Petrit Vasili: Besoj në proçesin e sotëm që u zhvillua për hedhjen e shortit për KED dhe transparencën në vijim

449
Doja të prononcohesha në radhë të parë lidhur me procesin e sotëm që u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë për hedhjen e shortit për Këshillim e Emërimeve në Drejtësi si anëtar i Komisionit të Reformës në Drejtësi.
Sigurisht, sot jam ndier shumë i kënaqur që starton me një transparencë të plotë, krejtësisht e hapur në sytë publikut, në prezencë të të gjithë aktorëve të interesuar, por edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, procesi i hedhjes së shortit.
Pra, starton ajo reformë e shumëpritur dhe starton me një ogur të mirë, me ogurin e transparencës, e cila e fut në rrugën e duhur këtë proces, pasi transparenca është besoj dimensioni më i mirë dhe vital që mund t’i japi jetë kësaj reforme.
Sigurisht, besoj shumë edhe në ecurinë e mëtejshme po në këtë mënyrë, pra me transparencë dhe me konstruktivitet, pasi zhvillime të tjera reforma do të ketë, ashtu sikurse janë planifikuar, por veprimi i shpejtë i sotëm dhe mënyra e të vepruarit në përputhje të plotë me ligjin, por edhe krejtësisht e hapur ndaj publikut, na bën të jemi të lumtur që reforma në drejtësi ka hyrë me këmbën e duhur dhe sigurisht këtë kisha kënaqësi ta ndaja me ju.
Pasi sigurisht fillimi i procesit është gjithmonë një fillim i vështirë, por kur ai fillon mirë, sigurisht është një kënaqësi më shumë edhe për arsyen e përfshirjes së gjatë të mjaft njerëzve, por edhe timen personalisht në këtë proces në emër të LSI-së.
Pyetje nga gazetarët 
Z. Vasili, në fillim të javës Kryetari i Kuvendit i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili”. Ndërkohë kemi pasur zëra të tjerë, edhe sot të cilët nuk e kanë pranuar për t’u mbledhur Këshilli i Sigurisë, madje edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se nuk u mblodh Këshilli i Sigurisë për Lazaratit. Cili është qëndrimi i LSI-së, për më tepër që edhe Kryetari i Kuvendit është nga radhët e LSI-së?
Se cilat janë reagimet lidhur me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit nuk besoj se ka nevojë të bëj komente, po ja lë publikut të gjerë që t’i vlerësojë se cilat janë këto komente, edhe motivet pse bëhen.
Po përsa i takon çështjes në fjalë, edhe rastësia është një ndihmë për mua, pasi unë pata mundësinë dhe fatin të isha i pranishëm në një takim të shkëlqyer që Kryetari i Kuvendit, z. Meta zhvilloi gjatë vizitës së fundit në SHBA, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, që mbulon luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar, Ambasadorin William Brownfield, i cili shprehu satisfaksion shumë të madh për bashkëpunimin e mrekullueshëm që kishte ekzistuar për reformën në drejtësi. Realizimi me sukses të plotë i të cilës është në sytë e juaj, por sigurisht ishte një vlerësim maksimal dhe nga autoritetet më të lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan.
Por i vetmi shqetësim që Ambasadori Brownfield ngriti në këtë takim, dhe si personi më i lartë përgjegjës në luftën kundër drogës në SHBA ishte mosndalimi i Klement Balilit. Dhe Ambasadori Brownfield qartësisht i kërkoi z. Meta që të nxiste autoritetet shqiptare që të bënin gjithçka për këtë çështje, pasi ky problem ishte një shqetësim të cilin ai e ngriti dhe ia kërkoi në mënyrë të qartë z. Meta, kërkoi mbështetjen e tij për të nxitur autoritetet.
Gjithashtu, në memorien tuaj është akoma e freskët që disa javë më parë Ambasadori i SHBA-ve, z. Lu ka pasur prononcime të qarta publike e shumë të hapura me shqetësimin për mosbashkëpunim midis institucioneve shqiptare dhe në raport me partnerët amerikanë të cilët kanë qenë shumë aktiv dhe në vijën e parë të ndjekjes së kësaj çështjeje lidhur me mosarrestimin e Klement Balilit.
Pyetja logjike dhe e vetme që shtrohet është kjo: Cili do të ishte reagimi i Kryetarit të Kuvendit z. Meta pas një kërkese shumë të qarta të Ndihmës së Sekretarit të Shtetit Amerikan, por edhe prononcimeve të Ambasadorit të SHBA-ve?
Përgjigja mund të ishte vetëm një dhe një përgjigje institucionale. Dhe institucioni i vetëm kushtetues që i grupon të gjitha autoritetet më të larta në fushën e sigurisë është Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe zgjidhjet do të ishin sigurisht institucionale dhe përgjigjet sigurisht do të ishin institucionale, pasi normalisht ky këshill ka të drejtën dhe tagrin të bëjë analizat dhe të nxjerrë përfundimet.
Sigurisht brenda përfundimeve dhe përgjegjësitë konkrete. Dhe z. Meta këtë ka bërë, ka bërë shumë mirë që e bëri këtë gjë dhe njëkohësisht në momentin që ndodhemi është në vlerësimin e Presidentit të Republikës për të aktivizuar apo jo Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe për të ndërtuar platformën e këtij takimi të këshillit, që përveçse do të nxisë pozitivisht dhënies përgjigjeje të një shqetësimi që ka kaluar oqeanin tashmë, do të ishte dhe një përgjigje shumë e mirë që edhe qytetarët shqiptarë e presin për çështje të tilla delikate, por me një rëndësi kaq të madhe siç është rasti në fjalë për të demonstruar edhe vullnet të fortë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe drogës në Shqipëri. 

Pra, ju po thoni se z. Meta ia dërgoi këtë shkresë Presidentit të Republikës pasi mori mesazhin nga z. Brownfield?
Besoj që përgjigja ime shumë e qartë; cila ishte nxitja, cili ishte shqetësimi amerikan i marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe shqetësimi i Ambasadorit amerikan këtu në Tiranë ka qenë po kaq i qartë. Dhe besoj se ky qëndrim institucional është jo vetëm për t’u përshëndetur, por është edhe rruga ku duhet të hyjnë qëndrimet në Shqipëri, të cilët duhet të jenë institucionale dhe jo informale. 

Diçka të fundit për reformën zgjedhore z. Vasili, pasi komisioni i posaçëm nuk po mblidhet. A do të ndërmarrë LSI-ja ndonjë nismë që të mund të ulen edhe dy forcat e tjera politike në tryezë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit?
Përsa i takon reformës zgjedhore, LSI-ja do të jetë gjithmonë gati sa herë që komisioni për reformën zgjedhore do të mblidhet, duke mbështetur propozimet dhe e gatshme të diskutojë edhe propozimet e të tjerëve. Pra, LSI do të jetë gjithmonë e gatshme 24 orë në 24, të gjithë të tjerët duhet të kenë besoj vullnet në mënyrë që ta zgjidhim edhe këtë çështje sa më parë pasi koha nuk pret. 
Sigal