Nga SHBA në Strasburg/ Këlliçi: PD në takime të vazhdueshme me ndërkombëtarët, PE u informua për narkoshtetin në Shqipëri

Në një intervistë, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ndau qëndrimet e tij mbi zhvillimet e fundit politike dhe aktivitetet ndërkombëtare të opozitës shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e një turi takimesh të realizuar nga përfaqësuesit e PD-së me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, ku spikatën takimet në Strasburg dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këlliçi u shpreh se të huajt e kanë cilësuar Shqipërinë si “narkoshtetin e parë në Europë,” duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe drejtimin e një regjimi autokratik. Sipas tij, këto çështje janë bërë pjesë e rëndësishme e diskutimeve në Parlamentin Europian dhe në qarqet ndërkombëtare.

NOA

Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Partisë Popullore Europiane dhe organizatave të tjera për opozitën dhe liderin e PD-së, Sali Berishën. Për Këlliçin, këto zhvillime tregojnë përpjekjet e vazhdueshme të opozitës për të denoncuar regjimin aktual dhe për të mbrojtur interesat demokratike të vendit.

KËLLIÇI:

Është një tur takimesh që është ndërmarrë nga shumë funksionarë të Partisë Demokratike me partnerët tanë kryesorë. Padiskutim, mes tyre spikasin takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet në Strasburg, të zhvilluara para një muaji, ku 30 deputetët e Partisë Demokratike patën mundësinë të informojnë pjesën dërrmuese të Parlamentit Europian lidhur me narkoshtetin e ngritur në Shqipëri, narkoshtetin e parë në Europë, që drejtohet nga Edi Rama.

Mos harroni takimet e ditëve të fundit, ku unë, së bashku me mikun dhe kolegun Tomorr Alizoti, patëm takime në Berlin. Atje u takuam me deputetë të CDU-së dhe me drejtuesit kryesorë të fondacionit politik të Kristian-Demokratëve Gjermanë.

Ditën e nesërme, së bashku me Albana Vokshin dhe Endri Çenon, do të jemi pjesë e një delegacioni zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në samitin vjetor të organizatës botërore të partive të djathta.

Mos harroni rezolutat e miratuara para dy javësh, të cilat ishin shumë të forta në mbështetje të opozitës shqiptare, Partisë Demokratike dhe liderit të saj, kryetarit të PD-së, doktor Berishës. Veçanërisht spikat rezoluta e CDI-së, që e konsideroi Sali Berishën një të burgosur politik, ndërsa Shqipërinë e cilësoi një narkoshtet. Ashtu siç është, Edi Rama u përshkrua si një person i lidhur ngushtë me krimin e organizuar, trafikantët e drogës dhe individë të inkriminuar, ndërsa Shqipëria u quajt një regjim autokratik.

Edi Rama, pasi mbaroi punë me Shqipërinë dhe qeverinë – sipas tij – ka kaluar në “reformimin” e opozitës. Ai ishte i shqetësuar që partia jonë simotër, Partia Popullore Europiane, po mbështeste Partinë Demokratike dhe kreun e saj, Sali Berishën, me një rezolutë, duke penguar kështu reformimin e Partisë Demokratike.

E kuptoni me çfarë megalomanie dhe deliri kemi të bëjmë në këtë rast?
Rezoluta e PPE-së ka kaluar pa asnjë modifikim, pa asnjë germë apo presje të ndryshuar. Ajo u miratua plotësisht, ashtu siç ishte paraqitur nga Partia Demokratike në Asamble.