Një mëngjes i paharruar telefonatash: “Ledina, do të votojmë për ty!”

“Për Korçën në duart e tua”, voto nr. 1, Ledina Alolli

Gjatë viteve të drejtimit të saj, Bashkia e Korçës la pas vjedhje dhe korrupsion

Në këtë fundfushatë elektorale pata një mëngjes të paharruar telefonatash, të cilat ishin të shumta: “Ledina, – më thoshin,  – tashmë jemi në prag të ditës së madhe për ty si kandidatja jonë për kreun e Bashkisë Korçë, por edhe për të gjithë ne që kemi pritur ndryshimin e madh dhe të bukur të Korçës. Jemi besimplotë Ledina! Fitorja është e jona, e koalicionit të madh “Bashkë Fitojmë”. Ne: burra, gra, nëna dhe motra, vajza dhe djem do të bëhemi të gjithë bashkë e do të votojmë për ty e për veten tonë. E meriton Ledina, sepse bashkë shkuam në çdo fshat e lagje të qytetit, dhe gjithkund pamë një zonjë shembullore dhe fisnike, dhe kjo ishit Ju. Të pamë të trishtuar kudo që gjetëm mjerim, pensionistë të vetmuar, njerëz të sëmurë pa asnjë mundësi për blerje ilaçesh. Të shumtë ishin të rinjtë e larguar e të mbetur udhëve të botës, të shumta ishin edhe nënat që lotonin se ende nuk kishin asnjë lajm nga djali apo vajza e tyre, që kishin marrë udhët e botës për një jetë më të mirë. Dhe tek ty Ledina Alolli pamë trishtimin e sinqertë njësoj sikur të ishin të afërmit e tu, gjithashtu të pamë edhe të gëzuar kudo që gjeje lumturi. Megjithatë, duhet thënë që njerëzit e harruar nga Bashkia e sotme janë të shumtë. Por tashmë ka edhe një të vërtetë të madhe: propaganda e socialistëve ka humbur çdo interesim të qytetarit të Korçës, sepse gjatë gjithë viteve të drejtimit të saj la pas vetëm zhgënjim e dhimbje.

Ata, si gjithnjë, vetëm trumbetojnë

Sigal

Socialistët, si gjithnjë, në çdo fushatë zgjedhore, trumbetojnë financime dhe mbështetje për ne fermerët, por në të vërtetë gjithnjë na kanë braktisur, ndaj tashmë në qiellin e Bashkisë së Korçës ka mbetur vetëm tymnaja e zhgënjimeve të mëdha. Ne banorët e Dvoranit, nuk e harrojmë dot, – më thoshte telefonuesja. Kur premë me qindra drurë frutorë, sepse u gjunjëzuam prej shpenzimeve të mëdha. Sipërfaqja e tokës djerr u zgjerua; taksat njohën vetëm rritje; çmimet e shitjes zbritën nën koston e produkteve; çmimet e plehrave kimike, të pesticideve dhe të  karburanteve të makinerive bujqësore u bënë të papërballueshme; mungesa e fuqisë punëtore ndihet në çdo cep të Korçës, ndaj pyesim: “Ledina, a mund të jetohet kështu?” Shpesh na vijnë lajme nga djemtë e vajzat që po na ikin nga shtëpia: “Nënë mos u mërzit, sepse do t’i kapërcejmë detet e botës”, por kur vjen lajmi i mbytjes së fëmijëve tanë, kush e do më jetën, kush i do më fjalët e bukura të qeveritarëve tanë që po na i nxijnë jetën. Mallkuar qofshin ata që duan vetëm të vjedhin! Ne e dimë Ledina, Korça është në krizë të thellë ekonomike, politikat ndaj fermerëve janë diskriminuese, gjendemi në një fatkeqësi të madhe,  ndaj të gjithë bashkë do të shkojmë të votojmë për veten tonë; nuk do të lëmë askënd prej njerëzve tanë të qëndrojë në shtëpi, sepse gjithkush prej nesh e ka të qartë: beteja për demokracinë dhe fatet e Shqipërisë janë jetike. Diktatura është në prag, ekzistenca jonë si qytetarë të lirë të Evropës është në rrezik, ndaj na duhet të votojmë për dinjitetin tonë njerëzor dhe shtetin e së drejtës.

Telefonata pa fund

 

Po, në këtë fundfushate, telefonatat nuk patën të pushuar, më vinin nga çdo cep i Korçës. Të trishtuar ndiheshin edhe banorët e Belortasë, vetëm 8 km nga qendra e qytetit të Korçës. Dëshironin të më flisnin për mjerimin e tyre. Vetëm me fitoren e koalicionit “Bashkë Fitojmë”,  do të kemi ujë të pijshëm, sistem të shkarkimit të ujrave të zeza, ndriçim, pastrim të mbetjeve, prespektivë për fëmijët tanë, treg për shitjen e produkteve bujqësore etj, sepse deri më sot vetëm mjerim dhe papunësi kemi patur me bollëk. Keqqeverisjen e sotme nuk po e vuajmë vetëm ne banorët e zonave rurale, por edhe qyteti, por kësaj here kemi besim te koalicioni ynë i udhëhequr nga zotërinjtë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Dhe ne besojmë edhe tek ty Ledina, sepse të pamë çdo ditë duke mbajtur shënim hallet tona. Ndërsa drejtuesit e sotëm të Bashkisë, vijojnë të hedhin qindra milionë lekë për fasada, për pajisje zyrash, për digjitalizime, dhe pothuajse asgjë për infrastrukturën e brendshme të lagjeve, për ndriçimin, gjelbërimin, zhvillimin ekonomik e social të komuniteteve. Ndaj Ledina,  më thoshin bashkëqytetarët e mi: ndryshimin duhet ta sjellim ne të gjithë bashkë dhe të mos lëmë asnjë votë të shkojë humbur. Ndaj të gjithë më flisnin me siguri të plotë: “Çdo votë e jona do të shkojë për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, dhe bashkë do të jemi edhe në votim për të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar të Korçës.

Ledina ka gjithë dhembshurinë e duhur

Dhe tashmë dua ta mbyll me përgjegjësinë, që bie mbi mua duke u nisur nga vlerësimi i z. Berisha, i cili në takimin me banorët e Korçës tha: “Kam bindjen se Ledina Alolli ka të gjithë dhembshurinë, të gjithë përkushtimin, gjithë dashurinë për qytetarët e Korçës, për sokaqet e Korçës, për tregun e Korçës, për fermerët e Korçës, për Korçën në tërësi dhe me besimin tuaj ajo do të shkrijë të gjitha energjitë e saj për ta merituar atë besim. Por sot unë përsëri theksoj se këto zgjedhje në bindjen time, në ndërgjegjen time për nga rëndësia, tejkalojnë të gjitha zgjedhjet që kemi bërë gjer sot pas atyre të 22 marsit të vitit 1992”.
Dhe unë besoj, të gjithë bashkë do t’ia sjellim fitoren Korçës tonë.
E juaja Ledina