“Nderi i Kombit” për Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Ahmet Myftar Ahmataj

726
Në 100-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordoi Titullin “Nderi i Kombit”, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Ahmet Myftar Ahmataj. Me këtë rast, në sallën e Teatrit “Petro Marko”, në qytetin e Vlorës, u zhvillua një ceremoni ky ishin të pranishëm qytetarë të shumtë, besimtarë, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare. 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në fjalën e vet, e cilësoi Dede Ahmet Myftar Ahmatajn, personalitet të mendimit, kulturës, besimit dhe atdhedashurisë shqiptare. “Shpreh vlerësim maksimal dhe nderimin e përunjur të institucionit më të lartë të Shtetit Shqiptar, ndaj figurave të tilla që i përkasin historisë më të ndritur të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, theksoi ai. Sipas Nishanit, “figura të tilla si Dede Ahmet Myftar Ahmataj, nuk i përkasin vetëm Vlorës dhe Labërisë, figura të tilla nuk i përkasin vetëm bektashizmit shqiptar dhe atij botëror, figura të tilla i përkasin memories sonë historike, me të cilën kemi dhe duhet të kemi të gjithë të drejtën të jemi krenarë dhe të mburremi me ta”. 

Në këtë aktivitet, Kryegjyshata Botërore nderoi më “Çertifikatën e Mirënjohjes” disa personalitete, mes të cilëve, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, deputetin Dashamir Tahiri, Babanë e Teqesë së Sarandës, Sadik Ibrokodhelaj, kryetarin e shoqatës Atdhetare Patriotike “Labëria”, Ago Nezha. 
Duke u dorëzuar certifikatat, Kryegjyshi Botëror Baba Edmond Brahimaj, theksoi se, ata kanë dhënë kontribut në mbajtjen gjallë të besimit bektashian. Leskaj, u shpreh mes të tjerash se, figurat e Bektashizmit, përveçse shenjtorë, janë edhe emra të spikatur dhe me kontribut në çështjen kombëtare. 
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Ahmet Myftar Ahmataj, përveçse një figurë e bektashizmit shqiptar, ishte edhe një atdhetar. Ai u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare prej vitit 1942, duke u rreshtuar në formacionet partizane, ndërkohë që u internua edhe nga fashizmi. Prej vitit 1948, ai ishte Kryegjyshi Botëror, por përjetoi edhe persekucionin në periudhën e komunizmit.
Sigal