Në shtator nis zbatimi i ndryshimeve kushtetuese

444
Paketa e ndryshimeve kushtetuese, e miratuar me unanimitet në Kuvend më 22 korrik, pritet të nisë nga zbatimi në muajin shtator. Me miratim në shtator të paketës me 7 ligjet mbështetëse, do t’i hapet rruga ngritjes së strukturave të reja në sistemin e drejtësisë, dhe sidomos procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, i njohur ndryshe si vetingu. Ndryshimet kushtetues pritet të hyjë në fuqi gjatë muajit gusht, ndërsa zbatimi i saj do të nisë në muajin shtator, me ngritjen e strukturës së parë, asaj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Sipas përcaktimeve në ligj Presidenti i Republikës, brenda pesë ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në rast se kjo e drejtë nuk ushtrohet nga Presidenti sipas afateve, do të jetë kryetari i Kuvendit, që me short do të zgjedhë anëtarët e këtij Këshilli, brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e tij. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri më datën 31 dhjetor të këtij viti. Ndërkohë që Avokati i Popullit do të ketë në këtë proces një rol vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Pas zgjedhjes, anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka për detyrë të kryejë verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.
Ata ushtrojnë detyrën me mandat një vjeçar, që fillon më datën një janar të çdo viti kalendarik. Një tjetër institucion që do të ngrihet me ndryshimet e reja në Kushtetutë është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Inspektori emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Dy institucione të tjera që parashikohet të ngrihen në sistemin e reformuar të drejtësisë shqiptare janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Të dy këto institucione duhet të ngrihen brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.
Në paketën e ndryshimeve kushtetuese Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit(ONM) dhe procesi i vetingut, duhet të nisë të funksionojë brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit. Fillimi i punës së ekspertëve të huaj që do të monitorojnë këtë proces ndërkombëtar është e lidhur me nënshkrimin nga qeveria shqiptare të marrëveshjeve me institucionet ndërkombëtare që do vënë në dispozicion ekspertët e drejtësisë.
Ndryshimet kushtetuese përcaktojnë që ONM-ja i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Komisioneri Publik, zgjidhet pas një procesi të hapur aplikimesh që organizohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Kandidatët i paraqesin Presidentit aplikimet dhe të gjitha deklaratat shoqëruese, sipas ligjit.
Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti përpilon një listë me kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale. ONM e monitoron këtë proces. Nëse Presidenti nuk e përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aneksi, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Ligji i vendos kreut të shtetit afat 45 ditor për të realizuar gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KPK-së, KPA si dhe Komisionerit Publik.
Sigal