në pyetje si kush do t’i fitojë zgjedhjet, sesa si të çohet përpara me sukses axhenda komplekse dhe kërkuese e reformave. Shteti i së drejtës përmban nënvizimet më negative të raportit. OSBE thotë se tendencat janë që në këtë drejtim të ketë hap pas, por vetëm presioni ndërkombëtar ka bërë që kjo fushë të qëndrojë në vend. “Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës – është citimi i raportit. Ai vë theksin tek gjyqi i Gërdecit, për të cilin thuhet shprehimisht se Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Për një tjetër gjyq te bujshëm ne Shqipëri, atë ndaj ish zv/kryeministrit Ilir Meta, raporti vë theksin tek vendimi i Gjykatës së Lartë për të shpallur të pafajshëm. Sa i takon korrupsionit, raporti thotë se mbizotëron kultura e pandëshkueshmërisë. Akuzat e korrupsionit ndaj ministrave në detyrë, të cilët kanë në dorë kontrata investimesh të rëndësishme, si dhe mosbesimin në procesin e numërimit të votave, kanë theksuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Një bilanc vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme, në rastet e korrupsionit që përfshin zyrtarët e lartë do të ishte një masë pozitive për të kthyer besimin e publikut dhe për të demonstruar vendosmëri politike, thuhet shprehimisht në raport, që vë në dukje një paradoks në këtë drejtim.
Rruga përpara
Ndërsa Shqipëria po përgatitet të kremtojë njëqindvjeçarin e saj si shtet modern, në 2012-n, fushata për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s ka nisur fill pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në qershor. Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut. Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re, e cila tradicionalisht planifikohet të mbahet në javën e parë të shtatorit. Kjo përkon pak a shumë me kohën kur duhet të dalë raporti i ardhshëm për Këshillin e Përhershëm. Në pjesën më të madhe të dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, shumica e vëmendjes kombëtare – e publikut, e medias dhe e klasës politike konkurruese – do t’i kushtohet fushatës politike. Vëmendja e publikut të gjerë do të përqendrohet më shumë në pyetje si kush do t’i fitojë zgjedhjet, sesa si të çohet përpara me sukses axhenda komplekse dhe kërkuese e reformave. Duke parë më tej drejt së ardhmes, vlen të vihet në dukje se Shqipëria, gjithashtu, po përgatitet të rrisë kapacitetet e saj për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi ndërkombëtare në nivele dhe formate të ndryshme, përfshirë kryesimin e organizatave ndërkombëtare. Pritet që përpjekjet në këtë drejtim të vijojnë.
_____________________________________________________________________________________
JA ÇFARË THEKSOHET NË RAPORTIN E OSBE-së
– Dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”
– Zgjedhja e Presidentit ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor.
– Ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur.
– Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar.
– Përdorimi nga ana e koalicionit qeverisës të komisioneve hetimore të Kuvendit, njëri prej të cilëve u ngrit në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit 2011, i cili u konsiderua nga opozita dhe nga disa ekspertë si një shpërdorim i rëndë i procesit të komisioneve hetimore dhe tjetri lidhur me veprimtaritë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte shqetësues.
– Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Shpesh, kanë qenë vetëm paralajmërimet dhe presioni nga aktorët ndërkombëtare dhe jo veprimet e institucioneve kombëtare, ato që kanë parandaluar bërjen e hapave prapa në këtë sektor.
– Në përgjithësi, perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët.
– Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë.
– Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash.
– Në lidhje me reformën e administratës publike, është vënë re një nivel i kufizuar progresi. Administrata publike ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, si dhe nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe i shoqëruar me klientelizëm.
– Një Urdhër i Kryeministrit që kufizonte emërimet e përkohshme zbatohet pak dhe institucionet shtetërore qendrore shpesh ose nuk kërkojnë miratimin paraprak të Departamenteve për rekrutimet e bazuara në kontrata të përkohshme, ose e shpërfillin mospranimin e tyre.
– Reforma e pronës është zhvilluar në mënyrë të copëzuar, të pjesshme dhe, shpesh, kontradiktore që prej vitit 1991.
– Procesi i legalizimit të ndërtimeve është, më së shumti, joefektiv dhe i damkosur nga perceptimi publik si i korruptuar.
– Në luftën kundër korrupsionit, ndonëse qeveria ka miratuar Planin e ri të Veprimit 2011 – 2013, mbeten akoma shqetësime në lidhje me kapacitetet administrative për të siguruar zbatimin dhe monitorimin e plotë të Planit të Veprimit.
– Shoqëria civile luan një rol të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe kapacitetet e saj për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe për të ndikuar proceset, në nivel shtetëror, janë të dobëta.
– Ndërkohë që korrupsioni në nivele më të ulëta ndonjëherë ndiqet penalisht dhe ndëshkohet ligjërisht, në nivele më të larta, korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet thuajse të plotë.
– Akuzat e korrupsionit ndaj ministrave në detyrë, të cilët kanë në dorë kontrata investimesh të rëndësishme, si dhe mosbesimi në procesin e numërimit të votave kanë përforcuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
– Në luftën kundër trafikimit njerëzor, ishte pozitive të vërehej zbatimi nga ana e qeverisë i “Planit kombëtar të veprimit për luftën kundër trafikimit” dhe bashkërendimi i përpjekjeve të shtetit dhe shoqërisë civile në këtë sektor.
– Në luftën kundër krimit, Policia e Shtetit ka shfaqur përmirësim të dukshëm në disa fusha, sidomos në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe në menaxhimin e kufirit.
– Në reformën e medias, ka pasur përmirësime në rritje sa i përket lirisë së medias.
– Mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër.