Veliaj projekt për Kopshtin Zoologjik: Do ta kthejmë në një potencial fantastik

638
Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi ambientet e Kopshtit Zoologjik të lënë në harresë, i shoqëruar nga arkitekti i njohur anglez, Ray Hole, ekspert i fushës dhe kontribues në ndërtimin e kopshtit zoologjik të Londrës, për të parë mundësinë për rijetësimin e kësaj zone të Tiranës, e për ta kthyer atë në një oaz çlodhës për familjet dhe fëmijët.
Veliaj dhe Hole diskutuan mbi rigjenerimin dhe konceptimin e një kopshti zoologjik modern, qoftë në dizajn, arkitekturë, por edhe miqësor për kafshët që do të banojnë aty. “Kemi një shans për të kuptuar se ç’mund të bëjmë me këtë zonë, ku sot ndodhet kopshti zoologjik, një ndërmarrje e falimentuar e Bashkisë së Tiranës. Po shikojmë një model financiar ndryshe, ku bashkia është vetëm një nga aktorët, kurse qyteti bashkëpunon më shumë për ndërtimin e një mekanizmi financiar të qëndrueshëm”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se, po shihet mundësia edhe për zgjerimin e hapësirës së kopshtit zoologjik, por edhe për t’i përdorur më mirë hapësirat aktuale. “Është një Kopsht Zoologjik unik, që mund ta kthejmë në një potencial fantastik për familjet dhe fëmijët. Ndaj, e shohim jo si një problem, por si një mundësi e mirë, që pas 21 qershorit ta çojmë edhe Kopshtin Zoologjik në drejtimin e duhur, si një hapësirë dhe frymëmarrje për një qytet, i cili ka më shumë nevojë për parqe se sa për beton”, u shpreh Veliaj.
Duke folur për projektin e ardhshëm të Kopshtit Zoologjik, arkitekti Ray Hole tha se zona ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe mundësi të mëdha për realizimin e saj. “Këtu shoh një sfidë të madhe, por edhe potencial të madh. Ka nevojë për një strategji operacionale dhe një strategji për gjenerimin e të ardhurave, për të riinvestuar dhe për ta rikthyer këtë vend në një vend frymëzues dhe konservues të pjesëve të tjera të botës nga vijnë kafshët”, u shpreh ai.
Sigal