Partizan Myftari/Trokitje në zyrat e reja të Rilindjes

565
Sigal

Njëri që nuk ishte shumë aktiv gjatë fushatës se nuk dinte nga të mbante më shumë nga Ndryshimi apo Rilindja më në fund këto ditë u bë “burrë” dhe trokiti tek zyrat e Rilindjes.

Ai, që e priti, hapi sytë se nuk e kishte pasur tek listat e votuesve të sigurt. Sa u bë gati ta pyeste, tjetri iu përgjigj.
– Mos më pyet fare! Rrënjët nga e majta i kam unë!…
– Po ti sikur?! – filloi Rilindësi i listave….
– Pa të majtën nuk rregullohet fukaraja! – këmbënguli tjetri…
– Oreeee! – gati bërtiti njeriu i listave të punësimeve ,- Më bëjnë sytë mua apo fillove të kërcesh ti?!..
– Joooo! – u mbrojt i lëkunduri. E di ku do të më goditësh ti mua, e di… Pse e mbaja kokën djathtas?!
– Eeee! – këmbënguli listari i Rilindjes. – Ti sikur djathtas shikoje e kafshoje…
– Jo, jo, jo! Rrënjët i kam majtas unë, por kam kafshuar djathtas nga e keqja. Dhe ta dish, se mezi kam kafshuar…
– Pse?!
– Ti nuk e di që unë jam me protezë dhe kam kafshuar me protezë të thyer… Kafshohet e djathta me protezë të thyer?!…
– Pse nuk u shkrove tek Ndryshimi?! – e pyeti listari i Rilindjes?!
– Sepse ata të Ndryshimit nuk po ndryshonin.
– Po te Rilindja ke besim?! – pyeti listari.
– Besim të madh. Aty mbase rregulloj protezën dhe kafshoj pak më mirë ,- thoshte i lëkunduri.
– D.m.th,  t’u mbush mendja që ne jemi me të vërtetë Rilindja, – tha i lumtur listari. – Kush të frymëzoi?! Kush konkretisht?!…
I lëkunduri u mendua pak dhe duke iu tharë pështyma mërmëriti.
– Ttttaaaa them?!
– Thuaje!
– Ttttttaaaaa ththththem!
– Hajde kafsho dhe majtas ,- u tall listari -Thuaje!
– Po nga ty, o vëlla, nga ty! Ti hëngre djathtas me dhëmbët e tu e të botës tre vjet. Fap, pastaj, i shkathët si pelivan, u bëre Rilindas. Hall! Ju keni edhe rrënjë edhe gojë. Unë, as njërën, as tjetrën… As Ndryshoj dot si duhet dhe as Rilind si kërkohet….Po pate ndonjë copë vend në fund të listës, shënomë edhe mua…
Listari po mendohej. I lëkunduri u nis për të dalë dhe pastaj, duke hapur derën, u kujtua t’i thoshte:
– Se mos më shkruan tek listat e vjetra, tek ato që ke sjell me vete?!…