Nishani rikthen në Kuvend ligjin për Arsimin e Lartë: Ja 6 shkeljet

463
Ligji i arsim nuk kalon klasën. Ka qenë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cili u kërkon deputetëve të rishqyrtojnë sërish Ligjin për Arsimin e Lartë me arsyetimin se ka shkelur gjashtë shtyllat bazë që lidhen me funksionalizimin e arsimit. Ky ligj, sipas Presidentit nuk garantohet autonominë e universiteteve, si bazë për të garantuar vijimësinë e procesit të Bolonjës dhe përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga dokumentet ndërkombëtarë, të detyrueshme për Shqipërinë. Presidenti thotë se me këtë ligj është shteti në qendër dhe jo universiteti e studentët siç edhe duhet të jetë. E ndërkohë që studentët do të duhet të paguajnë tarifa të rritura, për ta nuk është parashikuar asnjë rol në vendimmarrjen në strukturat drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë. Paqartësitë në ligj, sipas kreut të shtetit rrezikojnë autonominë dhe sigurinë juridike. Nuk ekzistojnë rregullime për nivelin minimal të tarifave, ndërkohë që në të ardhmen studentët mund të jenë para shifrave të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri, ndërkohë që shteti garanton mbështetje vetëm për ciklin e parë të studimeve të larta, jo për të dytin e për të tretin. Kjo bie në kundërshtim edhe me Konventën Europiane të të drejtave të njeriut, e cila sanksionon se “Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për arsim”.
Gjithashtu, referuar Deklaratës së Jerevan, Maj 2015, shtetet marrin përsipër të mbështesin IAL të kërkojnë dhe të marrin masa në drejtim të krijimit të mundësive të studentëve që të punësohen në përfundim të çdo cikli të studimeve. Kjo nuk është parashikuar në ligjin shqiptar, si rrjedhojë Nishani vëren se shteti vendos të rrisë tarifa pa kritere me qëllim financimin dhe rritjen e cilësisë, por nga ana tjetër duket qartë se do të braktisë studentët pas ciklit të parë të studimeve. Në vijim presidenti pozicionohet kundër agjencive që ngrihen për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor dhe bordin e administrimit, pasi ato janë nën varësi të plotë të qeverisë, dhe të paspecializuar për të diktuar arsimimin dhe kërkimin shkencor. Ministrit po ashtu i jepet kompetencë të shkarkojë një funksionar, edhe kur sipas Kushtetutës emërohet nga presidenti. Po ashtu e padrejtë thotë Nishani është edhe kufizimi i mandateve për të zgjedhurit në universitete. Kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvend erdhi pas konsultimeve të kreut të shtetit me grupet e interesit, por dhe kundër ligjit si dhe me ministren e arsimit Lindita Nikolla.
Nikolla: E zhgënjyer nga Presidenti
Kthimin e Ligjit për Arsimin e Lartë nga Presidentit Bujar Nishani, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e ka cilësuar zhgënjyes dhe veprim partiak. Ministrja e Arsimit ka kujtuar edhe njëherë se për Ligjin e Arsimit ishin përfshirë ekspertët më të spikatur shqiptarë të fushës, pa dallime prirjesh e bindjesh politike, ndërkohë që ishin dëgjuar të gjitha palët e interesuara, duke filluar nga institucionet e arsimit të lartë e deri te pedagogët dhe studentët. Për Nikollën, Presidenti Nishani u bë palë me pakicën politike dhe atë të pedagogëve që e kundërshtuan ligjin, ligj ky që sipas ministres mori mbështetje dhe përgëzime nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Komisionin Europian. Duke e quajtur këtë qëndrim “antireformist të radhës të Presidentit Nishani”, ministrja Nikolla ka deklaruar në fund se ky mosdekretim thjesht do ta përforcojë bindjen dhe vullnetin e kësaj mazhorance për të rivotuar ligjin.
Sigal