Olldashi: Kemi një zgjidhje përfundimtare, për shtëpitë e pronarëve

474
Sigal

Ditën e djeshme në Parlament ministri Olldashi aktin për lirimin e banesave të pronarëve e ka vlerësuar mjaft pozitivisht dhe e sheh si një zgjidhje përfundimtare.  Ai ka theksuar se, “ndjehem krenar që e kemi sjellë  këtë akt sot këtu, ndjehem krenar sepse zgjidhim një padrejtësi 68 vjeçare, duke zgjidhur në të njëjtën kohë edhe problemet e atyre që kanë hyrë në shtëpitë e pronarëve të ligjshëm dhe prej 68 vjetësh i zotërojnë këto shtëpi”. Sipas ministrit kjo është një zgjidhje e ligjshme dhe që nuk ka asnjë pikë konflikti me Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë në fjalën e tij se “Kemi respektuar dy parime bazë kushtetuese. Parimin e të drejtës së pronë, një parim bazik për të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike të planetit dhe parimin e sigurisë juridike. U kemi garantuar qiraxhinjve sigurinë. U kemi vënë në dispozicion kredi me interes zero, ndërkohë që të gjithë qytetarët e thjeshtë të vendit, janë të detyruar që t’i adresohen bankave me një interes që varijon nga 10 deri ne 12 për qind”.  Sipas tij, është marrë një masë që shkon në favor të shtetit shqiptar. Ai ka theksuar se: “Vetëm tre vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për çështjet e shtëpive të zëna të pronarëve të ligjshëm, konkretisht rastet Beshiri, Treska dhe Vrioni, shteti shqiptar është dënuar përkatësisht me 450, 74 dhe126 mijë euro”. “Bëmë një verifikim: nga 251 shtëpi që verifikuam 93 prej tyre janë të kyçura. Nuk jeton askush. Thjesht i mbajnë mbyllur! Dhe ju çfarë bëni?! Ju nxirrni dy përfaqësues të pushtetit vendor që dalin dhe i thonë pronarëve të ligjshëm të këtij vendi, faljani shtëpitë, pronën tuaj, qiraxhinjve. T’ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë. Ky Kryetari Bashkisë së Durrësit, i cili ka ndërtuar 15 pallate në atë qytet, a i ka falur një apartament të vetëm dikujt? Atëherë ky njeri që ka ndërtuar 15 pallate me çfarë morali qytetar i drejtohet pronarëve dhe i thotë, faljani shtëpitë tuaj, faljani shtëpitë atyre që ju groposën nëpër bodrume”, ka thënë ministri Olldashi.