Ndryshimi i emrit nga Liqenas (emërtim shqip) në Postec (emërtim sllav) është një turp!

643
Sigal

Ç’kombëtarizimi,  për të përfituar ca…vota

 Ndryshimi i emrit të Komunës nga Liqenas (emërtim shqip)  në Postec  (emërtim sllav) është një turp i madh i deputetëve  tanë, që votuan në Kuvend, sepse shitën çështjen kombëtare. A nuk është domethënëse që shumica e atyre që kërkuan këtë ndryshim emri, kanë edhe shtetësinë maqedonase? Mundet, nesër këta, siç hodhën poshtë toponiminë shqipe, mund të flakin edhe shtetësinë shqiptare. 

Kuvendi miratoi dje me konsensus të plotë, 121 vota, nismën e deputetëve të PD-së për ndryshimin e emrit të komunës Liqenas në Qarkun e Korçës, e cila tashmë do të quhet Pustec. Edhe PS-ja, votoi “pro”, kësaj nisme të deputetëve të PD-së. Duhet thënë, kjo nismë e ndërrimit të emrit të të Komunës të Liqenas, është tentuar edhe në 2009-n, por atëherë ishte kundërshtuar nga PS-ja. Natyrisht, në 2009-n, PS-ja e kishte kundërshtuar, duke u mbështetur në parimet e ruajtjes të identitetit kombëtar. Ndërsa tani, PS-ja, ndryshoi politikën e saj, duke gjykuar më të ngutshme, më të domosdoshme nevojën për të fituar qoftë edhe një numër votash. Në grupin parlamentar, kryetari i PS-së, Edi Rama, u ka thënë deputetëve se: “Ne u kemi dhënë fjalën (kryetarit të Komunës Liqenas, Edmond Themelko), që do t’i mbështesim, ndaj edhe nuk mund të veprojmë ndryshe”.  Kryetari i PS-së, kur thotë “do t’i mbështesim”, ka parasysh që do t’ju japë votën në Kuvend, për ndërrimin e toponimeve të Komunës, në këmbim të… disa votave. Pra, PS-ja ndryshon qëndrimin e vet, ndaj një çështjeje shumë të rëndësishme, vetëm e vetëm për shkëmbim të disa votave që premtohen se do të jepen në 23 Qershor. Tjetër arsyetim, gjuhësor, historik, PS-ja nuk ka, që të legjitimojë ndryshimin e qëndrimit të saj në 18 mars 2013, nga mosdhënia e votave në 2009-n.  Si ka mundësi që PD dhe PS të votojnë me kaq lehtësi, me vendime politike ndryshimin e toponimeve të një krahine, nga emërtimi shqip ( Liqenas), në një emërtim sllav? Në Kuvend, nuk u paraqit asnjë dokument, asnjë studim, qoftë gjuhësor, qoftë arkeologjik, qoftë edhe historik, që të bindë në domosdoshmërinë e ndryshimeve të toponimeve të krahinës nga shqip në sllav. Por, është ndërhyrja e Kryetarit të Komunës të Liqenasit, Edmond Themelko, i cili është edhe kryetar i shoqatës “Druzhda Prespa”. Të drejtat e Njeriut a mund të justifikojnë edhe ndryshimin e emërtimeve të toponimeve të vendit, pikërisht, sepse kështu do një shoqatë? Nuk bëhet fjalë për ndërtimin e kulteve fetare.  Apo, meqë në një kohë të caktuar shumica e popullsisë është minoritare? A kanë dokumente arkeologjike shoqata “Druzhda Prespa” që të dëshmojë që kjo tokë ka lidhje me toponimet sllave?  Deputetët që votuan dëshirën e kryetarit të shoqatës “Druzhda Prespa”, a  mund të thonë se ajo tokë është tokë sllave? Apo ka histori sllave, që të përligjë emërtimin sllav? Duke shkombëtarizuar toponimet dhe duke u dhënë (me votat e Kuvendit) emërtime sllave, a nuk do të thotë që në një kohë jo të largët, dikush të  ketë të drejtën të kërkojë  pretendime territoriale ndaj Shqipërisë,  se edhe kjo krahinë është sllave, dhe jo shqiptare? Dhe prova e parë që do të paraqitë si fakt,  është emërtimi krahinor! Cili shtet,  e ca më pak shtet në Ballkan, do të lejonte, kaq lehtë, sot e mot, por edhe në të kaluarën, kaq lehtësisht, sikundër vepruan PD dhe PS me 121 votat, t’i heqin një komune emërtimin shqip dhe t’i japin emërtimin sllav? Edhe deputetët Majko e Fino, fillimisht kundërshtuan, meqë kryetari i Komunës nuk u ishte drejtuar edhe opozitës dhe jo për arsye tjetër, sikurse shkombëtarizimi i toponimeve të krahinës! Lind pyetja. Përse tani, në prag zgjedhjesh, kryetari i shoqatës “Druzhda Prespa” u ka kërkuar PD-së dhe PS-së, që të votojnë në Kuvend ndërrimin e emrit në një emërtim sllav? E kuptueshme përgjigja. Kryetari i shoqatës “Druzhda Prespa” u ka bërë pazarin e votave  partive politike. Kaq lehtë! Kaq thjesht! Sepse për PD-në dhe PS-në, kryesore, mbi çdo ideal kombëtar,  është qëllimi i marrjes së pushtetit!