Nard Ndoka:“Jam në opozitë. Votoj vetëm ministrin e partisë së Frrokut”

454
Sigal

Nard Ndoka, tashmë deputet i zgjedhur nga listat e PD-së, në intervistën për “Telegraf” i quan spekulime zërat që thoshin se ai mund të kalojë me maxhorancën e re. Gjithashtu, pohon se kjo maxhorancë e re, do të dështojë në premtimet që ka dhënë. Sipas Ndokës, Berisha duhet të mbetet aktiv edhe në PD, edhe në opozitë. Disa parti të së Djathtës, sipas Ndokës, duhet të shkrihen, sikurse edhe partitë e shumta demokristiane, duhet të bashkohen.

– Zoti Ndoka, ju si e shpjegoni fitoren e partisë Kristian-Demokrate  dhe jo të PDK-së, të ADK-së edhe LDK-së?

Partia Kristian-Demokrate ka vite që garon në zgjedhje dhe në zgjedhjet e fundit lokale ka një rezultat shumë modest. Në këto zgjedhje ka një rritje, duke fituar një mandate deputeti në Qarkun e Shkodrës, por jo realisht nga forca elektorale e partisë, por e kandidatit për deputet z.Frroku. Ndërsa në shkallë vendi, kjo parti përsëri ka një rezultat modest. Pra, sot ka forcën e një personi, aktualisht të kryetarit të saj dhe deputetit Frroku, i cili arriti ta ngrejë këtë parti deri në parti parlamentare. Ndërsa dy partitë e tjera, ADK dhe LDK, morën një numër votash, që duhet të merren në konsideratë për bashkëpunim dhe reflektim të përbashkët.

– Për ju, humbja e së djathtës, ishte e pritshme, apo ishte surprizë?

Ne kaluam një garë elektorale, ku e djathta pati epërsi dhe mbështetje elektorale në të gjithë treguesit; programorë, mitingjet, testet dhe sondazhet elektorale. Nuk pritej një fitore e së majtës dhe kjo nuk ndodhi e gjitha me votë të lirë, por pati një proces  të deformuar, të votës së blerë dhe të shitur në disa zona, kryesisht nga subjekti zgjedhorLSI. Surpriza mbetetLSI-ja për të gjithë, politikanë, analistë dhe për faktorin ndërkombëtar.

– A duheshin përfshirë  3 deputetët socialistë ne listat e PD-së dhe a ishte e drejtë të përjashtoheshin disa politikanë të PD-së, që kanë kontribuar deri tani?

Tre deputetët e PS-së dhanë një kontribut me votën e tyre, të cilët minimizuan dhe bllokuan pazaret e pista të “ngjalave” në kurriz të institucioneve dhe zgjedhjeve. Z.Berisha tregoi respekt, burrëri dhe moral që i përfshiu ata në lista. Kontributi i një politikani nuk është vetëm në parlament, në një proces disa largohen, të tjerë hynë, balancat është vështirë të mbeten të pakontestuara.

– Derisa fitoi ai koalicion, me të cilin ju ishit për gati 3,5 vjet, a nuk do të thotë që ju bëtë zgjedhjen e gabuar?

Përkundrazi, edhe sot gjykojmë se kemi bërë zgjedhjen e duhur dhe më të mirën e mundshme. PS-ja nuk garantoi dhe nuk mbajti fjalën për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, nuk ndërtoi një koalicion vlerash dhe programesh, por pazaresh dhe antivlerash. Në këto kushte, ndjehemi mirë që jemi në opozitë dhe jo aktorë të një komedie, që sapo ka nisur të vihet në skenën politike nga e Majta.

– Kur thatë, që nëse Mark Frroku merr post ministrie, ju do ta bashkonit votën me maxhorancën, çfarë kuptoni? Do të bëheni pjesë e kësaj maxhorance? Apo vetëm në votëbesimin e qeverisë dhe pastaj do të jeni sërish në opozitë?

Pavarësisht që pati një keqinformim nga mediat afër PS-së, unë kam deklaruar qartë: Do votoj vetëm ministrin që do propozohet nga partia e z.Frroku. Do votoj kundër qeverisë në parim, ndërsa unë do jem në opozitë. Ky është një qëndrim korrekt për përfaqësimin Kristian në politikë, duke e mbështetur me votë atë dhe qëndrim opozitar për qeverinë në tërësi. Ky qëndrim mbahet kryesisht për t’i hapur rrugë një bashkëpunimi apo bashkimi të faktorit Demokristian në Kuvend dhe më gjerë.

– A duhet të ketë rol aktiv Berisha, këtej e tutje në PD, e sidomos në vendimmarrjet politike të PD-së e të liderit të ri?

Unë do të dëshiroja që Z.Berisha të kishte rol aktiv në Kuvend, në opozitë dhe në jetën politike. Ai është e do mbetet një politikan me influencë dhe përcaktues në shumë ngjarje politike në të ardhmen. Ata që mendojnë, se mbaruan punë me Sali Berishën, sërish gabojnë, ata që mendojnë se do marrin në dorë frenat e revanshit mbi institucionet e pavaruara, sërish gabojnë! Sali Berisha do të jetë këtu edhe si garanci për vazhdimësinë në PD, do ketë rol tek e djathta në tërësi, por edhe në politikën shqiptare në tërësi. Dyshen Rama-Meta, hija dhe prezenca e Berishës do t’i trembë, por edhe do t’i motivojë për të bashkëpunuar ose do t’ju krijojë hapësirë për t’u shkëputur nga makthet e pushtetit abuzues. Z.Berisha do ketë një rol inkurajues reformimi tek e djathta, një mundësi reflektimi dhe çlirimi tek e majta. Duke e bërë njërën pjesë të së majtës më të shëndetshme për vazhdimësinë. Ndoshta ndikimi i Berishës nesër do jetë më i madh tek çlirimi i maxhorancës dhe qeverisë, se sa të reformimi i së djathtës.

– A duhet të bëhen pjesë e PD-së, disa parti të së djathtës,  tani që PD-ja është në fazën e reformimit të brendshëm?

Unë mendoj, se hapja, bashkimi, apo shkrirja e disa partive është një mundësi reale. Fryma e Re e z.Topi, LZHK-ja e z.Shehi, apo parti të tjera mund të shkrihen në një PD akoma më të madhe, duke zgjeruar bazën dhe përfaqësimin. Dy parti të Ballit, Lëvizja e Legalitetit mund të bashkohen në një parti. Demokristianët kanë nisur tashmë procesin dhe mund të grupohen në një parti. Nuk besoj se do ketë pengesa gjatë rrugës, e djathta i ka të gjitha mundësitë dhe hapësirat, që të rikthehet fuqishëm dhe më e fortë si alternativë qeverisëse, i bindur se tek e Majta do plasin “ujërat e zeza” shumë shpejt nga zullumet e tyre revanshiste, si në parlament, qeveri, ekonomi, administratë, institucione etj.

– Po ju, a mund të bashkoheni me PKD-në që të bëheni një parti e qëndrueshme parlamentare?

Jemi në bisedime dhe shpresojmë që ky bashkëpunim do të jetë fillimi i një epoke shprese për të gjithë demokristianët. Bashkëpunimi parlamentar tashmë është i garantuar dhe i konfirmuar, PDK dhePKD do të përfaqësojnë një alternativë në Kuvend, si dhe do të kemi mbështetjen politike të partive Kristiandemokrate Europiane.

– Për maxhorancën e re, mendoni se do të ketë sukses në qeverisje?

Jam mosbesues, që maxhoranca e re do të vendosë standarde demokratike, që do të ndërtojë institucione të pavarura, që do të respektojë opozitën, që do të ketë përgjegjësi politike dhe morale me premtimet e bëra.

– Ju kritikuat shumë Edi Ramën, para zgjedhjeve. Keni ndryshuar mendim për Edi Ramën?

Duke parë, përbërjen e koalicionit, përbërjen e Kuvendit, pengesat që z.Rama ka përpara dhe ato që do i nxjerrin “miqtë” e tij, historia e suksesit do mbetet thjesht një dëshirë, por jo një realitet.

Berisha gaboi që qeverisi me LSI-në

–  Përse humbi kaq thellë e Djathta?

E Djathta nuk humbi thellë, por fitoi thellëLSI-ja. Ky është një deformim dhe fenomen, që duhet analizuar mirë dhe me të gjithë kompleksitetin e duhur, në mënyrë që ky precedent i rrezikshëm të mos përsëritet kurrë në politikën shqiptare.

– Shumë politikanë të së Djathtës, kritikojnë Berishën që futi në listat e PD-së edhe kryetarë partie të tjera. Ju si e replikoni këtë kritikë?

Së pari, Z.Berisha hartoi një listë që maksimalizonte votat e së djathtës. Së dyti, Z.Berisha ruajti si një vlerë reale pluralizmin politik tek e djathta në Kuvend. Së treti, PDK-ja  vërtet që mori një mandat përfaqësues nga koalicioni, por i dha koalicionit më shumë vota dhe mandate përfaqësuese nga votat demokristiane. Koalicioni i djathtë ka fituar edhe nga votat demokristiane një mandat më shumë në Lezhë, Kukës, Tiranë, Vlorë dhe Fier. Pra, nga futja e kryetarëve në lista, ka fituar koalicioni më shumë dhe pluralizmi politik tek e djathta akoma më shumë. Janë pista të tjera ato që duhet t’i analizojmë së bashku dhe me një frymë përgjegjësie të përbashkët.

– Gaboi Berisha që u mbështet në mbajtjen e qeverisë, pas largimit të LSI-së në 3 votat e deputetëve socialistë? Do të ishte tjetër rezultat, nëse Berisha pranonte zgjedhje të parakohshme, dhe jo 3 votat e deputetëve socialistë?

Duke e analizuar sot, mund të them se z.Berisha gaboi që qeverisi meLSI-në për katër vite, zgjedhjet e parakohshme duhet të zhvilloheshin që në 2009. Qeverisja meLSI-në ishte një kosto  për PD-në dhe për vendin.

  – Faleminderit!