Nard Ndoka: Një qeverisje me Metën kryeministër, do të jetë më rezultative

509
Nard Ndoka, deputet dhe kryetar i PDK, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Edi Rama ka dështuar si kryeministër, sepse nuk ka përmbushur zotimet. Ndaj zoti Ndoka shikon si zgjidhje të mirë një rrotacion, ku Ilir Meta të bëhet kryeministër, që kjo maxhorancë të ketë progres. Sipas zotit Ndoka, kryeministri Rama nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me krimin, por ka dijeni për grupe kriminale që terrorizojnë bizneset. Zoti Ndoka pohon se kryeministri Edi Rama mbeti thjesht një kryetar i PS, por kurrë nuk u bë lider i Aleancës. Zoti Ndoka pohon se reformën në drejtësi nuk mund ta realizojnë ambasadorët e huaj.

Zoti Ndoka, a mendoni qe parlamenti aktual duhet te shpërndahet, sepse siç tha edhe deputeti Blushi ka parime esadiste?

Parlamenti është një organ i zgjedhur dhe i votuar tashmë, ai përfaqëson realitetin politik në vend. Është një parlament problematik, por tashme ka nisur procesi i vetëpastrimit dhe i ndërgjegjësimit për qytetarët që të kenë shumë kujdes në votën e tyre dhe e partive politike që të performojnë me listat e kandidateve për zgjedhjet e ardhshme.

Përse është i pamundur miratimi i Reformës në Drejtësi?

Reforma në drejtësi duhet të votohet, jo me sy të mbyllur nga ndërkombëtaret, por si një përgjegjësi politike dhe kombëtare.

Cili është mendimi juaj për qeverisjen e Edi Ramës?

Qeverisje e dështuar, nuk realizoi ato çfarë premtoi; 300 mije vende pune, shëndetësi falas, rend, arsim etj. Qeveria më e dobët e këtyre 25 viteve të fundit.

Po mendimi juaj për opozitën e PD? 

Për fatin e keq edhe opozita nuk është e organizuar, nuk ka krijuar akoma garanci dhe besim te qytetaret si alternative qeverisëse. Opozita më shumë është konsumuar, duke akuzuar dhe dubluar institucionet tona që nuk kanë funksionuar si duhet, sistemin e drejtësisë dhe Policinë e Shtetit. Opozita duhet të riformatohet, duke e zgjeruar bazën e vet me të gjithë faktorët opozitarë, grupet e interesit, individë që dëshirojnë të kontribuojnë për demokratizimin e sistemit tonë politik dhe qeverisës.
A është PD një alternativë për të qeverisur?

Akoma jo alternative qeverisëse, por ama PD ka performuar një opozitë të fortë, ballas, duke evidentuar dhe bërë publike mjaft afera korruptive të maxhorancës dhe etiketuar me emra, mjaft individë me rekorde kriminale, duke filluar nga deputetë, kryetar bashkish dhe grupe kriminale në vend.
Ish-kryeministri Berisha e ka akuzuar shpeshherë Edi Ramën se ka lidhje me krimin. Mendoni se kjo akuzë është thjesht politike dhe e ekzagjeruar?
Nuk besoj se Rama ka lidhje të drejtpërdrejtë me krimin, por ka dijeni se ka grupe kriminale që terrorizojnë bizneset dhe qytetaret e këtij vendi, të cilët Ramën e kanë votuar që t’i qeverisë dhe t’i mbrojë. Rama nuk është treguar i vendosur në këtë drejtim, përkundrazi ka heshtur edhe përballë akuzave publike, apo është mjaftuar me ndonjë batute lushnjare dhe aq.

Zoti Ndoka, kryeministri Edi Rama nuk e respektoi marrëveshjen me Ju për aleancën, sikurse nuk respektoi marrëveshjen as me partitë e tjera. Për 2017 ky qëndrim shpërfillës i Ramës ndaj aleatëve, a do ketë reagim nga ju?

Z. Rama mbetet një drejtues partie, i cili nuk arriti të kthehej në Lider të këtij koalicioni. Ndoshta një qeverisje me rrotacion me Metën me nga dy vite do të ishte me rezultative. Kjo formë qeverisje që kemi parë ishte fare pa përmbajtje dhe pa besim. Rama vuan nga sindromi se i di të gjitha vetë dhe se mund të qeverise edhe i vetëm më mirë. Rama nuk ndërtoi një koalicion bindës dhe përfaqësues, por një grupim interesash dhe pazaresh te momentit që e shoqëruan gjatë gjithë rrugës së tij. Rama është sot personazhi me pak i besuar me aleatet e vet dhe për faktorin politik në tërësi, drejtues arrogant dhe indiferent ndaj realitetit që e rrethon.

Shpresoni se do të respektohet dhe konkretizohet ligji i dekriminalizimit?

Po kam shumë besim se ligji do të respektohet, pavarësisht se mund të quhet me plot gojën, ligji i turpit për Kuvendin dhe politikën shqiptare në tërësi.
Shumë herë qeveria e Ramës është akuzuar për korrupsion me koncesionet 3P. Ju mendoni se ka vërtetësi në këto akuza?

Koncesionet në tërësinë e tyre rezultojnë si një aferë e pastër korruptive. Është rast unikal që një qeveri e majtë nuk menaxhon asgjë vetë, por ja kalon privatit çdo gjë! Kjo nuk është programore, as e premtuar, por fantazi e drejtpërdrejtë korrupsioni.

Zoti Ndoka, shumë herë ministri i Shëndetësisë Beqaj është akuzuar për korrupsion me koncesionet që ka dhënë. Ju ç’mendim keni?

Është një sektor që e njoh shumë mirë, kur unë drejtova, futa në sistem për herë të parë termin menaxhim shëndetësor në çdo spital, në çdo institucion shëndetësor. Ku sistemi shëndetësor, falë edhe shumë reformave të tjera filloi të lëvizë shumë shpejt. Sot dëgjojmë nga Beqja vetëm koncesione dhe asgjë tjetër. Nuk ka menaxhim, nuk ka reformë, nuk ka barna në spitale, nuk ka shëndetësi falas, nuk ka standarde. Ka vetëm Beqe dhe koncesione kudo dhe për çdo gjë!

A është përmirësuar shërbimi shëndetësor publik nga reformat e ministrit Beqaj?

Reforma, për fatin e keq nuk ka fare në sistem, koncesionet e kanë përmirësuar shërbimin, por jo shërbimet jetësore dhe të domosdoshme, por ato shërbime të dorës së dytë në sistem, por të dorës së parë në korrupsion.

Intervistoi: Jakup B. GJOÇA
Sigal