Meta: Fokusi, reformimi thelbësor i sistemit të drejtësisë

479
Sigal

Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta priti priti një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës kryesuar prej Kryetares së këtij komisioni, znj. Mette Gjerskov. Anëtarët e komisionit shoqëroheshin prej Ambasadorit të Danimarkës në Shqipëri, z. Mads Sandau-Jensen.
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe veçanërisht mes dy parlamenteve, si shumë të rëndësishme jo vetëm në planin dypalësh, por mbi të gjitha për integrimin evropian të Shqipërisë. 

 Meta theksoi se në këtë drejtim, fokusi mbetet në reformimin thelbësor të sistemit të drejtësisë, si kyç për suksesin e të gjitha reformave të tjera që janë të nevojshme për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe për thithjen e më tepër investitorëve të huaj në vend. Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës znj. Mette Gjerskov shprehu kënaqësinë e vizitës së anëtarëve të komisionit parlamentar danez në Shqipëri dhe vuri në dukje se Danimarka mbështet progresin e Shqipërisë dhe zbatimin e reformave kyçe që janë në proces, duke nënvizuar se kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë pranë partnerëve të saj evropianë.  Kryetari i Kuvendit Meta dhe deputetët danezë diskutuan gjithashtu edhe mbi situatën në rajon, duke u ndalur tek kriza migratore që ka prekur gjithë hapësirën evropiane. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se kjo krizë është një sfidë e përbashkët evropiane dhe Shqipëria është e përgatitur të bëjë pjesën e saj, pa ngritur mure dhe në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë.