Raporti i OSBE-së, flasin për “Telegraf”: Sëmundjet e politikës që mbajnë peng Shqipërinë

359
Sigal

DAMIAN GJIKNURI

Deputeti socialist Damian Gjiknuri, në një prononcim për “Telegraf” tha mbrëmë se, raporti i OSBE-së për zhvillimet shqiptare është një raport realist. Në të konstatohen një sërë problemesh të politikës shqiptare. Por, shtoi ai, ky raport është vetëm maja e ajsbergut e realitetit shqiptar.

PROF. MYSLIM PASHA

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës KuqeZi, Prof. Myslim Pasha, thotë se raporti i OSBE-së vërteton më së miri të gjitha problemet e politikës shqiptare, të cilat i ka denoncuar në mënyrë sistematike dhe me forcë Aleanca KuqeZi. Fakti që në raport theksohet se komisioni hetimor i ngritur kundër Kreshnik Spahiut, kur ishte Nënkryetar I Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishe një shpërdorim i rëndë i procesit të komisioneve hetimore lidhur me veprimtaritë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është mjaft domethënës. Ky fakt dhe të tjerë që renditen në raport janë tejet alarmues për situatën në të cilën gjendemi. E rëndësishme është që këto thekse që vë OSBE-ja të mos bien në vesh të shurdhër, sikurse ka ndodhur në fakt në të kaluarën. Shoqëria shqiptare ka të drejtë të ngrihet në këmbë për të larguar këtë qeverisje të korruptuar gjer në palcë dhe me shkelje të rënda ligjore. Për të gjitha këto, ky raport meriton të përshëndetet fuqimisht.

TAHIR MUHEDINI

Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, ndërsa përshëndet raportin e OSBE-së për të gjitha problemet që evidenton, thotë se ai tregon se sat ë shqetësuar janë ndërkombëtarët për mbarëvajtjen e punëve të Shqipërisë. Ata janë tepër të vëmendshëm ndaj problemeve tona dhe nuk u shpëton asgjë. Sidoqoftë, unë do të dëshiroja që, ndërsa në raport trajtohen një për një problemet dhe shtresat shoqërore, problemet e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, deri edhe shoqëria civile, në raport të evidentohej edhe çështja çame, pasi ajo vazhdon të mbetet një nyje gordiane për politikën shqiptare. OSBE nuk duhet të heshtë për këtë, port ë ketë një mendim të qartë dhe të sugjerojë edhe zgjidhjen përkatëse. Në takimet me partnerët tanë ndërkombëtarë europianë dhe amerikanë ne e kemi ngritur vazhdimisht këtë çështje dhe kemi gjetur mbështetjen përkatëse.