Nishani dekoron ambasadorin, Gaiani: Italia mbështet integrimin e Shqipërisë

457
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dekoron me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” ambasadorin e Republikës Italiane, Massimo Gaiani. 
Dekorimi i Gaianit erdhi me rastin e mbarimit të mandatit ndërsa Nishani “e vlerësoi për punën e pashembullt për marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë”.
Gjatë fjalës Nishani tha se Gaiani është një mik i mirë i shqiptarëve i cili në punën 4-vjecare ka dhënë kontribut të madh duke forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Gaiani në katër vjet të misionit të tij diplomatik në Shqipëri, përmes një agjende ambicioze dhe shumë aktive, ka arritur t’i dinamizojë më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i forcuar e thelluar ato më tej.Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri Ambasadori Gaiani ka krijuar profilin e një miku të mirë dhe diplomati profesionist. Angazhimi i tij është shumëplanësh, duke filluar nga marrëdhëniet diplomatike tradicionale e deri tek diplomacia ekonomike, kanë bërë që ai të jetë një bashkëbisedues dhe mik i shqiptarëve në të gjithë vendin. Por, përtej të gjitha këtyre, mendoj se roli dhe aktiviteti i Ambasadorit Gaiani nuk mund të ishin ndryshe. Ato reflektojnë saktësisht nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, të cilat janë historike dhe shumë të veçanta” u shpreh Nishani. 
Presidenti nënvizoi dhe vlerësoi mbështetjen e Italisë duke e vlerësuar si një ndër avokatët më të mirë për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Edhe në kuadrin e procesit të integrimit evropian, Italia ka qenë një ndër avokatet më të mira të Shqipërisë dhe nëse sot jemi vend kandidat në Bashkimin Evropian, kjo ka ndodhur edhe falë ndihmës bujare e të gjithanshme të Italisë. Mbështetja dhe ndihma për avancimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi, kanë dhënë frytet e tyre dhe kanë bërë që Shqipëria të avancojë më shumë drejt Bashkimit Evropian” – nënvizoi kreu i Shtetit.
Nishani u ndal edhe tek vizita e ish-presidentit italian Giorgio Napolitano të cilin e vlerësoi për kontributin ndaj Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
Duke përfunduar fjalën Nishani nuk la pa përmendur takimin me kryeministrin italian mateo Renzi por edhe me Ministrin e Brendshëm Alfano dhe Ministrin e Drejtësisë Orlando të cilët i vlerësoi për mbështetje të fuqishme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Mesazhet kuptimplote dhe inkurajuese të Presidentit Napolitano për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht premtimi se, së bashku do të fitojmë kauzën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, na kanë inkurajuar më shumë në rrugën e reformave dhe na kanë forcuar më shumë besimin në të ardhmen tonë evropiane. Gjithashtu, kujtoj me kënaqësi bisedën e zhvilluar me Kryeministrin Matteo Renzi në fund të vitit që shkoi, por edhe me Ministrin e Brendshëm Alfano dhe Ministrin e Drejtësisë Orlando. Në të gjitha këto takime kam konstatuar mbështetjen e fuqishme të Italisë për Shqipërinë dhe shqiptarët” përfundoi Nishani.
Në mbyllje Presidenti i Republikës i uroi ambasadorit Massimo Gaiani gjithë të mirat në jetën e tij personale, si dhe shumë suksese në detyrën e tij të re e impenjative, në Ministrinë e Punëve të Jashtme italiane. 
Sigal