Në praninë e Kryetarit të Kuvendit Z. Meta zhvillohet shorti për anëtarë të KED, të ftuar përfaqësues të rëndësishëm diplomatikë

442
Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua hedhja e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në këtë aktivitet ishin të ftuar përfaqësues të OSBE-së, OPDAT-it, EURALIUS, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të grupeve parlamentare, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani si dhe përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë si dhe Prokuroria e Përgjithshme. 
Në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, tha se miratimi me konsensus i 7 ligjeve prioritare të reformës në sistemin e drejtësisë ishte një nga arritjet më të rëndësishme të sesionit të kaluar parlamentar. 
“Miratimi me konsensus i 7 ligjeve prioritare të reformës në sistemin e drejtësisë, duke i hapur rrugë zbatimit të plotë të dispozitave të reja të Kushtetutës, miratuar me konsensus dhe në bashkëpunim me partnerët tanë të BE-së dhe SHBA-së, ishte një nga arritjet më të rëndësishme të sesionit të kaluar parlamentar. Një nga risitë e ndryshimeve kushtetuese të 22 Korrikut 2016, ishte dhe krijimi i një organi të ri, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është një organ i pavarur, përgjegjës për të verifikuar përmbushjen e kushteve ligjore dhe të kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektorë të Lartë të Drejtësisë si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese”, – u shpreh z. Meta, duke shtuar se me qëllim përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi fillon me përzgjedhjen e organit të parë të qeverisjes së drejtësisë dhe konkretisht me hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në vijim të procesit, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Albana Shtylla shpjegoi se në zbatim të pikës 3 të nenit 149/d dhe pikës 11 të nenit 179 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 221 dhe 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” Kryetari i Kuvendit mori vendimin nr. 3, datë 24 janar 2017 “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
“Në zbatim të pikës 3 të vendimit të mësipërm, me Urdhër nr. 14, datë 24 janar 2017 të Sekretares së Përgjithshme është ngritur Sekretariati Teknik, i cili do të organizojë procedurat e shortit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. në vijim të parashikimeve ligjore, Kryetari i Kuvendit ka njoftuar zyrtarisht për datën dhe orën e organizimit të shortit: Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese; Kryetarin e Gjykatës së Lartë; Prokurorin e Përgjithshëm; Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si edhe Avokatin e Popullit, i cili sipas kushtetutës dhe ligjit mere pjesë si vëzhgues”, – tha znj. Shtylla, duke theksuar se në kuadër të transparencës, njoftimi, gjithashtu, është publikuar në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë ditën e martë, datë 24 janar 2017, ora 16:00. Listat e kandidatëve që plotësojnë kushtet e parashikuara nga ligji i janë përcjellë zyrtarisht Kuvendit nga institucionet përkatëse dhe janë bërë publike edhe në faqen zyrtare të Kuvendit në internet.
“Secili prej institucioneve në bazë të neneve 221 dhe 284 të ligjit 115/2016 ka përgjegjësinë për të verifikuar plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët të cilët duhen t’i nënshtrohen shortit për të qenë anëtar të KED-së”, – tha znj. Shtylla. 
Kryetari i Kuvendit, z. Meta, gjatë një ndërhyrjeje u shpreh se procesi duhet të jetë sa më transparent dhe se ka kërkuar njohjen e opinionit publik për të gjithë këtë proces.
“Jam plotësisht dakord që procesi të jetë transparent, jo vetëm formalisht dhe vizualisht, por edhe në përmbajtje. Kjo është arsyeja që personalisht i kam kërkuar Sekretares së Përgjithshme që nga momenti i shpalljes së këtij shorti zyrtarisht nga ana e Kuvendit të lihej disa ditë kohë me qëllim njohjen e të gjithë opinionit publik, por edhe njohjen të gjithë të interesuarve të cilëve mund t’u ishte mohuar për arsyeje të një interpretimi të ndryseshim apo jo të drejtë të institucioneve të caktuara e drejta për të qenë kandidat. Ne jemi këtu për të zbatuar ligjin në mënyrën më transparente. As unë dhe as ne të gjithë këtu së bashku nuk jemi një gjykatë që interpreton ligjin. Prandaj dhe gjithë drejtimin e procedurave unë ia kamë dhënë Sekretaren e Përgjithshme si drejtuesja kryesore e shërbimeve të Kuvendit edhe për të dhënë përgjigje më konkrete”, – deklaroi z. Meta, i cili kërkoi gjithashtu informacion nga Sekretarja e Përgjithshme, e cila ka ndjekur të gjithë procedurat dhe komunikimin me institucionet, nëse nga momenti që Kuvendi ka bërë publik ditën dhe orën e hedhjes së shortit, a ka patur ankesa në drejtim të Kuvendit nga prokurorë, nga gjykatës apo nga përfaqësues të institucioneve të cilat kanë për detyrë të sjellin kandidat, lidhur me mohimin sipas tyre të së drejtës për të qenë edhe ata kandidat?
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Shtylla tha se në vijim të parashikimeve të ligjit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, kujdeset për procedurën e hedhjes së shortit pasi janë kryer proceset e vlerësimit të kritereve ligjore nga institucionet e parashikuara në ligj. 
“Në përputhje dhe me parashikimet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, vendimit 11 të vitit 2014, ‘Organet e Ngarkuara me Ligj të cilat gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre përballë me zbatimin e ligjit, kanë detyrimin jo vetëm të zbatojnë ligjin por edhe ta zbatojnë atë’. Nisur dhe nga përcaktimet kushtetuese, ligjore dhe jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese, është vlerësuar që Kuvendi i Shqipërisë nuk është pjesë e procesit të vlerësimit të kritereve ligjore për kandidatët të cilët janë përcjellë nga institucionet të cilat janë të ngarkuara për zbatimin e ligjit dhe më tej të drejtën e kanë për ta interpretuar atë, – tha znj. Shtylla. – Sa i përket ankimit, në fakt në nenin 221, ankimi i referohet procedurës normale të zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, dhe jo dispozitave tranzitore, pavarësisht kësaj, ai parashikohet si proces në fazën e parë, pra mbasi institucionet kanë bërë përzgjedhjen e kandidatëve. Në fazën që listat i janë përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç edhe thotë neni 284, nëse Presidenti do ta kishte ushtruar këtë kompetencë, ai duhet ta ushtronte pa vonesa, pra pa pritur vlerësime apo ankesa të ndryshme. Lidhur me ankesa konkrete, dje ka pasur një sensibilizim vetëm nga një gjyqtar, duke u shprehur në mënyrë eksplicite vetë gjyqtari, që nuk kam të drejtën të ankohem në këtë fazë të procesit, por thjesht ju bëj me dije që unë mendojë se nuk jam përfshirë në mënyrë korrekte. Por i vetëdijshëm vetë gjyqtari që nuk është faza në të cilën do të kishte ushtruar pikërisht këtë të drejtë të tij. Ne si shërbime e kemi interpretuar që Kuvendi dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, ka për detyrë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, ushtrimin e hedhjes së Shortit”, – shpjegoi Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit.
Procedura e hedhjes së shortit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi
Bazuar në pikën 3 të nenit 149/d dhe pikës 11 të nenit 179 të Kushtetutës, si dhe të nenit 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, kompetencën në verifikimin e kritereve ligjore që duhet të plotësojnë kandidatet për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, si dhe në hartimin e listës përfundimtare të kandidateve që do ti nënshtrohen shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e kanë përkatësisht Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 
Kryetari i Kuvendit, mbështetur në dispozitat ligjore të sipërcituara si dhe në vendimin nr. 11 datë 06.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese i cili thekson se “janë organet e ngarkuara nga ligji dhe gjykatat e juridiksionit të zakonshëm të cilat gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, jo vetëm kanë detyrimin të zbatojnë ligjin, por edhe të drejtën ta interpretojnë atë”, nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë për mënyrën e zbatimit dhe interpretimit të ligjin prej institucioneve të sipërcituara në hartimin e listës të kandidateve për KED. 
Kompetenca e vetme që ushtron Kryetari i Kuvendit, bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore të sipërcituara, është organizimi pa vonese i hedhjes së shortit, për zgjedhjen e anëtarëve të KED, kur një kompetencë e tillë nuk ushtrohet prej Presidentit të Republikës. 
Ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme në shkresën zyrtare drejtuar Kuvendit, në vlerësim të plotësimit të kritereve dhe kushteve ligjore që duhet të plotësojë kandidati për të qenë anëtar i këtij organi kushtetues, ka paraqitur vetëm 1 kandidat. Në këto kushte gjatë procedurës së hedhjes së shortit u konstatua ky fakt dhe për këtë arsye procedura e shortit për zgjedhjen e anëtarit të KED që i përket këtij institucioni nuk u zhvillua. Duke qenë se në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, nga ky institucion zgjidhet 1 anëtar, kandidati i vetëm që plotësonte kushtet për t’u zgjedhur anëtar i KED prej këtij institucioni, u konsiderua ipso jure i zgjedhur anëtar i Këshillit. Për të njëjtën arsye, nuk u zhvillua edhe procedura e shortit për zgjedhjen e anëtarit zëvendësues që përket këtij institucioni. 
Gjithashtu ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme në shkresën zyrtare drejtuar Kuvendit, në vlerësim të plotësimit të kritereve dhe kushteve ligjore që duhet të plotësojë kandidati për të qenë anëtar i këtij organi kushtetues, ka paraqitur vetëm 2 kandidatë nga zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit. 
Në këto kushte gjatë procedurës së hedhjes së shortit u konstatua ky fakt dhe për këtë arsye procedura e shortit për zgjedhjen e 2 anëtarëve të KED që i përket zyrave të Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit nuk u zhvillua. Duke qenë se në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, nga zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit zgjidhet 2 anëtarë, 2 kandidatët e vetëm në listë që plotësonin kushtet për t’u zgjedhur anëtarë të KED u konsiderua ipso jure të zgjedhur anëtarë të Këshillit. Për të njëjtën arsye, nuk u zhvillua edhe procedura e shortit për zgjedhjen e anëtarit zëvendësues që përkasin zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit.
Kurse për 4 institucionet e tjera, Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, Gjykata të Apelit dhe Gjykata Administrative shorti për zgjedhjen e anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të KED-së u hodh rregullisht, pasi në listat e kandidatëve të këtyre institucioneve, përmbanin më shumë kandidatë se anëtarët e KED që i përkisnin këtyre institucioneve.
Sigal