Nëntë vjet nga lumturimi i Nënë Terezës

398
Sigal

Kalendarit të festave dhe gëzimeve shqiptare më 19 tetor i vitit 2003, iu shtua edhe një ditë e shënuar, nobelistja shqiptare, Nënë Tereza (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu) u lumturua nga Papa Gjon Pali II “Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin”, duke hedhur kështu hapin e parë drejt shenjtërimit të plotë të saj. Kanë kaluar 9 vjet që atëherë dhe shpirti i saj vazhdon veprën e mirë në shërbim të njerëzimit, aq më tepër për shqiptarë. Me veprën e saj të mirë i ka dhënë një vlerësim të madh Shqipërisë dhe pa qenë nevoja të jetonte apo kontribuonte me punën e saj në Shqipëri. Ajo e ka ngritur lart figurën e shqiptarëve, si njerëz me zemër të madhe, njerëz të paqes. Dhe kjo vlen që ajo të kujtohet nga të gjithë. Po kush ishte Nënë Tereza? Misionare katolike e përkushtuar ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe nevojtarëve. Lindi në Shkup më 26 gusht 1910 në një familje shqiptare nga Shkodra. Fillimisht u bë murgeshë në Dublin (Irlandë). Në nëntor të vitit 1928 vendoset në Kalkutë të Indisë, ku bëri betimin si motër me emrin Tereza. Me urdhrin e Selisë së Shenjtë themeloi “Urdhrin e Bamirësisë” për të sëmurët lebrozë, ku grumbulloi shumë gra e vajza rreth këtij urdhri. Me shërbimet e saj humanitare ajo u bë gruaja më e admiruar në opinionin botëror dhe u nderua me çmime të larta, midis tyre edhe Çmimin “Nobel të Paqes” në vitin 1979. në vitin 1989 vjen për herë të parë në Shqipëri për të bërë homazhe në varret e nënës dhe të motrës së saj. Vdiq më 5 shtator 1997 dhe u varros në Kalkutë. Në tetor 2003, Papa Gjon Pali organizoi një ceremoni në Vatikan për lumturimin e saj. Sot Urdhri i Nënë Terezës numëron 4000 misionarë në 100 vende të botës.