Oerd Bylykbashi: PD nuk tërhiqet nga verifikimi biometrik, kolegji zgjedhor dhe qeveria tranzitore

73

KOMUNIKIMI ME MEDIAN I PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE, OERD BYLYKBASHI

Oerd Bylykbashi: Sot Këshilli Politik vazhdoi diskutimin për çështjen e rëndësishme që dje shkaktoi debatin e fortë midis palëve në këshill, refuzimin e Partisë Socialiste për të futur verifikimin biometrik të zgjedhësve në çdo qendër votimi të Shqipërisë me qëllimin e vetëm për të bllokuar mbushjen e kutive në mënyrë të paligjshme ditën e votimit. Pa u siguruar kjo, çdo numërim do të ishte numërim i pavërtetë, do të ishte numërim i votave të falsifikuara, çdo rezultat zgjedhor i shpallur do të ishte rezultat i manipuluar.

Refuzimi edhe sot nga maxhoranca jo vetëm është një kundërshtim ndaj një nga çështjeve kryesore të opozitës, por bën të pamundur arritjen e konsensusit mbi çështje të tjera të rëndësishme, siç është edhe administrimi i zgjedhjeve dhe shpallja e rezultatit. Po ashtu, roli që do të ketë në të gjithë këtë proces në certifikimin e rezultatit nga Kolegji Zgjedhor.

Ne sot bëmë edhe një propozim në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, në alternativë të propozimeve të mëparshme duke sugjeruar që të jetë Gjykata Kushtetuese. Pra, pa hyrë në detajin e këtij propozimi, të jetë Gjykata Kushtetuese trupa e cila do të shqyrtonte shkeljet e të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe të kandidatëve në zgjedhje. Sigurisht që ky është vetëm një ilustrim por pa arritur konsensusin mbi këto çështje është e pamundur që të shkohet më tej.

Nëse Partia Socialiste do të reflektojë dhe do të heqë dorë nga taktikat zvarritëse duke pretenduar vetëm zgjidhje të pjesshme të identifikimit të zgjedhësve në mënyrë biometrike në qendër të votimit dhe duke lënë hapësirë që në një numër qendrash votimit të manipulohet rezultati. Pra vetëm duke reflektuar për këtë çështje dhe gjetjen e një kompromisi mbi këtë i hapet rruga kompromiseve të tjera dhe mundësisë për të gjetur zgjidhje për çështje të tjera të rëndësishme për të cilat ne jemi gati të ecim me dakordësi, që janë shumë të rëndësishme, siç është KZQ-ja apo çështje të tjera të rëndësishme të procesit zgjedhor.

Pyetje: ODIHR rekomandon që të ketë një zbatim gradual të teknologjisë?

Oerd Bylykbashi: Propozimi i opozitës është futja e teknologjisë në votim; pra identifikim biometrik, votim dhe numërim në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Ky ka qenë propozimi që kemi bërë ne. Duke e ditur që teknologjia e identifikimit biometrik është e gatshme, e disponueshme dhe e demonstruar të gjithë aktorëve të këtij procesi reforme, është e mundshme për tu zbatuar. Ne kemi pranuar që në të gjithë këtë propozim të ecet me identifikimin biometrik në të gjithë Shqipërinë duke lënë mundësinë e pjesshme për pjesën tjetër. Kështu që kjo do të ishte pika e kompromisit për sa i përket shtrirjes. Përpjekjet e zotit Gjiknuri për t’ju shmangur kësaj duke bërë pretendime në lidhje me pamundësinë për tu shtrirë, janë vetëm përpjekje për të lënë të hapur derën që një pjesë e madhe e kutive të votimit në ditën e zgjedhjeve të mbushen nga ata që lejohen të votojnë në emër të emigrantëve kur emigrantët nuk kanë ardhur, të futen vota me votim familjar pa ardhur pjesëtarët e familjes në qendër votimi, të votohet me kartë identiteti të falsifikuar apo në fund të ditës komisionerët të mbushin kutinë në mënyrë haptazi kriminale duke hedhur fletë-votimi dhe duke falsifikuar firma. Nëse nuk bëhet ajo që sygjerojmë ne, sigurisht që procesi zgjedhor është i manipuluar dhe i pamundur që të diskutojmë për certifikim nëpërmjet KQZ-së apo Kolegjit Zgjedhor.

Pyetje: Nuk e keni më kush qeverinë tranzitore?

Oerd Bylykbashi: Qeveria tranzitore u bë e qartë dhe dje, qeveria tranzitore është një kërkesë e padiskutueshme e jona. Pikërisht për këtë arsye nuk pati dje kompromis për paketën e policisë. Pra çdo pretendimi i maxhorancës se ka dakordësi për rolin e policisë në zgjedhje, por edhe aspekte të tjera, është i pavërtetë pa qenë të dakordësuar edhe për qeverinë tranzitore. Në lidhje me këtë çështje ne do të vazhdojmë ta kërkojmë që kjo garanci të jetë e plotë në legjislacionin zgjedhor.

Pyetje: Sa i përket riformatimit të KQZ-së zoti Gjiknuri tha se nuk keni sjellë asnjë propozim, do të pranoni formatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore?

Oerd Bylykbashi: Çështja e KQZ-së nuk është diskutuar ende, është diskutuar vetëm pjesa tjetër e administratës zgjedhore dhe do të jetë pjesë e atyre hapësirave për kompromis nëse ne do të kemi mundësi që të garantojmë që kutitë nuk mbushen e për rrjedhojë edhe KQZ nuk do të ishte një mekanizëm për të certifikuar vjedhjen e votave, por një mekanizëm për të certifikuar votat e shqiptarëve.

Pyetje: Nëse nuk arrini një kompromis me maxhorancën sa i përket përdorimit të teknologjisë në zgjedhje a po paralajmëroni në fakt dështimin e reformës zgjedhore?

Oerd Bylykbashi: Ne ia bëmë të qartë maxhorancës së pa dakordësi për këtë çështje, pra për pengimin e mbushjes së kutive. Pra pa një dakordësi për identifikimin biometrik që do të pengojë mbushjen e kutive të gjitha dakordësitë e tjera nuk kanë vlerë apo nuk mund të arrihet kompromis mbi çështjen e administratës zgjedhore. Ka hapësirë ende që maxhoranca dhe zoti Gjiknuri të reflektojnë dhe të bien dakord në interes të zgjedhësve shqiptarë dhe jo në interes të kryeministrit i cili kërkon hapësirën për të mbushur kutitë siç e keni parë me 30 qershor 2019-të.