“Në Shqipëri lindin gjithmonë shqiponja”- Presidenti Meta në 100 vjetorin e Luftës së Vlorës: Zot i këtij vendi janë vetëm shqiptarët

255
Sigal

Në ceremoninë e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta thekson se Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar.

Sipas tij, Lufta e Vlorës mbetet edhe sot krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë.

Sipas kreut të shtetit, ata që luftuan në këtë luftë lanë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë.

Pjesë nga fjala e Metës:

Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar! Këtë e dëshmoi 100 vite më parë edhe Lufta Kombëtare e Vlorës, simboli i qëndresës së popullit tonë ndaj çdo projekti sundues, model i reagimit të vetëdijes atdhetare të shqiptarëve që marrin në dorë fatet e veta në momentet më kritike të kombit dhe Shqipërisë!

Për këtë arsye Lufta e lavdishme e Vlorës mbetet edhe sot një krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë.

Nga “Sheshi i Flamurit”, zemra e Vlorës që rreh vetëm Kuq e Zi, pata privilegjin të nderoja sot me mirënjohje të thellë disa nga patriotët, trimat dhe kapedanët që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, të cilët na kanë lënë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm, që vleu një shekull më parë, vlen ende sot e në të ardhmen, se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë, Atdheun tonë.