Opozita: Përzgjedhja për KLP e KLGJ, e papranueshme

568
Opozita e cilësoi të papranueshëm procesin që çoi në përzgjedhjen e 10 kandidatëve për 5 vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Partia Demokratike tha se shumë nga kandidatët nuk përmbushin kriteret ligjore, ose kanë problem lidhur me nivelin profesional apo integritetin e tyre moral. Ata hodhën akuza, se për disa nga kandidatët përfaqësuesve të opozitës, u janë mbajtur të fshehta të dhëna që i përjashtonin ata automatikisht nga procesi. Dyshimet e forta të përfaqësuesve të opozitës ndaj procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për një pjesë të anëtarëve të dy trupave më të rëndësishme të sistemit të ri të Drejtësisë u bënë të qarta që në nisje. Edhe më parë deputetët Oerd Bylykbashi (PD) dhe Nasip Naço (LSI) nënvizuan se në shumë raste kandidatët që janë përfshirë në lista nuk plotësonin të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj, apo nuk kanë marrë vlerësimin e duhur nga ONM-ja, e për pasojë nuk duhet të ishin përfshirë në listë dhe se në raste të tjera nuk plotësohej numri i nevojshëm i kandidatëve në garë.

Duke qenë se për përzgjedhjen e kandidatëve që do i shkonin parlamentit nevojiteshin 4 vota socialistët në nënkomisionin Ad hoc, zgjodhën që përzgjedhja të realizohej përmes shortit, një përpjekje për t’u mbrojtur, në mungesë të një konsensusi nga opozita, nga akuzat për seleksionim të njëanshëm. Por siç u shpreh dhe Bylykbashi, “një short i tillë, që ka prodhuar kandidatë të tillë, me influencë të pastër politike dhe kritere të papërmbushura ligjore dhe problem të tjera të papranueshme, nuk mund të jetë një short i besueshëm. Procesi është tërësisht i deligjitimuar dhe për pasoje dhe parlamenti shqiptar nuk mundet të votojë dhe të ratifikojë, jo vetëm një vullnet të pastër politik të kryeministrit Rama por diçka që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjin”.
Sigal