OKB, Rama: Të mësojmë nga e kaluara, jo të jetojmë me të

465
Kryeministri Edi Rama mban fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Neë York. Duke folur për bashkëpunimin e ri të vendeve të rajonit, Rama tha se pas 100 vitesh Shqipëria dhe Serbia po ndërtojnë një paqe që ia vlen të jetohet. Rama thotë se nga e kaluara duhet të mësojmë dhe jo të jetojmë me të. Sipas tij, njohja e Kosovës do t’i shërbente stabilitetit të rajonit. “Më lini të kujtoj dhe t’ju bëj thirrje të gjithë juve që nuk e keni njohur, ta njihni Kosovën, të jepni kontribut për ta forcuar stabilitetin dhe paqen në rajon. Paqja po mbizotëron mbi frikërat e së kaluarës. Njohja e Kosovës do të jetë e mirë edhe për Serbinë, i shërben stabilitetit të rajonit. Vitin e kaluar bëra vizitën e parë të një kryeministri shqiptar pas 68 vitesh në Serbi. Rajoni jonë është duke u zhvilluar në shumë fusha”.

Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe disa prej reformave të fundit të Shqipërisë. “Kemi bërë progres në një sërë reformash në arsim, energjetik dhe drejtësi. Shqipëria është e gatshme të jetë pjesë e një ekipi global që do të zhvillohet në Paris për politikat e mjedisit. Ky aktivitet do të jetë efektiv, të gjithë do të luajnë rolin e tyre”,¬deklaroi Rama. Ndërsa kalimin e tij nga arti drejt politikës ai e përshkruan kështu: “Kam qenë një artist para se të bëhesha politikan. Çdo ditë më pëlqen të marr një laps, apo furçe dhe për pak minuta të pikturoj,të vizatoj dhe ne të gjithë po përpiqemi të pikturojmë pikturën tonë si një vizion për të ardhmen. Sot bota do të ishte më gri se sa bardh e zi…”,¬tha Rama.
Sigal