Nard Ndoka: Krapi i korrupsionit është vetëm 1, ai është Edi Rama

650
Jakup B. GJOÇA
Rama është amator dhe delirant i politikës së Jashtme, çfarë ka krijuar një kosto kombëtare duke u bërë pengesë në integrimin tonë evropian
Deputeti i Opozitës Nard Ndoka, kryetar i PDK, në intervistën për gazetën “Telegraf” e cilëson kryeministrin Rama, si “Krapin” numër 1 të korrupsionit, ndërsa reforma në drejtësi nuk mund të ketë besueshmëri, derisa nuk votohet me konsensus çdo hallkë e zbatimit të saj. Sipas zotit Ndoka, “vaji” i luftës kundër korrupsionit do të “nxehet” vetëm kur të kemi zgjedhje të lira parlamentare. Zoti Ndoka e pranon që ende Opozita nuk ka alternativë qeverisëse. Duke iu referuar informacioneve për marrëveshjet e kryeministrit Rama me Greqinë, (pasi asgjë nuk është bërë transparente) zoti Ndoka thotë se kryeministri Rama është delirant i Politikës së Jashtme. 

-Zoti Ndoka, tani që kryeministri Rama e ka i vetëm Timonin e qeverisjes, sa është përmirësuar qeverisja në Shqipëri? 
– Qeverisja është përkeqësuar deri në atë masë, sa edhe Rama nuk po beson veten se është kryeministër! Skandale, korrupsion, konfuzion, mungesë dialogu dhe agoni; kjo është tabloja që po shoqëron Ramën me timonin e tij që, as po orientohet, as po përmirësohet në drejtimin e pushtetit të vjedhur e trafikuar. Rama do përplasë veten dhe kabinetin me timonin e tij, shpresojmë pa pasoja për institucionet dhe vendin.

– Sa besueshmëri në drejtësi do të kemi, derisa Kryeprokuroren e Përkohshme e votuan vetëm deputetët socialistë, dhe jo me konsensus politik? 
– Për sa kohë nuk ka dialog dhe konsensus për reformën në drejtësi, do të kemi drejtësi të gjymtuar, që do luftojë politikisht eksponentë të opozitës. 

– Sipas jush, cili është “Peshku i madh” i Korrupsionit? 
– Krapi i korrupsionit është vetëm 1, ai është Edi Rama, të tjerët janë viktima të skemës korruptive, që ka ngritur tashmë në sistem kryeministri aktual. 

– Mungon “Tigani”, apo “Vaji” për të skuqur “Peshkun e madh” të Korrupsionit? 
– Mungojnë zgjedhjet e lira, që sistemi të funksionojë. Sapo të sigurojmë standarde për zgjedhje të lira parlamentare, do ketë edhe “vaj” për drejtësinë. 

– Zoti Ndoka, a mund të ndodhë, që një drejtor i ministrisë të korruptojë fonde të investimeve dhe ministri të mos ketë përgjegjësi politike dhe penale? 
– Ministri është funksion politik, përgjegjësia për korrupsion është e komisioneve të tenderëve, specialistëve dhe drejtorëve, ato duhet të mendohen mirë para se të hedhin firmat e tyre! Përgjegjësia mbetet morale e politike, por ligjore atëherë kur ministri ndërhyn me shkresë zyrtare për të devijuar procedurat, për të favorizuar subjekte e kompani preferienciale.

– BE thekson me të madhe për korrupsionin aktual në Shqipëri. Ju si e shpjegoni, që kaq kohë nga reforma në drejtësi, ende asnjë ministër socialist nuk është thirrur në Prokurori për korrupsion. Apo mendoni, se nuk ka ministër të kësaj qeverie të korruptuar? 
– Në fakt ka një ministër me akuzën më të rëndë në këto vite pluralizëm, ka të tjerë që presin radhën, që Rama nuk pati as kurajën politike as morale që t’i fusë sërish në kabinet!

– Pse sot ambasadorja e BE Vllahutin kritikoi Opozitën në Shqipëri për reformat e integrimit? 
– Vllahutin është treguar e njëanshme disa herë, gjithsesi opozita duhet të vendosë në mënyrë institucionale mekanizëm informimi për faktorin ndërkombëtar edhe përtej zyrtarëve dhe përfaqësuesve që janë në Tiranë.

– A bind sot opozita për opozitarizmin e saj Politik?
– Opozita ka problemet e veta, por është në lartësinë e reagimit politik e institucional. Për t’u kthyer në një alternativë qeverisëse dhe e besuar na duhet akoma shumë përpjekje. 

– Përse mungojnë alternativat qeverisëse nga Opozita? 
– Se akoma nuk është formalizuar programi, strategjia dhe agjenda opozitare! Gjykoj se kemi ende kohë, por jemi në të njëjtën gjatësi vale si opozitë e bashkuar. 

– A duhet të djegë Opozita mandatet, derisa mazhoranca sillet me arrogancë në Parlament? 
– Është një prej alternativave, gjithsesi është masë ekstreme, pasi Kuvendi është institucioni që zgjidh krizat politike, nëse fusim në krizë Kuvendin, kriza vazhdon gjatë dhe pasojat janë të rënda për të gjithë. Unë jam për dialog politik dhe përballje idesh dhe programesh në Kuvendin e Shqipërisë.

– A ka tradhti kombëtare në marrëveshjet diplomatike të kryeministrit Rama me Greqinë, lidhur me kufijtë detarë, siç deklaroi para pak javësh ministri i Jashtëm Grek Kotzias? 
– Nuk besoj në skenarë të tilla, Rama ka gabuar rëndë në marrëdhëniet diplomatike me fqinjët, si me grekët ashtu me maqedonasit. Rama është amator dhe delirant i politikës së Jashtme, çfarë ka krijuar një kosto kombëtare duke u bërë pengesë në integrimin tonë evropian. Rama mbetet një nacionalist artificial, që krijon kosto sa herë që flet për fqinjët, për familjet shqiptare që jetojnë e punojnë në Greqi.
Sigal