Niko Peleshi: Shqipëria në rrugë të sigurtë drejt BE-së, konsensus i plotë politik për integrimin

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se Shqipëria po ecën me ritme të qëndrueshme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar përkushtimin institucional dhe politik ndaj këtij objektivi strategjik kombëtar.

Gjatë takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit BE–Shqipëri, të zhvilluar në Tiranë, Peleshi vlerësoi progresin e bërë në procesin e reformave dhe nënvizoi hapat konkretë që po ndërmerren për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit.

NOA

Ai nënvizoi se Shqipëria ka hapur negociatat për pesë grup-kapituj dhe është në procesin e përgatitjes për të hapur kapitullin e fundit, duke bërë të ditur se synimi i Shqipërisë është përfundimi i negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi zyrtar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi kryesor strategjik i Shqipërisë. Synimi ynë është që të përfundojmë negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe ti bashkohemi zyrtarisht Bashkimit Evropian deri në vitin 2030”, deklaroi ai.

Kryetari i Kuvendit u shpreh i bindur se anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime të mëdha për Shqipërinë, përfshirë zhvillimin ekonomik, stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Peleshi nënvizoi konsensusin e gjerë politik në Shqipëri për integrimin evropian.

“Rruga e Shqipërisë drejt integrimit evropian është një vizion që i kapërcen dallimet politike, të bashkuar në bindjen se integrimi evropian është rruga më e mirë për të ecur përpara për mirëqenien, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë”, tha ai.

Sipas Peleshit, 91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE, dhe ky është një qëllim i përbashkët i të gjitha forcave politike dhe institucioneve shtetërore.

Ai theksoi se ky proces nuk është një angazhim i vetëm i qeverisë, por i gjithë shoqërisë, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile dhe aktorët jopolitikë. “Rruga e Shqipërisë drejt integrimit evropian është një vizion që i kapërcen dallimet politike, të bashkuar në bindjen se integrimi evropian është rruga më e mirë për të ecur përpara për mirëqenien, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tone”, tha ai.