Nxënësit kërkojnë platformë online falas, Shahini: Herën tjetër do flasim për maturën

307
Sigal

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve, të cilët përveç se kanë ndjekur mësimin në kushtet e shtëpisë, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me bashkëmoshatarët e tyre në bashkitë që përfaqësojnë duke marrë mendime mbi efikasitetin e mësimin në kushte shtëpie dhe si mund të përmirësohet më tej.

Një përfaqësues hodhi idenë e krijimit të një platforme falas online “Nxënësit për Nxënësit”, e cila mund të lejojë nxënësit të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre, apo pse jo të ndihmohen nga shokët e shoqet për vështirësi të ndryshme të hasura gjatë kësaj periudhe. Në thelb, po sipas njoftimit, kjo lloj platforme synon të rrisë efikasitetin, gjithëpërfshirjen e solidaritetin, gjë e cila mund të vazhdojë të zbatohet edhe pas periudhës së mbarimit të pandemisë Covid-19.

Ministrja Shahini, thuhet në njoftim se e mirëpriti këtë draft-propozim dhe u shpreh se do të shikohet në vijim se si mund të realizohet nga ana teknike. Në fund të bisedës, Shahini informoi se në takimin e radhës do të diskutojnë për maturën shtetërore, vlerësimin e nxënësve apo çdo lloj problematike tjetër.