Grabitet me kamion baza e avionëve

387

SKANDALI/ Grabitet me kamionë baza e avionëve të Kuçovës,  ku porta kryesore e tunelit ishte me kod, dyshohet për urdhra të dhënë nga drejtuesit

Pjesa më e lavdishme e krenarisë së aviacionit shqiptar, që përbëhet nga Mig 15, Mig 17, Mig 19 dhe Mig 21 tani do të përfundojë për skrap. Sepse, pjesë të këtyre avionëve janë vjedhur gjatë këtyre ditëve, nën hundën e rojeve dhe oficerëve të lartë, duke hapur portën e tuneleve me një kod të caktuar. Avionët luftarakë reaktivë MiG, të cilat nuk u mposhtën dot, as nga lufta e ftohtë dhe as nga presionet e kundërshtarëve, sot rezultojnë të vjedhura nga duart e hajdutëve të lartë, të cilët mund të kenë lidhje me qarqe të pushtetit. Të gjithë llojet e MIG-ëve që e renditën Shqipërinë në vendin më të fuqishëm ajror për Ballkanin, tani duhet të hiqen nga evidencat e inventarit të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse janë zhdukur. Zhdukja nuk është bërë, as pas sulmeve me avionë të tjerë luftarakë dhe as pas betejave luftarake për mbrojtjen e kufijve.  Por thjesht, pas veprimeve të hajdutëve, të cilët duan t’i shesin për skrap.

Vjedhja

Vazhdon seria e vjedhjeve në Aerodromin Ushtarak të Kuçovës. Pas magazinave këtë herë e ka pasur radhën tuneli sekret i sigurisë së lartë. Burime shumë të sigurta brenda Aerodromit, bëjnë të ditur për “Telegraf”, se këto ditë është vjedhur krenaria e Aerodromit shqiptar. Tuneli është mbajtur thuajse gjatë gjithë historisë së vet, në mënyrë tepër sekrete, në të gjitha kohërat. Madje, tuneli hapej në raste shumë të veçanta dhe në fshehtësi të plotë, për delegacionet e larta ushtarake. Dhe hapja bëhej vetëm me urdhrin direkt të ish -komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha. Ministria e Mbrojtjes, i çonte anëtarët e këtyre delegacioneve në këto tunele gjigande, duke u shpjeguar aleatëve të dikurshëm, se tuneli kishte dyer të llogaritura që të përballonin rrezet atomike. Pikërisht, ky tunel, i cili u ka përballuar situatave shumë të vështira dhe presioneve të batalioneve kundërshtare, këto ditë është vjedhur në mënyrë spektakolare nga grupe anonime dhe misterioze, të cilat të drejtojnë nga pushtetarët.

Vjedhja

Burime brenda Komandës së Aerodromit bëjnë të ditur se, janë vjedhur 14 krahë avioni të tipit “Jak” me përbërje duralumin. Këta krahë avioni kishin ardhur nga ish-komanda e Shkollës së Vlorës dhe për siguri ishin vendosur brenda në tunel. Krahët kanë gjatësi të madhe dhe nuk mund të transportohen pa ndihmën e një mjeti. Skandali është zbuluar pas një inventari. Aty është konstatuar se mungonin 14 krahët e avionit tip “Jak”. Vjedhja është mbajtur sekret nga drejtuesit e komandës, por vjedhja nuk mbaron këtu, me krahët e avionit, fatin e tyre e kanë pasur dhe 25 Radiatorët e motorëve të avionit tip “AN- 2”. Gjithashtu burime zyrtare nga brenda komandës bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se janë vjedhur brenda në tunel edhe 3 motorë të avionit tip “Jak”. Burime jo zyrtare, por tepër të sigurta që vijnë nga brenda komandës, bëjnë të ditur se këto motorë mund t’u jenë shitur personave të huajë. Sipas të dhënave, motorët e avionit tip “Jak” shërbejnë për shkollat e aviacionit që ka në të gjitha shtetet europiane. Këto shkolla kërkojnë pjesë këmbimi, tha burimi ynë.

Siguria e lartë

Siguria e tuneleve është tepër e lartë, por mundësia e vjedhjes së tyre është aq e lehtë, saqë për këtë vjedhja akuzohen, fëmijët romë. Por çështja është më e ndërlikuar dhe vjedhja akoma më e sofistikuar. Sepse aty, askush nuk kalon dot pa urdhrin e drejtuesit të lartë. Sipas informacioneve porta e tunelit prej vitesh hapet me kod. Tuneli ruhet nga një truproje. Ky tunel vetëm me urdhër të veçantë hapet. Pra, vjedhja është kryer e organizuar nga lart, nën hundën e rojeve. Burime tepër të sigurta që vijnë nga komanda bëjnë të ditur se tuneli është mbajtur prej vitesh tepër sekret. Madje, edhe në vitet e trazirave të 1997, nuk u arrit të hapej nga bandat. Madje për ruajtjen e tij është plagosur rënd një nën oficer pasi ka kundërshtuar më forcë bandat për hapjen e tunelit. Sot në një kohë shumë të qetë, tuneli hapet dhe vidhet pa gjë të keqe. Sipas disa ushtarakëve, por që nuk duanë të identifikohen për shkak të detyrës, shprehen: “Krahët e avionit janë të gjatë dhe për t’i ngarkuar ato është futur kamioni brenda. Më pas grabitësit shumë të qetë kanë shkuar në destinacionin që kanë dashur personat që kanë urdhëruar vjedhjen e tyre”. Sipas ushtarakëve bëhet e ditur se krahët e avionit janë me përbërje duralumini. Ndërsa Radiatorët kanë përbërje metal me ngjyra. Mund të jenë shitur për skrap apo për qëllime të tjera. Disa ushtarak janë shprehur se pas mbylljes së Uzinës së Riparimit të Avionëve si dhe nxjerrja jashtë funksionit të tipit të avionëve Mig 15, Mig 17, Mig 19 dhe Mig 21, filluan dhe vjedhjet në këtë Aerodrom. Burimet brenda komandës thanë për gazetën se vjedhjet kanë filluar nga muaj janar dhe në vazhdim.

Vjedhjet seri

Disa muaj më parë u vodhën magazinat e ish-uzinës, ku dyert ishin me vula. Edhe ky rast është cilësuar si një vjedhje spektakolare pasi falsifikohej vula e derës. Shumë vjedhje kanë ndodhur në këtë Aerodrom, ku një pjesë e tyre është mbyllur brenda përbrenda, për të mos i bërë të ditura në media ndërsa të tjerat janë bërë publike. Do të jenë hetimet ato që do të zbardhin vjedhjen spektakolare në tunelin sekret të sigurisë së lartë. Do të jenë këto hetime që do të vënë parë ligjit të gjithë ata persona që kanë dhënë urdhër për marrjen e këtyre materialeve të shtrenjta që ndodheshin në tunel.