Ndahet nga jeta Prof. Gjovalin Lazri, Presidenti Meta: Përfaqësues i denjë i plejadës së mësuesve dhe drejtuesve të shquar

269
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të violinçelit, Gjovalin Lazri. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” Meta shprehet se, Përjetë do ta kujtojmë me nderim dhe respekt veprën dhe figurën e Profesor Lazrit!

Ja postimi i plotë i Presidentit Meta:

Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesorit të violinçelit, Gjovalin Lazri, ish-drejtuesit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, të cilin pak ditë më parë pata nderin ta çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të talentit të spikatur muzikor dhe me mirënjohje për kontributin e veçantë të dhënë në dekada për edukimin e shumë brezave të artistëve të rinj, të cilët kanë bërë emër edhe në skenat më të famshme europiane dhe botërore.
Si përfaqësues i denjë i plejadës së mësuesve dhe drejtuesve të shquar të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Profesor Lazri la pas një trashëgimi të vyer në artin shqiptar, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për studentët e tij, si një personalitet i shquar i artit dhe muzikës shqiptare, i cili të impononte respekt me talentin e spikatur dhe vlerësimin për përkushtimin dhe profesionalizmin si drejtues.
I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së nderuar Lazri, bashkëpunëtorëve dhe gjithë studentëve të tij për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për ta dhe artin shqiptar.
Përjetë do ta kujtojmë me nderim dhe respekt veprën dhe figurën e Profesor Lazrit!

Thellësisht i trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesorit të violinçelit, Gjovalin Lazri, ish-drejtuesit të Liceut…

Gepostet von Ilir Meta am Mittwoch, 8. Juli 2020