Nishani njeh vazhdimsinë e institucionit të Presidentit

429
Sigal

Presidenca/ Subjektet e interesuara të paraqesin kërkesat për vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje takime të veçanta me përfaqësues të partive parlamentare, në kuadër të përfundimit të mandatit të njërit prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë si dhe për plotësimin e dy vendeve vakante që krijohen në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë takimeve të Presidentit Nishani me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, zotin Astrit Patozi; Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zotin Gramoz Ruçi; Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, zotin Lefter Koka; Kryetarin e Partisë Republikane, zotin Fatmir Mediu, si dhe me përfaqësuesit e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet u diskutua për kriteret dhe performancën që duhet të kenë anëtarët e rinj të dy institucioneve kushtetuese. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për rëndësinë që ka procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese si dhe nënvizuan faktin se ky proces duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës fton subjektet e interesuara të dorëzojnë kërkesat e tyre të shoqëruara me një CV pranë Institucionit të Presidentit të Republikës. Kërkesa duhet të jetë e nënshkruar dhe e skanuar dhe të dërgohet në adresën elektronike [email protected], deri në ditën e enjte, dt. 21 mars 2013, ora 24:00.

Por  si qëndron e vërteta e tre dekreteve të Presidencës për vendet vakante. Në kohën kur në krye të shtetit ishte President zoti Bamir Topi, ky i fundit i dërgoi tre dekretet në Kuvend për miratim. Kuvendi nuk i pranoi si dekrete me arsyetimin e mospasjes së vendeve bosh dhe ja kaloi për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, e cila i rrëzoi dekretet e Presidentit. Por pas kësaj, një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Petrit Plloçi dha dorëheqje me arsyetimin se, “mandati më ka përfunduar dhe se unë nuk mund të ushtroj më tej këtë mandat”. Në këtë moment, Presidenti Topi dërgoi në Kuvend afërsisht rreth 8 muaj më parë dekretin me emrin e Artan Hoxhës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Emri i Artan Hoxhës, i cili vinte nga Gjykata e Lartë, padyshim që kishte mbështetjen e ekspertëve dhe titullarëve të Gjykatës së Lartë Amerikane dhe ambasadorit aktual të OSBE-së në Tiranë. Në një takim që është bërë në hotel “Rogner”, një nga funksionarët më të lartë të Gjykatës Amerikane në takimin, ku ishte i pranishëm Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentarja Topalli deklaroi se, Shqipëria ka emra të denjë për Gjykatën Kushtetuese dhe padyshim njëri prej tyre është ai i Artan Hoxhës. Por ajo që bie në sy është fakti se nga tre vende që ka për Gjykatën Kushtetuese  Presidenti Nishani ka shpallur si vende vakante vetëm dy. Ndërsa të tretin, ai e konsideron dekretin e ish-Presidentit Topi, i cili ndodhet i arkivuar në Kuvend dhe deri në momentin që Kuvendi nuk e ka marrë në shqyrtim konsiderohet i saktë. Me këtë rast Presidenti Nishani tregon një shenjë qytetarie, por mbi të gjitha si respektues i shtetit të së drejtës dhe Kushtetutës së vendit. Padyshim që edhe dje ky akt mori vlerësime jo vetëm të institucioneve dhe përfaqësuesve politikë në Parlament, por edhe atyre ndërkombëtar që e kanë ndjekur në heshtje këto zhvillime. Me këtë zgjidhje që ka bërë Presidenti Nishani tregoi se njeh dhe respekton vazhdimësinë e institucionit të Presidentit të Republikës dhe se respektimi  i dekretit dhe zbatueshmëria e tij  nuk ka të bëjë me emra të veçantë. Përfaqësues të së majtës të pyetur dje pas takimeve në mënyrë konfidenciale deklaruan se, i njohin dhe do i votojnë dekretet pasi qëndrimi i Presidentit Nishani tregoi për këtë rast një shkëputje të tijën nga ndërhyrjet e partisë- shtet.