Stefan Angjeliu: Arti im, refleksion i qytetarisë beratase

802
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” krijuesi i këngëve “bio” popullore qytetare beratase, në repertorin e tij me mbi 50 këngë: vargjet-muzika-interpretimi
Dikush që ju ka njohur më parë, pse duhet të habitet sot me pasionin tuaj për këngën popullore qytetare beratase?
Sepse ka patur një kohë, kur këngët e mia nuk mundën të dilnin në publik dhe të këndoheshin nga zëra të shumtë të këngës popullore qytetare beratase dhe më gjerë. Dhe arsyeja tjetër është se, brezi im sot ka pësuar ndryshimet e jetesës e vëndbanimit, ndoshta është ende duke jetuar me kujtesën e Stefanit si një nënpunës shteti në Berat.

Si ka nisur karriera e juaj në profilin e një krijuesi të kësaj kënge, që ju ka marrë “pasionin” më “rinor”se rinia?
Ajo ka nisur që në adoleshencë, në lagjen ku unë kam lindur dhe jam rritur, Lagja Goricë, ku ne këndonim këngët që i dëgjonim nga të afërmit e prindrit tanë, të cilët i këndonin ato në ambientet familjare e fisnore. Kam kënduar shumë serenatat me dy kitara, atëhere ishin në modën e rinisë së kohës këto këngë.

Pse Stefan Angjeliu nuk e shfaqi këtë profil artistik në kohën e sistemit të kaluar?
Unë po jua përsëris, se ishte sistemi që nuk i pranonte stilin dhe muzikën e këngëve të mia. Atëhere mundet që të përfundoje ndryshe, sikundër e pësuan muzikantë të tjerë në vendin tonë, edhe pse këngët e një pjese prej tyre këndohen edhe sot me nostalgji.

Ku e gjeni frymëzimin për vargjet, por edhe për meloditë e këngëve që krijoni?
Në vargje mbështetem tek një motiv dhe mundohem që teksti të ketë një subjekt e të japë një mesazh. Unë i jam referuar kryesisht Beratit me lashtësinë, bukurinë dhe shpirtin artistik të beratasve. Këto bashkohen me njera-tjetrën dhe sjellin frymëzimin e dyfishtë: tekst dhe muzikë.

Sa ka ndikuar rrethi juaj familjar e shoqëror në këtë karrierë asrtistike?
Prindërit e mi këndonin shumë mirë dhe në ambientet shoqërore e familjare kanë qenë të preferuar. Kudo që ata ndodheshin, në sebepe nga më të ndryshmit, rreth tyre formohej një kompleks shumë i mirë, me zëra të shumtë që e gjallëronin amebientin. Nëna ime i ka rënë shumë mirë mandolinës, ndërsa në atë kohë, kitara e mandoliona ishin “trofetë e arta” të familjes.

E mbani mend, se sa kohë keni që ushtroheni në krijimtarinë tuaj me këngën popullore qytetare beratase?
E përmenda më sipër, që në fëmijëri, ndërsa në rini, u perfeksionova më shumë nga daja im, kompozitori Koço Korçari. Ai ka qenë muzikant e kompozitor i këngëve për fëmijë, por mua më ka inkurajuar dhe më ka dhënë një shtysë të madhe në atë periudhë para viteve ’90-të, që të jetoja me krijimtarinë time. 

Kësisoj, ju duket se vini nga familje muzikatësh, nisur edhe nga emri i Koço Koraçarit?
Po, vetë Koço e pëlqente dhe më thoshte se, një ditë këto këngë do të këndoheshin me forcën e shpirtit nga qytetarët beratas. Sot ai nuk jeton më, por la pas një krijimtari të shkëlqyer në këngët për fëmijë. Pas vdekjes i është dhënë titulli “Ärtist i Merituar”, si edhe “Qytetar Nderi” i Kuçovës, ndërkohë që parashikimi i tij për mua është bërë realitet.

Çfarë preferoni më shumë ju Stefan: të krijoni vargjet, të kompozoni këngën, apo ta këndoni atë?
Të gjitha, por te të kënduarit jam më i tërhequr, sepse unë atë ia kam besuar më shumë zërave brilantë dhe të mëdhenj. Sot bashkëpunoj me disa asrtistë në qytetin e Beratit, ku së bashku kemi formuar grupin e këngës popullore qytetare beratase “Shoqëria Goricë-Kala”. Këngët e grupit tonë janë kënduar deri në Australi, janë kënduar në Europë kryesisht në Itali e Greqi, njëherësh ato janë kënduar edhe në evente të mëdha artistke në vendin tonë.

Cilët janë artistët e tjerë në përbërje të grupit tuaj popullor “Goricë-Kala”?
Sot, grupin unë e kam “pagëzuar” me emrin “Shoqëria Goricë-Kala”, Në këtë bashkëpunim, jam së bashku me muzikatin e talentuar Lutfi Keci, i cili interpreton në mënyrë të shkëlqyer në të gjitha veglat me tela, madje shumë mirë edhe me çifteli. Në grupin tonë është këngëtari i njohur Naun Teta, instrumentistët Xhoxhi Qako, Daniel Sadushi, Dilaver Mata.

Duhet ta keni një “sekret” në këtë sfidim që po i bëni këtij tregu muzikor sot me këngët tuaja?
Unë nuk sfidoj askënd në tregun muzikor, sepse zhanret që unë livroj janë këngët e muzikës së lehtë, janë këngët lirike dhe baladat. Kësisoj, unë nuk e ndjej shumë konkurrencën në këtë treg që thoni ju. Dëgjoj çdo këngë të çdo rryme, por bëj muzikën time.

Cili është projekti juaj më i fundit në këtë hapësirë artistike?
Projekti më i fundit janë katër këngë, të cilat i kushtohen kryesisht qytetit të Beratit, jetës dhe veprimtarisë së lagjeve autoktone të tij. Lumi Osum që ndan në mes lagjet Goricë-Kala, është pjesë e subjektit të këtyre këngëve, të cilat ne së shpejti do ti nxjerrim në skenë.

Keni ndonjë apel për tregun e muzikës popullore në Shqipëri?
Unë nuk mund të bëj apele sfiduese për të tjerë, por apelin tim ja u bëj strukturave shtetërore, mediave e kujtdo që ka mundësinë të na mbështesë në këtë rrugë, e cila po e mban gjallë muzikën popullore qytetare beratase. Këngët e mia janë “bio”, e disa prej tyre janë dhënë në TV Klan dhe TV Top-Channel, por kaq nuk besoj se mjafton.

Pse nuk mjafton një këngë të jepet në një televizion, apo të flitet e shkruhet në mediat e tjera?
Nuk mjafton kaq, sepse janë shumë prej këtyre këngëve që unë kam kompozuar dhe i interpretoj në grupin “Shoqëria Goricë-Kala’, të cilat për vlerat e tyre kanë hyrë në fondin e trashëgimënisë kulturore të qytetit të Beratit. Këto këngë kanë vlerë, dhe vlera arstistike sot kërkon më shumë mbështetje që të mbijetojë
Janë shumë prej këtyre këngëve që unë kam kompozuar dhe i interpretoj në grupin “Shoqëria Goricë-Kala’, të cilat për vlerat e tyre kanë hyrë në fondin e trashëgimënisë kulturore të qytetit të Beratit. Këto këngë kanë vlerë, dhe vlera arstistike sot kërkon më shumë mbështetje që të mbijetojë
Sigal