Nesho: Pse vendimi për Janullatosin ishte i drejtë

575
Reagimet për dhënien e nënshtetësisë shqiptare për kryepeshkopin Janullatos ishin pozitive. Për të folur për këtë çështje, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve të “Top Channel” ishte diplomati Agim Nesho. Nesho rendit tri arsye se përse vendimi i Ilir Metës është i drejtë. 

“Së pari, Janullatos është një figurë e shquar e jetës shoqërore në Greqi. Ka një respekt për të në shoqërinë greke dhe si e tillë politika greke e nderon”, thotë ai. 

Së dyti, sipas Neshos, “pavarësisht se feja është e ndarë nga institucionet, vetë kryepeshkopi ka një besim tek minoritarët, një besim për devotshmërinë në ringritjen e kishës shqiptare ortodokse”. “Në këtë kuptim, ky minoritet dhe një pjesë e popullsisë shqiptare në Greqi, është një urë lidhëse mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe për këtë politika greke nuk mund ta anashkalojë”, vijoi Nesho. 

Së treti, Nesho thotë se ky akt tregon se shqiptarët nuk asimilohen, përkundrazi. “Është një akt, që pas dy dekadash që ka shërbyer në Shqipëri, pasi është anëtar nderi i shumë qyteteve në Shqipëri, duhet të jetë edhe një qytetar shqiptar. Kjo tregon që shqiptarët, jo vetëm nuk asimilohen, por asimilojnë të tjerët duke respektuar të tjerë përmes një shteti demokratik dhe fesë të ndarë nga shteti”, përfundoi Nesho.
Sigal