Nishani pret Gentilonin: Reforma në drejtësi, kryefjala, pritet të finalizohet me konsensus falë “Venecias”

436
Presidenti Bujar Nishani priti sot ministrin e Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, i cili ndodhet në Tiranë në kuadrin e takimit të dytë trepalësh Itali-Shqipëri-Serbi, në nivel të ministrave të jashtëm. Kreu i Shtetit përshëndeti praninë e Gentilonit në Tiranë, si pjesë e rëndësishme e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, duke i vlerësuar ato të shkëlqyera dhe të një partneriteti strategjik.
Gjithashtu, Nishani shprehu mirënjohjen e thellë, në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen e gjithanshme dhe të pakursyer që Italia ka dhënë ndër vite për Shqipërinë.
Kreu i Shtetit e siguroi ministrin e Jashtëm italian për orientimin e qartë e të plotë evropian të Shqipërisë, si dhe për angazhimin e strukturave shtetërore shqiptare në kryerjen e reformave të nevojshme dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore, me synim afatshkurtër hapjen e negociatave të aderimit në BE.
“Projekti evropian është projekti më madhor dhe strategjik i Shqipërisë, por edhe angazhimet dhe përgjegjësitë për përmbushjen e reformave janë tonat.” – u shpreh Presidenti Nishani. Duke u ndalur tek reformat, Presidenti Nishani theksoi se reforma në drejtësi mbetet kryefjala dhe falë asistencës së Komisionit të Venecias dhe mbështetjes nga vendet dhe organizatat partnere, shpresojmë që shumë shpejt kjo reformë do të finalizohet në mënyrë konsensuale dhe të prodhojë një model që ta shkëpusë njëherë e përgjithmonë vendin nga kultura e pandëshkueshmërisë.
Lidhur me agjendën dypalëshe të bashkëpunimit, Presidenti i Republikës vlerësoi rolin, bashkëpunimin dhe partneritetin e Italisë, veçanërisht në fushën ekonomike dhe atë kulturore, duke theksuar se falë zhvillimeve dhe potencialeve të të dy vendeve, ka ardhur koha për të dizenjuar platforma konkrete bashkëpunimi.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit për përballimin e krizës së krijuar nga flukset e paprecedenta migratore nga vendet në konflikt, si dhe luftës ndaj ISIS-it, terrorizmit ndërkombëtar, luftëtarëve të huaj dhe krimit të organizuar, për të cilat u evidentua vëmendja që palët u kushtojnë si dhe u theksua nevoja e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për veprime të parandaluese dhe përballimin e tyre me efikasitet të plotë.
Në kuadrin e zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Nishani theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është një politikë e konsoliduar dhe e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si shtylla kryesore të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani evidentoi mbështetjen e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së
Sigal