Ndarja territoriale e Shqipërisë në 4 vilajete

531
Sigal

Analizë nga Av.Ledio Braho, konstitucionalist

Ky ligj është kontradiktor me Kushtetutën dhe një sërë ligjesh për vetqeverisjen vendore, duke cënuar parimin e autonomisë dhe centralizuar pushtetet në një dorë të vetme. Veç qëllimeve  elektorale  ky ligj monopolizon paratë, ndihmat e BE-së dhe largon shërbimet nga qytetarët

“Nëse i referohemi iniciativave ligjore të kësaj mazhorance gjatë këtij mandati të dytë qeverisës, duket se pjesa kryesore e tyre shkojnë në drejtim të përfitimeve partiake elektorale në tavolinë, duke krijuar një skemë vertikale varësie të pushtetit qendror që shkon deri në qelizën e fundit të ndarjes territoriale në vend”

Ligji i kohezionit cënon parimin e autonimisë vendore dhe subsidiaritetit. Pushteti vendor nga decentralizimi, shkon në centralizim

Jakup B. GJOÇA

Kuvendi, thuajse në ilegalitet ka miratuar ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, i cili në fakt rrëzon ligjin organik dhe Kushtetutën për ndarjen territoriale të Shqipërisë dhe funksionimin e pushtetit vendor, duke i marrë atij autonominë, vetadministrimin, vetfinacimin dhe duke centralizuar vertikalisht kompetencat. Av. Ledio Braho, konstitucionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke skanuar këtë ligj, evidenton se: bie ndesh me një sërë ligjesh, cënon  parimin e autonomisë vendore, i detyron njësitë vendore të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë me detyrim dhe përcaktim nga Zv.kryeministri, që bie ndesh me pikën 4 të nenit 109 të Kushtetutës. Por, mbi të gjitha, ku ligj shmang njësitë vendore nga financimi i projekteve kombëtare dhe BE-së, dhe bie ndesh edhe me parimin e kryerjes të funksioneve të ushtrimit të kompetencave në nivel qeverisjeje.  

– Zoti Braho, Kuvendi pa debat, pa pjesëmarrje të palëve të interesit, në mungesë të Opozitës reale miraton ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. Çfarë synon ky ligj?

– Nëse i referohemi objektit të ligjit që parashikohet në vetë nenin 1 të tij, ai përcakton se “Ky ligj ka për objekt përcaktimin e parimeve bazë të përgjegjësive dhe të rregullave për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në Republikën e Shqipërisë”. Si objekt duket se është vetë titulli, pra nuk sqaron asgjë më tej. Nëse i referohemi qëllimit të ligjit që parashikohet në nenin 2 të tij, përveç përdorimit të termave të përgjithshëm si “kuadër institucional e financiar”, “zhvillim rajonal”, “kohezion”, “kuadër strategjik dhe institucional”, “politika afatgjata”, “bashkërendim”, “politikë zhvillimore” etj. që më shumë do i shkonin përshtat një punimi doktorate, nuk orienton drejt asgjëje konkrete, përveç ndarjes së vendit në katër rajone dhe gjetjes së një vendi pune për Zëvendëskryeministrin.

“Ky ligj bie ndesh me parimin e subsidiaritetit që është parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisjeje sa më pranë komunitetit”   

– Duke qenë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton ndarjen territoriale dhe qeverisja e pushtetit vendor përcaktohet nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, a ka kontradiktë ky ligj i sapomiratuar?

– Ky ligj është kontradiktor me Kushtetutën dhe me një sërë ligjesh si “Për vetëqeverisjen vendore”, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)” apo dhe me ligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” që është ligj që miratohet me shumicë të cilësuar. Ky ligj cënon parimin e autonomisë vendore që është e drejta dhe aftësia e njësive të vetëqeverisjes vendore, të krijuara sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe në kuadër të kufizimeve të tij, që të rregullojnë̈ dhe të administrojnë një̈ pjesë thelbësore të çështjeve publike nën përgjegjësinë e tyre dhe në interes të bashkësisë. Vetë ligji “Për vetëqeverisjen vendore” e ka parashikuar kuadrin ligjor për bashkëveprim dhe bashkëpunim mes njësive të qeverisjes vendore edhe nëse janë pjesë e qarqeve të ndryshme. Pikërisht për shkak të autonomisë vendore, ligji këtë kompetencë për bashkëpunim dhe bashkëveprim ja ka lejuar këtyre njësive nëpërmjet “subjektit të kompetencave të përbashkëta” që është një komitet, ent, institucion, ndërmarrje ose bord, shoqëri tregtare ose person tjetër juridik, i krijuar nga dy ose më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore dhe/ose institucioneve qendrore, me qëllim kryerjen e një shërbimi ose përmbushjen e një detyrimi të përbashkët. Është pikërisht pika 5 e nenit 14 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që parashikon se “Dy ose më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore, brenda një qarku apo midis qarqeve të ndryshme, si dhe me institucione të qeverisjes qendrore, mund të lidhin marrëveshje të përbashkët për krijimin e një personi juridik të ndarë nga palët, të cilit i japin autoritet dhe kompetenca të caktuara. Në kuptimin e këtij ligji, ky person juridik quhet subjekt i kompetencave të përbashkëta. Për secilën palë përcaktohet ndihmesa financiare, ndihmesa me shërbime, ndihmesa me pajisje dhe me punonjës të kualifikuar ose çdo aset tjetër i nevojshëm për përmbushjen e objektivave”. Rëndësia e këtyre subjekteve dhe e këtij lloj bashkëpunimi del në pah sidomos sa i përket organeve kompetente për marrjen e një vendimi të tillë – këshillave bashkiakë që përfaqësojnë edhe zgjedhësit e çdo njësie vendore. Shmangia e kësaj kompetence nga vetë njësitë vendore të zgjedhura nga qytetarët tek organet kolegjiale me emërim si Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin që drejtohet nga Zëvendëskryeministri, tregon më së miri që kemi të bëjmë me një ligj që cënon rëndë parimet e vetëqeverisjes vendore. Një ligj i tillë që detyron njësitë e qeverisjes vendore të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë me detyrim dhe përcaktim nga Zëvendëskryeministri bie ndesh dhe me pikën 4 të nenit 109 të Kushtetutës që parashikon se “Organet e njësive të qeverisjes vendore kanë të drejtë të formojnë bashkime dhe institucione të përbashkëta me njëri-tjetrin për përfaqësimin e interesave të tyre, të bashkëpunojnë me njësitë vendore të vendeve të tjera, si dhe të përfaqësohen në organizatat ndërkombëtare të pushteteve vendore”.

“Ky ligj është kontradiktor me Kushtetutën dhe me një sërë ligjesh si “Për vetëqeverisjen vendore”, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)” apo dhe me ligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, që është ligj që miratohet me shumicë të cilësuar”

– A merr qeveria edhe kompetencat e pushtetit vendor, duke krijuar Komitetin Kombëtar për Zhvillim, i cili komandohet nga Zëvendëskryeministri?

– Siç e kam cituar dhe më sipër, i gjithë ky ligj ka për qëllim të vetëm shmangien e njësive të qeverisjes vendore dhe financimin e projekteve të financuara me fonde kombëtare, apo nga Bashkimi Europian vetëm nëpërmjet këtij Komitetit, që krijohet me këtë ligj.

“Një ligj i tillë që detyron njësitë e qeverisjes vendore të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë me detyrim dhe përcaktim nga Zëvendëskryeministri bie ndesh dhe me pikën 4 të nenit 109 të Kushtetutës”

– Qeveria, duke parapërcaktuar Politikat Kombëtare për Zhvillim me VKM  de fakto a nuk centralizon kompetencat, duke diktuar qeveria zhvillimin ekonomik të pushtetit lokal, sipas modelit të planeve 5 -vjeçare të ekonomisë së centralizuar të sistemit komunist?

– Neni 8 i këtij ligji parashikon se “1. Politika e zhvillimit rajonal dhe kohezionit përcakton drejtimet për një zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në të gjitha pjesët e territorit të Republikës së Shqipërisë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. 2. Politika e zhvillimit rajonal dhe kohezionit hartohet nga Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të zëvendëskryeministrit”. Një parashikim i tillë bie ndesh me funksionet e bashkive në fushën e shërbimeve sociale apo në fushën e zhvillimit ekonomik vendor. Një parashikim i tillë ligjor bie ndesh me parimin e subsidiaritetit që është parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisjeje sa më pranë komunitetit, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e detyrës, si dhe kërkesat e eficencës e të ekonomisë. Është pikërisht ky parim që kompetencën e bashkëpunimit mes dy ose më shumë njësive të qeverisjes vendore ja ngarkon këshillave bashkiakë për vendimmarrje dhe jo një komitetit që drejtohet nga Zëvendëskryeministri. Ky parim citohet si në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” edhe në atë “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, por nëse në rastin e parë reflektohet në frymën e ligjin, në rastin e dytë nga fryma e ligj rezulton pikërisht e kundërta.

– A mund të jetë “kohezioni” si bashkëveprim mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore që do përcaktojë qeveria me VKM dhe do ta udhëheqë Zëvendëskryeministri me Komitetin Kombëtar të Zhvillimit?

– Sipas vetë ligjit, me kohezion kuptohet ndërveprimi dhe përafrimi i nivelit ekonomik, social, kulturor e mjedisor mes dhe brenda rajoneve të ndryshme të zhvillimit, eliminimi i pabarazimeve ndërmjet tyre. Ndërkohë që me politikë kombëtare për zhvillim rajonal dhe kohezion kuptohet dokumenti që përcakton kuadrin referues të detyrueshëm për të gjitha dokumentet e planifikimit të zhvillimit rajonal dhe kohezionit, si dhe për instrumentet përkatëse të financimit. Siç duket qartë kohezioni është ndërveprim ndërkohë që politika kombëtare që do të miratohet me VKM me propozimin e Zëvendëskryeministrit është një kuadër i detyrueshëm për rajonet dhe që cënon parimin e subsidiaritetit.

– A mendoni se ky ligj është për përfitime partiake elektorale?

– Nëse i referohemi iniciativave ligjore të kësaj mazhorance gjatë këtij mandati të dytë qeverisës, duket se pjesa kryesore e tyre shkojnë në drejtim të përfitimeve partiake elektorale në tavolinë, duke krijuar një skemë vertikale varësie të pushtetit qendror që shkon deri në qelizën e fundit të ndarjes territoriale në vend. Kjo iniciativë aq sa duket sikur dublon atë të ligjit “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” që një ndër objektivat ka nxitjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve të investimit në nivel vendor dhe rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit, po aq i shkon dhe përshtat duke përqendruar të gjithë financimet në një dorë të vetme – atë të pushtetit ekzekutiv. Megjithatë, ajo çka mbetet thelbësore për t’u theksuar për të gjitha këto iniciativa ligjore që në letër nxisin zhvillimin ekonomik të vendit, është se në të vërtetë nxisin vetëm koncesione dhe PPP që kanalizohen në financat e po të të njëjtëve individë dhe që kurrsesi nuk arrijnë të nxisin zhvillimin ekonomik të vendit, por vetëm rritjen e dëshirës së shqiptarëve e kryesisht të rinjve, për t’u larguar nga Shqipëria, siç rezulton edhe nga çdo studim.

“Ky ligj cënon parimin e autonomisë vendore që është e drejta dhe aftësia e njësive të vetëqeverisjes vendore, të krijuara sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe në kuadër të kufizimeve të tij, që të rregullojnë dhe të administrojnë një pjesë thelbësore të çështjeve publike nën përgjegjësinë e tyre dhe në interes të bashkësisë”

–  Përse ndarjen e Shqipërisë në 4 rajone, nuk e bën në Kodin Zgjedhor, por me ligj të veçantë?

– Dispozita në Kodin Zgjedhor që parashikon se “Zonë zgjedhore” është ndarja administrativo-territoriale e qarkut për zgjedhjet në Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore” është dispozitë që ndërlidhet dhe referon tek ligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Kjo mazhorancë, duke shfrytëzuar shumicën e cilësuar që ka në Parlament, mundet që ta ndryshojë në Kodin Zgjedhor kuptimin e zonës zgjedhore dhe ta përkufizojë me rajonet e zhvillimit, kufijtë e të cilëve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave duke konsideruar a) vendndodhjen dhe pozicionin gjeografik të tyre; b) karakteristikat e zhvillimit socio-ekonomik; c) numrin e popullsisë; ç) perspektivën e zhvillimit ekonomik. Por një ndryshim i tillë që bazohet në zona, kufijtë e të cilave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sjell rrezikshmëri për mazhorancën e sotme, kur të kalojë në opozitë, pasi sërish rajonet e zhvillimit mund të ndryshohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Jo rastësisht, si Kodi Zgjedhor, por po ashtu edhe ligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, janë ligje që miratohen me shumicë të cilësuar, pikërisht për të shmangur përcaktimin e zonave zgjedhore, sipas vullnetit të një shumice apo një tjetre.

“Ky ligj ka për qëllim të vetëm shmangien e njësive të qeverisjes vendore dhe financimin e projekteve të financuara me fonde kombëtare, apo nga Bashkimi Europian vetëm nëpërmjet këtij Komitetit, që krijohet me këtë ligj”

– Faleminderit!