Ja si tallet deputeti me votën e qytetarit

463
Sigal

Analizë nga Akademik Artan Fuga: Nëse doni të dini se si është Kodi Zgjedhor i sotëm, shihni Kuvendin e Shqipërisë në këto dy vitet e fundit dhe mos bëni zë fare. Më gjeni një deputet që ka propozuar një ligj, që ka kundërshtuar kryetarin e partisë apo ka kryqëzuar një ministër, kryetar bashkie, drejtor, oligark etj. Më gjeni një kryebashkiak të 30 qershorit që u tërhoq se nuk kishte kandidatë përballë?

O budalla që votimin e deputetëve nga elektorati e quan populizëm!

Akademik Artan Fuga

Në vëmendje të zyrës të OSBE – Tiranë!

Doni të dini a është apo jo i mirë kodi zgjedhor i sotëm? Shihni Kuvendin e Shqipërisë vetëm në këto vitet e fundit ose në këto dy vjetët e fundit. Po ju ka pëlqyer çfarë keni ndjekur nga punimet e tij, mos bëni zë fare!

Nuk ju mjafton?

Sillni ndërmend ndonjë ligj të mirë, një vetëm një, të propozuar me emër dhe mbiemër nga ndonjë deputet! Po mbani mend një mos luani fare prej vendi!

Nuk ju mjafton?

Gjeni një, vetëm një deputet që për të thoni : Këtij njeriu votën ja kam dhënë unë sepse ishte më i mirë se të tjerët! Po gjetët një vetëm një hiç mos u bëni qeder!

Kaq nuk ju mjafton?

Gjeni një deputet që të ketë një zyrë në zonën ku ka kandiduar dhe atje rregullisht të ketë bërë takime me elektoratin.! Po qe se keni qarë halle me të, hiç mos u trazoni!

Kaq nuk ju mjafton?

Po gjetët një, vetëm një deputet që të ketë kundërshtuar për ndonjë çështje parimore kryetarin e partisë së tij, ose po qe se është i shumicës të ketë deklaruar se qoftë edhe një projektligj i vetëm i ardhur nga qeveria nuk ka qenë i mirë, atëherë jeni në rregull.

Kaq nuk ju mjafton?

Po gjetët një dhe vetëm një kandidat për kryetar bashkie ose këshilltar bashkiak që për zgjedhjet e 30 qershorit të ketë thënë : Unë tërhiqem nga kandidimi sepse nuk kam kundërshtarë! ose të ketë dhënë pasi u zgjodh : Unë e dorëzoj mandatin sepse me 10 për qind të votave nuk ja vlen të quhem i zgjedhur! – atëherë duhet të jeni të kënaqur!

Kaq nuk ju mjafton?

Po qese jeni të kënaqur nga niveli i deputetëve të listave që, si dikur, kishin zënë radhën me shishe te dyqani i qumështit dhe erdhën të pavotuar në Kuvend, atëherë vazhdoni me këtë kod elektoral!

Kaq nuk ju mjafton?

Po gjetët një, more vetëm një deputet, që pasi të ketë votuar një ligj, të kthehet te ju për të parë nëse ligji zbatohet drejt, apo ka mangësi, atëherë mbajeni këtë kod elektoral!

Kaq nuk ju mjafton?

Po qe se deputetet që kanë emëruar kryetarët e partive i konsideroni me nivel kulturor më të mirë se vetja juaj, ose se ata që ju do të zgjidhnit, atëherë mos u shqetësoni, mbajeni këtë kod zgjedhor!

Kaq nuk ju mjafton?

Nëse njihni një deputet që t’ia ketë bërë rrup sup ndonjë ministri, kryetari bashkie, a një drejtori të vockël, për interesat e elektoratit, atëherë mirë e keni këtë kod elektoral. Gjeni dot një?

Kaq nuk ju mjafton?

Këta deputetët që gjoja i zgjedhin të mirë kryetarët e partive dhe gjoja nuk i kanë zgjedhur oligarkët, duke qenë në radhët e shumicës në pushtet, ka ngritur zërin ndonjë prej tyre kundër pabarazive sociale, papunësisë dhe korrupsionit, tenderëve të privilegjuar? Po gjetët një vetëm një ta ketë bërë, hiç mos e vini ujët në zjarr!

Kaq nuk ju mjafton?

Po qe se ndonjë deputet ka bërë publike privilegjet e tmerrshme që ka si deputet dhe ka thënë: Çfarë bëhet kështu? Puthini dorën atij deputeti dhe kodin zgjedhor gëzojeni!

Kaq nuk ju mjafton?

Nuk ju mjaftojnë këto që të deklaroni që me këtë kod zgjedhor janë tallur me ju! Vazhdojnë të tallen me ju! Do të tallen me ju! Nëse nuk ju mjaftojnë këto, mjerë ajo pakicë që e kupton që kjo mënyrë e të zgjedhurit të deputetëve dhe kryetarëve të bashkive është shkatërrimi i kombit, i Shqipërisë, i shtetit, i ekonomisë! Mjerë kjo pakicë se ku jeton! Me këtë kod elektoral jo vetëm që nuk votohet nëse ke dy paré mend në kokë, por edhe ata që mëtojnë të zgjidhen me këtë kod rrezik të jenë thjesht mashtrues dhe servilë hileqarë!