Berisha: 1 miliard euro të humbura nga inceneratorët dhe pazari i Ramës me CEZ, Dumani “avokat” i vjedhjeve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend denoncoi, nga pozicioni i opozitës, mungesën e rezultateve konkrete nga hetimet për çështjet e CEZ-it dhe inceneratorëve, ku sipas tij janë humbur shuma të mëdha parash publike.Ai theksoi se qytetarët paguajnë pasojat e një sistemi të kapur nga korrupsioni, ndërsa drejtësia nuk e ndjek në mënyrë efektive përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.Berisha e kritikoi Altin Dumanin, duke e paraqitur si mbrojtës të këtyre kontratave dhe shpenzimeve që nuk janë verifikuar, duke theksuar se hetimet e SPAK janë ende në fazën paraprake për shumë prej çështjeve të përmendura, përfshirë djegësin e Tiranës dhe koncesionet e inceneratorëve.Ai argumentoi se, sipas llogarive të tij, shumat e humbura nga këto procese arrijnë deri në 1 miliard euro, duke theksuar nevojën për përgjegjësi reale dhe transparencë në menaxhimin e fondeve publike.“Të dashur qytetarë dhe qytetare, ishte një rast unik në jetën tuaj për të gjithë ata, në jetën e tyre që ndoqën këtë seancë se si panë grupin e mëkatarëve të strukur, të përulur gjer në dhe. Se si e panë avokatinë e shpifur që iu bë këtu një sistemi, i cili po penalizon më shumë se cilindo tjetër, qytetarin e thjeshtë. Ju, avoketërit e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni këtu se për qytetarët shqiptarë që vetëm me CEZ-in kanë humbur 630 milionë euro, fatura të certifikuara nga kompani ndërkombëtare, për shkak të pazarit që Edi Rama ka bërë me kompaninë CEZ, ndërkohë që arbitri ndërkombëtar i shkruante letër dhe i thoshte zoti kryeministër mos bëj marrëveshje, sepse qeveria shqiptare është në pozitën e fituesit. Por këto i mbulon Dumani dhe dumanërit. Ai që e pëson nga ky qëndrimi i tij dhe i tyre është qytetari shqiptar, i cili pagoi sa qimet e kokës 400 milionë euro për inceneratorët që nuk kanë as nam as nishan sot. A e dini ju o qytetarë se kush është dënuar për djegësin e Tiranës? Është dënuar Arben Ahmetaj që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim. Dhe u dënua, sepse u gjetën pllakat e banjos. Domethënë 140 milionë euro kushtonin sa pllakat e banjos të ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt. A e dini o qytetarë se të marra së bashku këto bëjnë 1 miliard euro?

 

NOA